Rrëfimi i legjendës Stivën Xherrard: Si më joshën Çelsi, Reali dhe Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 21:55

Rrëfimi i legjendës Stivën Xherrard: Si më joshën Çelsi, Reali dhe Bajerni

Një emblemë e Liverpulit që u bë legjendë e klubit, edhe pse vendosi të mos i tradhtojë kurrë. Stiven Xherrard ka treguar historitë se si klubet kryesore të Europës e kanë joshur për të lënë “Anfield”.

xherard

Duke folur përballë ishshokut të skuadrës, Xhemi Karrager, në “The Greatest Game podcast”, ish-kapiteni i “Reds”- ave zbuloi me detaje se sa herë rivalët e vendosën në radarët e tyre. Momenti më pranë largimit ishte ndoshta në vitin 2005, kur ai dorëzoi një kërkesë transferimi dhe mendoi seriozisht që t’i bashkohej Çelsit. “Duhet ta pranoj pjesën që luajta dhe flirtova me Çelsin dhe egon dhe ftohtësinë që kishte mes meje dhe Benitezit.

Ndoshta me pak më shumë maturi apo përvojë mund ta kishim shmangur atë histori që të mos kishte shkuar aq larg. Por ndoshta më duhet ta bëja këtë me Liverpulin për të kuptuar se çfarë lojtari kishin. Është gjithnjë bukur kur klubet e tjera të vlerësojnë si futbollist. Nuk kam pengje që nuk shkova te Çelsi. Nuk kam asnjë peng. Sepse sot mund ta çoj djalin tim sërish në ‘Anfield’, më ftojnë në akademi për të drejtuar dhe kjo është marrëdhënia që dua të kem me Liverpulin”.

REALI DHE BAJERNI – Por mesfushorin legjendar tentoi ta transferonte edhe Reali i Madridit që i kërkoi të niste një luftë me Liverpulin për të provokuar largimin e tij. “Duke qenë se nuk shkova të luaja për Çelsin e Murinjos, mund të kisha shkuar të luaja te Reali në 2010-ën. Reali donte që unë të nisja një luftë me Liverpulin për t’u larguar.

xherard-roxhers

Kjo ishte e vetmja mënyrë se si mund të ndodhte”. Karrager e ndërpret për t’i kujtuar se pas një fitoreje 4-0 të Liverpulit ndaj Realit, kapiteni Raul iu afrua për ta ftuar: “Do vish te ne”? “Nuk jam i sigurt nëse ishte një plan i tyre, por e pranoj se kishte një flirt të vogël”, shton Xherrard, i cili është joshur edhe nga ideja për të luajtur për Bajernin.

“Pata një dëshirë të madhe për të provuar një aventurë jashtë Anglisë. Pata disa biseda serioze me Shvajnshtaigerin. “Çfarë mendon për Bajernin? Sa klub i madh është Bajerni”? Por pastaj mendoja: ‘Prit një minutë. Ti je kapiteni i Liverpulit, përse të ndryshosh klub? Je me të vërtetë në një klub të madh’. Por nuk e kisha këtë maturi në moshën 24- 25 vjeç. Atë e fitova më vonë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"