Rrëfimi i trajnerit Gjyla: Ruajmë 50% të grupit, Lushnja nuk do të… “vdesë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2018 | 17:20

Rrëfimi i trajnerit Gjyla: Ruajmë 50% të grupit, Lushnja nuk do të… “vdesë”

Ilir Gjyla flet pa “dorashka”. Trajneri i ka bërë “skanerin” Lushnjës së tij, që prej 4 javësh vetëm humbet. Por ai nuk e sheh “gotën bosh”, përkundrazi thekson se skuadra ka fituar diçka nga ky sezon përtej rënies nga kategoria dhe faktit që nuk po marrin dot asnjë pikë. Në një intervistë të dhënë për mediat, ai rrëfen se skuadra më e vjetër e Superiores do rinovohet, duke paralajmëruar largime.

Ilir-Gjyla-Peqin-470x338

Një muaj kalendarik në drejtimin e Lushnjës, çfarë jeni munduar të ndryshoni te kjo skuadër?

Ndoshta është e tepërt ta them, por në 4 javë ka ndryshuar loja.

Keni 4 humbje…

Unë i dua pikët, më besoni. Por, ajo çfarë më ngroh më shumë mua është ndryshimi i mentalitetit të skuadrës. Në këto 2-3 javë kemi luajtur mirë, edhe pse nuk kemi fituar.

Çfarë do të thotë kjo?

Gjatë këtij sezoni ne kemi humbur. Kur them “ne”, e kam për Lushnjën, por përfshij edhe veten, meqenëse jam pjesë e këtij klubi. Kemi humbur, por pa luajtur. Ndërsa tani ka luajtur futboll. Ka bërë të gjitha ato çfarë ka një ndeshje.

Nuk ju shqetëson fakti që nuk po merrni dot as një barazim?

Nuk është e lehtë të mposhtësh një mentalitet njëvjeçar ose disavjeçar. Te Lushnja gjithmonë kështu ka ndodhur. Që nga janari një pikë ka marrë ose nuk ka marrë fare. Nuk mundet që një trajner me 4 javë të kthejë mentalitetin e futbollistëve, opinionit sportiv apo gjyqtarëve. Të gjithë e dinë sikur Lushnja është ekip për t’u mundur. E kanë fiksuar që në fillim që do të mundet. Të gjitha këto mentalitete nuk i thyen dot me një të rrahur të “çekanit”.

Skuadra ka shanse apo mundësi për të marrë pikë këtë sezon?

Përpos bllokimit që kanë futbollistët, nëse kundërshtarët kanë disa lojtarë cilësorë, ne sa vijmë dhe shterojmë. Nga ndeshja në ndeshje, në katër javë që unë drejtoj, na shtohen mungesat. Një skuadër e brishtë e ka të vështirë të marrë pikë me mungesa. Unë po mundohem, por kjo nuk do të thotë se patjetër do t’i marrim.

Çfarë alternativash ka kjo skuadër?

Ne jemi midis dy alternativave. Unë e mora drejtimin e Lushnjës për projektin e vitit tjetër. Me presidentin kemi biseduar të ndërtojmë Lushnjën tjetër. Lushnja po bie nga Superiorja, por nuk do të “vdesë”. Jemi mes një dileme: të fusim këta futbollistë që kishim me qëllimin për të marrë pikë, duke u mbyllur në mbrojtje apo të rinjtë. Midis këtyre dy mundësive, mendoj se kemi zgjedhur alternativën e dytë.

Me këtë alternativë edhe rezultati do të jetë edhe më i vështirë për t’u kapur…

Por, jo ta pranoj që do të humbas. Në asnjë mënyrë. Por, kam zgjedhur alternativën e dytë. Edhe projektin e vazhdoj. Edhe përgatis Lushnjës për vitin tjetër. Por, edhe mundohem që të marr pikë. Kjo, ndoshta na e vështirëson pak punën. Të gjitha këto që thashë, mungesat, mentaliteti, ana psikologjike dhe shumë gjëra të tjera na e vështirësojnë marrjen e pikëve.

Po në aspektin tjetër?

Në aspektin tjetër të asaj çfarë kemi për qëllim do të thoni ju. Unë mendoj se po ecim shumë mirë. Sepse çfarëdo të bëj unë tani, futbollistët dhe i gjithë stafi, çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Unë e quaj fitore ndryshimin e mënyrës së të luajturit. Pas çdo ndeshjeje marrim përgëzime për lojën.

Mund të quhet “fitore” kur nuk merr pikë?

Unë mendoj se është fitore, të thyesh atë lojë që ka qenë. Po fitojmë disa futbollistë, po fusim disa të rinj në skuadër. Pengu janë pikët.

Duhet ta pranojmë që Lushnja ishte një nga skuadrat më të plakura të kampionatit shqiptar…

Unë mendoj që në këtë moment që po flasim, është ulur disi mosha mesatare. Në të ardhmen do të ulet më shumë akoma.

Ju keni thënë që keni një projekt, por nga do nisë?

E para është që unë të vendos pikat mbi “i” për të ardhmen, në drejtim të futbollistëve, të atyre që do të përballojnë kampionatin. Edhe kjo skuadër ka brenda futbollistë që do të jenë për vitin tjetër, qofshin lushnjarë, apo të huaj. Ndoshta jo 100%, por 50%- 60% do të qëndrojë.

Thatë që mosha mesatare do të ulet. Pra, do të ketë një rifreskim?

Është e padiskutueshme që do të ketë një rifreskim.

Prisni që projekti juaj të ecë paralelisht edhe me infrastrukturën?

Puna jonë duhet të ecë paralelisht me pjesët e tjera. Duhet një terren stërvitor. Po shikoj që ka lëvizje nga presidenca, nga bordi apo asambleja.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"