Rrëfimi i Liçajt: Futbollin e nisa 17 vjeç, ai gol vlen… 20 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2017 | 19:29

Rrëfimi i Liçajt: Futbollin e nisa 17 vjeç, ai gol vlen… 20 milionë euro

Kryevepra e Lejdi Liçajt nuk është edhe aq rastësore. Gjatë karrierës së tij ka realizuar edhe 3 të tillë dhe duket se sekreti qëndron te… kërcimi. Në rini ai është marrë me “breakdance”, ndaj dashur pa dashur ai veprim akrobatik e ka zanafillën te ky zhaner.

flamurtari licaj

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, lojtari i linjës së djathtë rrëfen mesazhin më interesat që i erdhi në telefon pas golit, si edhe faktin që karrierën e ka nisur 17 vjeç. Edhe pse i rritur mjaftueshëm, kjo nuk e ka penguar vlonjatin që të tregojë vlera.

Lejdi, ishte e para herë që realizoje gol të tillë me roveshatë apo ke shënuar edhe më herët?

Të them të drejtën kam shënuar edhe tre gola të tillë. Një e kam shënuar kur luaja me Apoloninë, ndërsa dy të tjerët janë disi më të hershëm, pasi i kam realizuar që kur isha me ekipin e të rinjve.

Pas asaj kryevepre nuk kanë munguar as komplimentet, na zbulo më interesantin?

Komplimentin e parë e mora nga bashkëshortja ime. Ajo ndodhej në tribunë në stadiumin e Lushnjës dhe e ndoqi ndeshjen nga afër.

Meqenëse komentin e bashkëshortes e shmangët, atëherë na thuaj cili ishte mesazhi më i goditur që të erdhi në telefon pas golit?

Mesazhin më të bukur ma dërgoi një shok. Dhe po ua lexoj se çfarë më shkruante: “Të luaje jashtë vendit, do ta kishe vlerën 20 milionë euro me këtë gol” (qesh).

licaj1

Kujt ja dedikon atë gol të bukur?

Golin ia dedikoj presidentit Idrizi që pati besim tek unë dhe më afroi te Flamurtari.

Karrierën si futbollist e ke filluar vonë, cila është CV-ja juaj?

Po është e vërtetë. E kam filluar futbollin në moshën 17-vjeçare. Kam luajtur një vit me të rinjtë. Në ekipin U19 të Flamurtarit shënova 13 gola. Më pas më mori ekipi i parë.

Më pas çfarë ndodhi?

Kam qëndruar një vit, pastaj kalova te Apolonia ku luajta si sulmues. Aty shënova 9 gola për një fazë. Më vonë u dëmtova, por arritëm të ngjiteshim në Superligë. Pastaj kalova përsëri me Flamurtarin, ndërsa gjatë karrierës time jam aktivizuar edhe te Skënderbeu në Korçë, kjo ka ndodhur para se të kaloja në Gjirokastër. Luajta në vijim edhe një fazë me Bylisin, ku dolëm edhe kampion. U ktheva përsëri në Gjirokastër, ku vjet bëmë atë sezon aq të bukur. Tani jam te Flamurtari dhe ndihem shumë mirë.

Cili ishte trajneri i parë i Liçajt?

Trajneri i parë i imi ishte Ardi Bozhani. Ai ishte një trajner mjaft i përgatitur dhe shumë i zgjuar dhe që na trajtonte shumë mirë. Liçaj, ke pasion edhe kërcimin.

E vërtetë që jeni marrë me “Breakdance”?

Po kam kërcyer “Breakdance”. Në atë kohë ishte shumë në modë. Unë stërvitesha me një grup shokësh. Ishte diçka shumë e bukur.

Te Luftëtari ke qenë titullar gjithë sezonin, ndërsa te Flamurtari je në stol. E ke pranuar vetë?

Është e vërtet. Te Luftëtari isha titullar dhe lojtari më me shumë minuta gjatë gjithë vitit. Te Flamurtari momentalisht nuk jam i tillë. Jo se e kam pranuar vetë, se kush është ai lojtar që nuk do të luajë, por është zgjedhje e trajnerit. Është çështje taktike, por unë jam profesionist dhe për këtë paguhem, që të jem i gatshëm dhe të ndihmoj ekipin sa herë do më jepet mundësia. Këtë e kam bërë kudo ku kam qenë dhe jo më për ekipin e qytetit tim dhe ekipin tim të zemrës. Nuk ka rëndësi se sa luaj. Rëndësi ka që të jem i dobishëm dhe i gatshëm dhe të ndihmoj ekipin.

Sa larg mund të shkojë Flamurtari këtë sezon?

Flamurtarin, këtë sezon, e shikoj vetëm te ndeshja e radhës. Na duhet të marrim vetëm maksimumin në çdo ndeshje, pastaj të tjerat vijnë vetë.

Po Luftëtarin ku e shikon?

Luftëtari mendoj se do të mbijetojë këtë sezon. Jam shumë i bindur për këtë sepse ky ekip ka djem dhe një kontingjent shumë të talentuar.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"