Rrëfimi ndryshe i Danilo Alvesh: Viti i Flamurtarit, sekreti është… pilafi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2018 | 23:36

Rrëfimi ndryshe i Danilo Alvesh: Viti i Flamurtarit, sekreti është… pilafi (E PLOTË)

Danilo Alvesh ndi het i lumtur në Vlorë. Në një intervistë ndryshe të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi brazilian flet për gjithçka që nga futbolli dhe jeta jashtë fushe.

danilo alvesh

Ndihet i lumtur që po shënon dhe premton se do të vijojë kështu. E ka merak të fitojë një titull me Flamurtarin dhe mendon se ky vit mund të jetë momenti i duhur. Jashtë fushës, Alvesh është një baba i përkushtuar i djalit dhe bashkëshortes që tij. Familjen e shikon si frymëzim për të marrë sa më shumë energji, ndërsa zbulon se ushqimi i preferuar është pilafi me pulë ose mish viçi.

Danilo, si ndiheni pas fitores ndaj Kukësit?

Jam shumë i lumtur për këtë fitore. Është një trepikësh me shumë vlera dhe mjaft i  rëndësishëm për ne. Flamurtari ka vite që nuk fiton me Kukësin. Kjo ishte një fitore e bukur, pikërisht për këtë arsye, ndaj unë them se ishte një fitore shumë me vlera për ne dhe e rëndësishme.

Goli juaj vulosi fitoren në këtë sfidë. Si ndiheni?

Normalisht që ndihem shumë mirë. Unë jam këtu për të dhënë më të mirën time për Flamurtarin. Natyrisht që ndihem mirë, që me golin tim vulosa fitoren. Por, ajo është detyra ime. Sulmuesi ka detyrë që të shënojë, ndaj bëra detyrën time.

Tre gola rresht, mund të themi se jeni çliruar më në fund?

Jam i lumtur që në të tri ndeshjet e fundit kam shënuar. Ndihem mirë edhe sa i përket formës time. Kështu, që them se do të vijoj të jap maksimumin tim në vijim.

Ndeshja e radhës me Luftëtarin. Si e shikoni?

Ne shpresojmë që edhe në ndeshjen me Luftëtarin të bëjmë një lojë të mirë dhe të marrim tri pikë të tjera. Kemi nevojë edhe për fitore të tjera. Vetëm atëherë do t’i arrijmë qëllimet tona. Gjithmonë duhet të bëjmë më shumë.

Ku mendoni se do të shkoni këtë sezon?

Unë e kam thënë që dëshira ime është të fitoj një kampionat me Flamurtarin. Shpresoj që ky të jetë viti i duhur. Nëse ne ecim kështu do të arrijmë patjetër objektivin, siç është edhe pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Si ndiheni në Vlorë?

Në Vlorë ndihem si në shtëpinë time, shumë i lumtur. Nuk e zëvendësoj Vlorën me asgjë tjetër.

Jetoni bashkë me familjen këtu?

Po, në Vlorë jeton edhe familja. Jemi bashkë që kur kam ardhur këtu për herë të parë. Familja ime jeton në Vlorë. Djali im shkon në kopsht këtu në Vlorë. Erdhi në Shqipëri në moshën njëvjeçare dhe sot ai është tre vjeç. Në janarin që vjen, mbush 4 vjeç. Edhe ai ndihet shumë mirë këtu.

Si e kaloni kohën tuaj të lirë në Vlorë?

Koha ime e lirë është gjithmonë pranë familjes sime. Luaj me djalin tim dhe dalim shëtitje. Më pëlqen të shijoj momentet me familjen time që më rimbush me energji.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Unë nuk e kaloj gjithë ditën duke ngrënë se më duhet të mbaj një dietë që natyrisht ma ka dhënë dietologu. Është një dietë që e përdor shtatë ditë të javës. Por, ushqimi im i preferuar është orizi me pulë ose viç (qesh).

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"