Rrëfimi i Sabjen Lilajt: Kam folur me Agollin dhe Telin para se të firmosja, ja pse ika nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 23:07

Rrëfimi i Sabjen Lilajt: Kam folur me Agollin dhe Telin para se të firmosja, ja pse ika nga Skënderbeu

Largimi nga Skënder beu, oferta e Qabalës dhe deri te këshilla për Kombëtaren e Azerbajxhanit. Mesfushori Sabjen Lilaj rrëfehet për mediat azere pasi firmosi një kontratë 2- vjeçare me nënkampionët në fuqi të Qabalës. Lilaj do të përfitojë 250 mijë euro neto në sezon nga kontrata e re, disa herë më shumë se te bardhekuqtë (merrte 13 mijë euro në muaj). Lojtari theksoi për portalin “sportnet.az” se dënimi që Skënderbeu mori nga UEFA e bëri që të largohej nga Shqipëria.

lilaj1

Si u transferuat te Qabala?

UEFA dënoi Skënderbeun me 10 vite jashtë Kupave të Europës dhe, pas këtij vendimi që mori klubi, unë vendosa të largohem nga ekipi. Menjëherë Qabala më bëri ofertë. Ishte një propozim shumë serioz nga ana e klubit azerbajxhanas. Unë në këtë periudhë kam hulumtuar për Qabalën, duke parë edhe disa ndeshje të ekipit tim të ri. Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu dhe shpresoj që Qabala të përsërisë këto suksese edhe me mua.

Ju dikur keni luajtur edhe kundër klubit azerbajxhanas, Neftçi Baku…

Po, 4-5 vite më parë kam luajtur kundër Neftçi në Europa Ligë dhe u kualifikuam.

A keni marrë informacion nga futbollisti shqiptar, Ansi Agolli?

Jo vetëm nga Agolli, por edhe nga Admir Teli dhe bashkatdhetarët e tjerë që kanë luajtur këtu. Të gjithë ata vlerësuan qytetin e Bakut dhe Azerbajxhanin. Kjo ndikoi shumë në ardhjen time këtu.

A jeni në dijeni se Qabala ka ulur buxhetin, duke u besuar më shumë lojtarëve vendës dhe jo të huajve?

Jo, nuk e di. Buxheti i klubit nuk ka interes për mua. Dëshirat e mia për çështjet financiare me klubin përkonin dhe firmosa. Nuk është e rëndësishme që të ketë më shumë ose më pak të huaj. Shpresoj se me Karabakun dhe rivalët e tjerë, ne do të luftojmë për kampionatin dhe Kupën.

Çfarë mund të shpresoni në Ligën e Europës me Qabalën?

Është e pamundur të thuhet ndonjë gjë konkrete për këtë çështje pa njohur më parë shortin. Do të bëj çmos për të përsëritur sukseset e mëparshme, ku kam luajtur në grupet e Ligës së Europës. Është një atmosferë krejtësisht e ndryshme. Do të përgatitemi në Slloveni, që të jemi gati për ndeshjen e parë, e cila është shumë e rëndësishme për ne.

Qabala dëshiron një lojtar tjetër te Skënderbeu, Xhejms Adenijin. Keni pasur ndonjë bisedë me të?

Nuk kam pasur një bisedë të tillë, por kam mësuar nga mediat. Mendoj se nëse do të ishte një gjë e vërtetë, ai do të më tregonte dhe do të pyeste patjetër për ekipin. Do të ishte mirë të vinte këtu, sepse është një sulmues cilësor dhe Qabalën mund të ndihmojë.

Kombëtarja shqiptare humbi ndaj Kosovës me rezultat 0-3. Kosova është kundërshtari i parë i Azerbajxhanit në Ligën e Kombeve. Çfarë mund të thoni për këtë ekip?

Kosova është një ekip shumë i ri dhe me futbollistë të talentuar. Unë do ta këshilloja ekipin e Azerbajxhanit që ta merrte seriozisht, sepse Kosova është agresive. Mos u mashtroni nga fakti se ata janë të rinj. Pas 2-3 vitesh do të shikoni se çfarë di të bëjë Kosova.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"