Rrëfimi i mesfushorit Deliaj: Mund miqtë te Tirana, pastaj i qeras

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 14:18

Rrëfimi i mesfushorit Deliaj: Mund miqtë te Tirana, pastaj i qeras

Fjoralb Deliaj, përballë së shkuarës. Deliaj, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, analizon gjithçka sa u përket dy ekipeve, por tregon edhe miqësitë që ka te Tirana. Vlonjati ka marrë besimin e plotë të trajnerit Daja që qysh në fillim e ka projektuar titullar. Deliaj shprehet se ndihet më mirë në mesfushë, ndërsa për kritikat e Tahos thotë se të gjithë kanë gabuar në mbrojtje. Deliaj vlerëson trajnerin Daja për frymën që ka sjellë në ekip, ndërsa sa i përket Memës mendon se nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të injektuar idetë e tij.

Deliaj

Pas luhatjeve të mëdha, e konsideroni ndeshjen me Tiranën si shansin e madh për të gjetur kthesën?

Normalisht, pas këtyre ndeshjeve pa fitore besoj se ka ardhur momenti për të bërë kthesën. Duhet të japim maksimumin në këtë ndeshje, aq më shumë që luhet në fushën tonë dhe nuk na lejohen gabimet. Kemi pasur kohën e duhur në dispozicion për përgatitjen e këtij takimi. Pushimi i kampionatit na ndihmoi shumë. Kjo ka bërë që disa lojtarë që nuk ishin në formën e duhur apo ishin të dëmtuar të marrin veten. Në këto kushte, unë them se jemi plotësisht gati për ndeshjen me Tiranën.

Çfarë rezultati mendoni se do të merrni në këtë takim?

Sigurisht që rezultatin maksimal. Nuk duhet që t’i diskutojmë tri pikët dhe fitoren. I kemi plotësisht të mundshme për t’i arritur.

Tirana është pjesë e së shkuarës tuaj, çfarë kujtoni me nostalgji gjatë viteve si bardheblu?

Tirana është ekipi ku unë debutova në Superligë. Ka shumë momente të bukura që unë kam kaluar aty. Do të doja që të veçoja ndeshjen kur debutova në Shkodër dhe derbin me Partizanin, në të cilin u barazuam në fund të takimit 2-2. Kam kaluar vërtet mirë dhe normalisht që për gjërat e bukura ke nostalgji. Por, unë tani jam te Flamurtari dhe mendoj vetëm për skuadrën time.

Deliaj Tirana

E ruani miqësinë me lojtarët e Tiranës? Nëse po, me cilët?

Patjetër që kam shokë dhe miq të mirë te Tirana. Takohemi dhe flasim. Në veçanti, miqësi kam më shumë me Dokën, Hoxhallarin dhe Dajën.

Keni komunikuar me ta para ndeshjes me Tiranën?

Jo, jo, nuk kam komunikuar. Do të takohemi pas ndeshjes. Do t’i qeras për fitoren tonë (qesh).

Ndiheshit më mirë te Tirana apo tani te Flamurtari?

Të jem i sinqertë, më mirë ndihem te Flamurtari. Është ekipi i qytetit tim të lindjes dhe jam në shtëpinë time.

Te Tirana keni pasur trajnerë Dajën dhe Ze Marian. Ku dallojnë të dy këta trajnerë?

Me Ze Marian kam punuar shumë pak dhe nuk mund të bëj një krahasim. Mund të flas vetëm për Dajën. Me profesorin kam punuar edhe te Tirana dhe normalisht që e njoh mirë. Është një njeri shumë punëtor dhe kërkues. Por, doja të thosha se Daja ka një të veçantë që trajnerët e tjerë nuk e kanë. I kushton një rëndësi shumë të madhe teorisë duke pasur stilin e tij në mënyrën e shpjegimit, ku gjithçka e ndërthur edhe me pamjet filmike dhe ke shumë dëshirë që ta dëgjosh, pasi ta bënë më të lehtë punën. Kuptohemi shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur prej tij.

Është bërë zgjedhja e duhur me largimin e Ze Marisë nga Tirana?

Nëse me largimin e Ze Marias është bërë apo jo zgjedhja e duhur, këtë gjë do ta tregojnë rezultatet. Por, me ikjen e tij besoj se zgjedhja e Memës ishte e duhura sepse e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar dhe ambientin bardheblu.

Tirana ju mori Memën, mendoni se me të në krye mund t’ju marrë edhe fitoren?

E thashë edhe më lart, fitorja do të jetë e jona. Mema na njeh mjaft mirë si ekip, pasi ka punuar për tre muaj me ne, por nuk besoj se do arrijë të na mposhtë sepse ka pasur shumë pak kohë në dispozicion për të futur idetë e veta te Tirana. I uroj suksese Memës, por jo në këtë ndeshje.

Si është Mema si trajner meqë keni punuar disa muaj me të dhe e keni njohur?

Memën e vlerësoj shumë si trajner dhe person, pasi është tepër i qetë dhe punëtor.

Trajneri Daja ju ka projektuar titullar te Flamurtari, si ndiheni?

Natyrisht që nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Ndihem shumë mirë dhe i jam mirënjohës. I premtoj se do të jap maksimumin tim sa herë që të aktivizohem. E vlerësoj shumë Dajën për faktin se ka shumë dëshirë që t’ju japë hapësirë lojtarëve të rinj dhe atyre vlonjatë.

Deliaj Flamurtari

Ku ndiheni më mirë, në mbrojtje apo në mesfushë?

Më mesfushë ndihem më mirë. Por, jam i gatshëm të jap më të mirën time kudo të më caktojë trajneri, sikundër edhe në mbrojtje.

Rrapo Taho e ka cilësuar mbrojtjen e Flamurtarit si ordinere dhe me gabime amatoreske. Ju jeni i vetmi që vlerëson. Keni diçka për të thënë?

E falënderoj profesor Tahon për vlerësimin, por dua t’i them se në disa raste kemi gabuar të gjithë bashkë te golat e pësuar.

Është për titull ky Flamurtar?

Mendoj se është shumë shpejt për të folur për titullin. Kemi shumë ndeshje akoma në lojë. Duhet t’i marrim me radhë dhe në fund të bëjmë bilancin.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"