Rrëfimi i zëvendëskapitenit Muça: Ja si do të kthehet Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 19:22

Rrëfimi i zëvendëskapitenit Muça: Ja si do të kthehet Tirana

Pas afro 18 muajsh pushim e betejash të vazhdueshme, Gentjan Muça është kthyer në stërvitje me Tiranën. Prej kohësh, Genti vrapon, stërvitet në “Skënder Halili”, duke treguar se është një “luftëtar i vërtetë”. Ka nisur jetën normale të një futbollisti dhe kërkon të rikuperojë kohën e humbur në futboll. Bardheblu “doc”, Genti më në fund ia arriti të triumfonte në “një luftë” pa kompromis me një sëmundje, që shumë të tjerë i ka vënë poshtë pa kthim.

muca

Po stërvitet pak nga pak për të qenë në fushën e lojës. Kthimi i Muçës në ekip është një sinjal i fortë për të gjithë djemtë, e vetë klubin, i cili këtë sezon është kthyer në Kategorinë Superiore dhe në letër është një nga pretendentët për titullin kampion, pas “burgut njëvjeçar” në Kategorinë e Parë, por që po vuan këto tri javë të para në Superiore…

Muça, riktheheni në stërvitje pas një viti e gjysmë… Një sakrificë e madhe për Tiranën, që e gjeni sërish në Superiore?

Nuk ka qenë e lehtë. Gjithsesi, është histori e lënë pas krahëve. Të harrohet diku.

Një Tiranë që kërkon të tregojë veten, sepse deri tani ka vuajtur?

Pres që Tirana ta lërë pas krahëve atë edicion jo të mirë në Kategorinë e Parë. Me rikthimin e Tiranës në elitë uroj që të përkojë dhe me rikthimin tim në fushën e lojës.

Fillimi nuk ka qenë ashtu siç pritej…

Është e vërtetë! Duhet  pak kohë për të gjithë, sidomos afrimet e fundit të kenë kohën e mjaftueshme për t’u përshtatur. Gjithsesi, janë pikët ato që duhen më shumë. Të gjithë trajnerët nuk presin lojë të bukur në ndeshjet e para, por në fund duhet të numërojmë pikët.

Kur do ta kemi Gentin në fushën e lojës?

Shpresoj dhe besoj sa më shpejt. Gjithsesi, duhet dhe pak kohë, ndoshta diku te një muaj edhe pse nuk kam dëshirë shumë të vë afate për rikthimin.

Tirana, një skuadër të cilës i mungon diçka?

Përveçse ka një fytyrë të re dhe ndryshimeve për mirë, skuadrës i nevojitet kohë për blerjet e reja. Grupi dhe lojtarët, sapo ta njohin mirë njëri-tjetrin dhe të përshtaten me pjesën e vjetër e do të kemi një Tiranë më të mirë seç e kemi parë deri më sot. Kjo logjikë do të sjellë edhe pikët.

Vetëm një pikë. Kaq ka merituar Tirana këto tri javë në kampionat, po situata është e gënjeshtërt?

Të jem i sinqertë, dhe për atë që kemi treguar në fushën e lojës ka pasur ndeshje ku mund të kishim lënë pikë. Është rasti i ndeshjes me Teutën, por dhe rasti i ndeshjes me Kamzën, ku mund të kishim fituar tri pikë. Do të kishte qenë më mirë sikur të kishim pikë të plota me lojën e dobët që kemi zhvilluar. Nuk ka ndodhur. Tani së bashku me lojën do të vijnë dhe pikët që ne duam në çdo moment.

Çfarë prisni nga sfida me Luftëtarin?

Kam besim se do të shohim një tjetër Tiranë. Nuk dua të mendoj që tri pikët nuk do të merren me Luftëtarin. Për mua fitorja me gjirokastritët nuk është vetëm detyrim, por edhe borxh ndaj përkrahësve tanë.

Tifozët, keni një mesazh për ta…

Besoj se impakti mes tifozëve dhe klubit është që me rikthimin e Tiranës në Superiore. Uroj që unë të jem një plus akoma dhe më tepër. Është një vlerësim dhe kënaqësi për mua. Tirana duhet të marrë pikë dhe të mos presë Muçën. Kur të jetë Genti gati për Tiranën, të jemi akoma dhe më të fortë. Mbështetja për ekipin duhet të jetë gjithmonë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"