Rrëfimi i Mehdi Bushatit: Aleksandër Kondo mund të jetë rrëmbyer në Podgoricë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2017 | 15:30

Rrëfimi i Mehdi Bushatit: Aleksandër Kondo mund të jetë rrëmbyer në Podgoricë

Të ishe në krye të Komitetit të Sporteve gjatë viteve të diktaturës, nuk ishte edhe aq e thjeshtë, kjo sepse duhet të përgjigjeshe për çdo lloj incidenti që ndodhte mes sportistësh. Gjatë viteve që drejtoi këtë organizëm të rëndësishëm, Mehdi Bushati është përballur me situata nga më komplekset, humane dhe politike. Në librin e tij “Një jetë me sportin”, Bushati tregon, ndër të tjera, dhe për një nga ngjarjet më të bujshme të ndodhura para viteve ’90, atë të arratisjes së dy peshëngritësve shqiptarë, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi. Sidomos largimi i Kondos dhe zhdukja e tij misterioze, kujtohet edhe sot.

mehdi bushati stadium

Një ngjarje tronditëse, për të cilën nuk u përjashtua mundësia e rrëmbimit të sportistëve shqiptarë. Një tjetër ngjarje lidhej me “kontrabandën” e televizorëve nga ana e futbollistëve të “Flamurtarit”, të cilët u ndaluan në doganën e Hanit të Hotit. Si u zgjidh kjo situatë e sikletshme, që u bë problem deri në kryeministri.

MEHDI BUSHATI

PESHËNGRITJA, SPORT ELITAR

Kampionati i parë kombëtar i kësaj disipline në vendin tonë u zhvillua në vitin 1949 në Kuçove, e më pas ai ka vijuar të ushtrohet vazhdimisht në kampionate, kupa, spartakiada etj. Në vitet ’80-’90, nga veprimtaritë brenda vendit filluan të dilnin talente te reja me rezultate të larta. Kështu, sportistët që do të linin gjurmë në historinë e këtij sporti, Luan Shabani e Pirro Dhima, filluan të thyenin rekordet kombëtare të të rinjve, që në moshën 15-vjeçare.

Në fillimet e viteve ’80, për peshëngritësin Pirro Dhima u lëshua një leje e posaçme nga federata për të marrë pjesë në garat kombëtare me të rritur, pasi datëlindja e tij nuk e lejonte. Falë pjesëmarrjeve në këto aktivitete për të rritur, ai arriti të thyente të gjitha rekordet kombëtare të kohës, për peshën 75-82 kilogram. Me rëndësi në këtë periudhë ishte prezantimi i vendit tonë në arenën ndërkombëtare rajonale, europiane e më gjerë. Fillimisht, në Ballkaniadën e të rinjve të zhvilluar në Turqi, në vitin 1982, peshëngritësi i ri, por me perspektivë në këtë sport, Agron Haxhihyseni, në peshën 52 kilogram, zuri vendin e parë dhe u shpall kampion Ballkani.

Kurse në shtator të vitit 1982, Shqipëria mori pjesë në Kampionatin Europian dhe Botëror në Lubjanë të Jugosllavisë, midis 27 pjesëmarrësve të kontinentit tonë dhe 47 sportistëve të përfaqësuar në konkurrimin botëror. Vendi ynë në këtë kampionat europian u rendit i dhjeti, nga vendi i pesëmbëdhjetë që kishte mbajtur në konkurrimet e mëparshme. Ndërkaq, në Reims të Francës, më 3-9 maj 1987, në Kampionatin Europian, peshëngritja shqiptare arriti të renditej e pesta midis 27 vendeve pjesëmarrëse, duke hyrë në elitën e vendeve europiane të këtij sporti.

Në turneun europian të zhvilluar në Selanik të Greqisë, në vitin 1988, sportisti Luan Shabani, në peshën 52 kilogram, në dygarësh arriti rezultatin 225 kilogram dhe fitoi medalje ari. Pirro Dhima, në peshën 75 kilogram në shtytje e shkëputje grumbulloi në total 290 kilogram dhe siguroi një tjetër medalje ari. Kurse Ilir Kafarani, në peshën 82 kilogram, u shpall kampion i këtij turneu në dygarësh me 275 kilogram, duke siguruar një tjetër medalje ari për Shqipërinë. Në finalet e Kupës së Europës në Antalia të Turqisë, Shqipëria u përfaqësua nga tre peshëngritësit më të mirë të saj: Pirro Dhima, Luan Shabani dhe Fatmir Bushi.

Ata, me rezultatet e arritura në këtë konkurrim të rëndësishëm ku merrnin pjesë 6 shtetet më të mira në këtë sport, zunë vendin e dytë, pas Bullgarisë, duke lënë pas tyre shtete me emër e shkolla të njohura në peshëngritje, si Turqia, Polonia e Rumania (Bashkimi Sovjetik nuk mori pjesë). Ky ekip drejtohej nga trajnerët me kontribute të veçanta në peshëngritjen tonë, Ferit Berberi e Zef Kovaçi.

ARRATISJA E BUJSHME E DY PESHËNGRITËSVE TANË PAS EUROPIANIT TË POLONISË

Pas mbylljes së Kampionatit Europian të Polonisë, në fund të majit 1985, ekipi kombëtar i peshëngritjes u kthye në Shqipëri. Itinerari i tij përmes linjës hekurudhore ishte Varshavë-BeogradTitograd dhe atje i priste autobusi ynë. Por pikërisht në Titograd (sot Podgoricë) në ndalesën e fundit në Jugosllavi, afër kufirit me Shqipërinë, në mënyrë të papritur ndodhi arratisja e dy peshëngritësve tanë të talentuar, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi. Të interesuar për shkaqet e një ngjarje të tillë të rëndë, në bisedat me anëtarët dhe drejtuesit e delegacionit tonë, na mundonte një pikëpyetje e madhe: Pse ata vendosën të arratiseshin në Titograd?

kondo 1

Kjo, për faktin se ishte mundësia për të kryer më lehtë arratisjen në pjesë të tjera të Jugosllavisë, si në Beograd ku kishin qëndruar për disa orë, apo në pika të tjera ku treni ndalonte gjatë itinerarit. Për më tepër, përgjegjësi i delegacionit dhe presidenti i Federatës, Mihal Qipo, me çudi të madhe shpjegonte se në Beograd të gjithë kishin bërë së bashku Pazar në një qendër të madhe tregtare. Aleksandër Kondo kishte blerë atje artikuj të veçantë dhe disa relikte për të fejuarën e tij në Tiranë. Ndaj ishte e natyrshme që si stafi drejtues, ashtu edhe sportistët, filluan të hidhnin dyshime mbi arratisjen e tyre.

Midis njerëzve të sportit, filloi të lindte edhe mendimi i ndonjë “rrëmbimi” të mundshëm, meqë ishin sportistë të talentuar dhe me perspektivë. Ne ishim shumë të shqetësuar se mos arratisja e tyre do të shihej si vazhdimësi e një akti të ngjashëm që kishte ndodhur pak kohë më parë edhe me dy futbollistët e Vllaznisë, Lulzim Bershenin e Arvid Hoxhën, të cilët u arratisën në Athinë, pas kthimit nga një ndeshje në Kupat e Europës.

Mirëpo, ne duhej të mbronim me çdo kusht sportin në përgjithësi, e peshëngritjen në veçanti nga ndonjë ndëshkim me pasoja të rënda, aq më tepër kur kjo disiplinë kishte arritur nga viti në vit rezultate të larta. Pas një përgatitje shumë serioze lidhur me këtë ngjarje, i raportuam zëvendëskryeministrit Manush Myftiu. Ne, duke përcjellë me kujdes argumentet e “faktet” e grumbulluara nga drejtuesit e delegacionit dhe vetë sportistët e tjerë, me kurajë në fund i paraqitëm edhe versionin tonë, sipas të cilit nuk përjashtohet mundësia e rrëmbimit të dy sportistëve tanë, pasi ishin peshëngritës shumë të talentuar dhe me perspektivë.

Prandaj, mendonim nëse ishte e mundur që t’u kërkohej autoriteteve jugosllave që ta na ndihmonin në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, shkaqet dhe rrethanat e saj, si dhe mundësinë e kthimit të tyre në Shqipëri. Shtrimi i problemit dhe konkluzioni që u ofrua nga ana jonë, me sa duket e bindi udhëheqjen, gjë e cila u pasqyrua në kërkesën që Ministria e Jashtme i drejtoi Ambasadës Jugosllave në Tiranë, mbi ngjarjen e ndodhur në Titograd dhe pretendimet tona. Kjo largoi mundësinë e ndonjë mase ndëshkimore që pritej ndaj sportit, i cili përfundimisht mbeti i paprekur.

FLAMURTARI, PËRSËRI NË KUPAT E EUROPËS Shtator 1987.

Ekipi vlonjat përsëri në Kupat e Europës. Shorti e vuri Flamurtarin përballë me Partizanin e Beogradit, një klub me tradita e kontribute në futbollin e Jugosllavisë të atyre viteve. Ndeshja e parë në Vlorë u mbyll me fitoren 2-0 për Flamurtarin me golat e artë të mbrojtësit shtatlartë e luftarak Rrapo Taho dhe goleadorit të njohur vlonjat, Vasil Ruci. Më 20 shtator 1987, pas dy javësh, u luajt ndeshja e kthimit në Beograd, në një stadium të mbushur plot e përplot ku nuk mungonin edhe tifozët shqiptarë të Kosovës.

Ndeshja përfundoi 2-1 për vendësit, por goli i paharruar i Kushtës, edhe sot pas 30 vitesh, kujtohet sikur të ishte shënuar dje. Një gjuajtje brilante në krahun e majtë të portierit të Partizanit B të Beogradit, aty ku takohen dy shtyllat, ajo horizontale me vertikalen, e kualifikoi ekipin e Flamurtarit në turin tjetër. I paharruar mbetet edhe entuziazmi i tifozëve kosovarë të pranishëm në stadium, por edhe gëzimi i madh që krijoi kualifikimi i Vlorës në Shqipëri dhe jashtë saj.

“KONTRABANDA E ZHURMSHME” E DOGANËS SË HANIT TË HOTIT

Pa u shuar jehona e kualifikimit të bujshëm me Partizanin e Beogradit, vjen informacioni nga Hani i Hotit për kontrabandën e televizorëve “të zbuluar” nga doganierët e kësaj pike kufitare. Menjëherë thirrem nga Manush Myftiu e nisem në pikën doganore. Nga verifikimi paraprak, rezultonte se numri i televizorëve të blerë nuk justifikohej me dietat treditore të marra nga futbollistët. Porosia ishte e prerë, “ndaj abuzuesve nuk duhej të kishte asnjë lëshim”.

flamurtari partizani i beogradit

Zhurma e kontrabandës nga dogana i ishte përcjellë Komitetit të Partisë së rrethit Shkodër, nga këtu, informacioni i kishte kaluar Këshillit të Ministrave e më lart, gjë e cila vështirësonte edhe më shumë “shpëtimin” e futbollistëve vlonjatë. Ne ishim të shqetësuar për situatën e krijuar dhe dëshironim të evitonim çdo lloj ndëshkimi, për të ruajtur të paprekur formacionin e skuadrës së Flamurtarit për ndeshjen e radhës, të turit të dytë të Kupës UEFA.

Atëherë vumë në veprim “mendjen e zemrës”. Duke biseduar me futbollistët vlonjatë për ngjarjen e ndodhur, njëri prej tyre, për t’u justifikuar, më thotë: Unë nuk e bleva televizorin, por ma dhuroi një tifoz kosovar. Justifikimi i futbollistit vlonjat ishte pikënisja e krijimit të një “versioni” të ri, tifozët kosovarë të pranishëm në stadium, pas kualifikimit të Flamurtarit, u kanë dhuruar disa futbollistëve vlonjatë televizorë.

Pas “kundërshtimit” të futbollistëve, ata kishin insistuar që t’i merrnin me “detyrim”, si shpërblim për gëzimin që u kishin dhënë pas kualifikimit të arritur. Në vijim u kishin thënë: “Ju i eliminuat serbët në strofullin e tyre në Beograd. Refuzimi do të ishte ofendimi më i madh që do të na bënit. Nëse nuk do t’i merrni, ne do t’i thyejmë këtu, në sy të serbëve!”. Me këtë “alibi”, u ktheva në Tiranë dhe i raportova shefit tim direkt, Manush Myftiut. Gjatë bisedës i shpjegova me hollësi të gjitha detajet e ngjarjes së ndodhur, se bëhej fjalë për televizorë të thjeshtë, të formatit të vogël, pa ngjyra etj. Por unë, gjithsesi, i dukesha mosbesues. Atëherë iu drejtova Manushit se kjo ishte më shumë një “zhurmë”, sesa e vërtetë.

Nga biseda e zhvilluar me futbollistët unë u besoja thënieve të tyre se ato ishin “dhurata” të tifozëve kosovarë. Dhe në vijim, duke i dhënë një argumentin personal, i thashë se edhe unë, televizorin e vetëm që kam në shtëpinë time do t’ia dhuroja pa asnjë hezitim lojtarëve që na siguruan këtë fitore historike, ndaj një kundërshtari të njohur, siç është Partizani i Beogradit. Më pas, insistimi për të gjetur përgjegjësin e për të dënuar “shkaktarët” e kontrabandës erdhi duke u zbehur dhe si rrjedhojë u parandaluan ndëshkimet e mundshme ndaj futbollistëve të Flamurtarit.

Pas shumë vitesh, më erdhi mirë kur futbollisti Vasil Ruci në emisionin televiziv “Opinion” e konfirmonte këtë ngjarje dhe ndihmën e dhënë ndaj futbollistëve dhe të gjithë klubit Flamurtari, për të kapërcyer situatën pa asnjë pasojë. Jemi më 21 tetor 1987. Flamurtari luan në transfertë për turin e dytë me ekipin Vismut Aue të Gjermanisë Perëndimore dhe humbet ndeshjen e parë me rezultatin 1-0, gol i cili në fakt nuk u shënua nga kundërshtarët, por ishte një autogol i shkaktuar nga Ajazi në minutën e 37-të të ndeshjes.

Pas dy javësh në Vlorë, në takimin e kthimit, ekipi i Flamurtarit fiton 2-0, ku Ruci shënoi golin e kualifikimit në pjesën e dytë. Flamurtari me këtë rezultat kalon në turin e tretë të Kupës UEFA dhe pret shortin me klubin e radhës së këtij konkurrimi. Shorti është i pamëshirshëm. Ai sjell përsëri në Vlorë, pas një viti, Barcelonën elitare. Ndryshe nga një vit më parë, kur spanjollët u kualifikuan me shumë vështirësi përballë Flamurtarit, këtë radhë ata e kishin vlerësuar maksimalisht sfidën. Ndaj ndeshja e parë në Spanjë, në tetor 1987, në “Camp Nou”, mbyllet me fitoren e tyre.

Kurse në Vlorë, Flamurtari realizon një “hakmarrje” të vogël, pasi arrin të fitojë kundër kësaj superfuqie të futbollit europian, 1-0, me gol të Kushtës, të realizuar në minutën e 15-të të takimit. Barcelona kualifikohet edhe në këtë edicion në bazë të golavarazhit më të mirë.

I paharruar do të mbetet për tifozërinë vlonjate dhe atë kombëtare formacioni i Flamurtarit në këto takime: Në portë Lekbello, në mbrojtje P. Ruci-Çipi-Taho-Lushaj, në mesfushë Ferko-Zijai-Gjondeda, në sulm V. Ruci-BubeqiKushta. Me këto përballje në Kupën UEFA, në vitet 1986 dhe 1987, Flamurtari i Vlorës e prezantoi futbollin e klubeve shqiptare me dinjitet të plotë, duke arritur nivelin më të lartë në historinë e këtij konkurrimi të rëndësishëm futbollistik europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"