Rrëfimi i kosovarit, Besnik Krasniqi: Unë, ‘Dani Alvesh’ i Partizanit që propozoj blerjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2013 | 12:26

Rrëfimi i kosovarit, Besnik Krasniqi: Unë, ‘Dani Alvesh’ i Partizanit që propozoj blerjet

Krasniqi BesnikDani Alvesh i Kosovës mbërriti në Shqipëri”. Kjo ishte një prej shprehjeve që u përdor shumë gjatë verës te klubi i Partizanit. Bëhej fjalë për mbrojtësin e krahut të djathtë, Besnik Krasniqi. Kosovari, që për shumë sezone ka qenë pjesë e Prishtinës, kishte arritur të siguronte një nofkë ideale. Dhe kjo duket se i pëlqen shumë futbollistit. “Këtu në Shqipëri nuk e dinë të gjithë që më quajnë kështu, por mund të them se më pëlqen që në Kosovë më kanë krahasuar me një lojtar si ai”. Sezonin e kaluar me Prishtinën shënoi 14 gola, por te të kuqtë ende nuk ka arritur të realizojë asnjë. Krasniqi shpjegon arsyet dhe flet edhe për ecurinë e skuadrës gjatë fazës së parë.
Si e vlerësoni ecurinë e Partizanit pas fazës së parë të kampionatit?
Në përgjithësi do të thosha se kemi bërë një fazë të parë të mirë. E nisëm kampionatin me fitore dhe arritëm rezultate pozitive javë pas jave. Për të mbërritur te derbi ndaj Tiranës, të cilin e fituam, çka ishte një sukses i madh për Partizanin. Pas këtij momenti, gjërat nuk shkuan siç duhet dhe patëm probleme. Mendoj se janë të kuptueshme për një ekip edhe momentet e vështira. Megjithatë, u rikthyem te fitorja në ndeshjen ndaj Teutës. Ishte një mbyllje e mirë e fazës së parë.
Çfarë ndodhi me skuadrën pas fitores në derbi, duke qenë se pësoi tri humbje radhazi?
Hasëm vështirësi dhe nuk dolëm dot në lojën tonë, sidomos në Lushnjë dhe Korçë. Por, humbja me Vllazninë mendoj se ka qenë e pamerituar. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, duke krijuar raste për të shënuar. Mos harroni, ky është futbolli. Në një garë të gjatë si kampionati ka edhe momente kur ekipet nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe kanë probleme.
Përveç sulmit, që është thënë disa herë se ka probleme, në tri takimet që Partizani u mund, u vu re se edhe mbrojtja kishte probleme. Megjithëse në atë moment, reparti defensiv i skuadrës së kuqe konsiderohej si i 7-ti në Europë, duket se nisi të “çahej”. Çfarë ndodhi me të?
Nuk mendoj se faji është i mbrojtjes. Nëse skuadra nuk ecën mirë në të gjitha repartet, duke nisur nga mbrojtja në sulm, atëherë rezultatet mungojnë. Ishte një moment “jo” për të gjithë skuadrën e Partizanit ato tri humbje. Por, tashmë gjithçka ka kaluar dhe e rëndësishme është që ekipi e ka kaluar atë gjendje dhe jemi gati për startin e fazës së dytë.
Në Kosovë ju kanë konsideruar si Dani Alvesh dhe, për më tepër, sezonin e kaluar keni arritur të shënoni 14 gola. Ndërsa te Partizani ende nuk keni realizuar asnjë gol…
…(qesh) Është e vërtetë që në Kosovë më kanë ngjitur nofkën “Dani Alvesh”, dhe mua më vjen shumë mirë dhe më bëhet qejfi që më krahasojnë me një futbollist si ai. Këtu në Shqipëri nuk e dinë të gjithë këtë fakt, por po e mësojnë javë pas jave. Për sa i përket golave, nuk kam shënuar asnjë, pasi te Partizani kam detyra mbrojtëse dhe nuk dal shumë përpara. Ndërsa te Prishtina ishte më ndryshe.
Keni ndonjë futbollist në Kosovë që mund t’ia sugjeroni Partizanit në merkaton e verës, qoftë mesfushor fantazist apo sulmues, pasi në këto reparte ekipi ka pasur më shumë probleme?
Në Kosovë kam shumë miq e shokë që janë futbollistë mjaft të mirë. Për momentin nuk mund të përmend emra, sepse nuk dëshiroj të krijoj pakënaqësi te shokët e mi, por nëse drejtuesit e Partizanit më kërkojnë që t’u sugjeroj lojtarë, unë jam i gatshëm ta bëj këtë në çdo moment dhe për çdo pozicion në fushë.
Si e vlerësoni sfidën e radhës ndaj Kastriotit?
Sigurisht që duhet të fitojmë, pasi ky është synimi. Megjithatë, nuk duhet që ta marrim lehtë, pasi çdo takim është i vështirë. Kemi ende kohë deri te sfida e radhës dhe kam besim se do të vazhdojmë ecurinë pozitive pas rikthimit te fitorja javën e kaluar.

Ministrja Kodheli te Partizani: Kam qenë tifoze e kësaj skuadre
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka vizituar dje skuadrën e Partizanit dhe ka takuar nga afër futbollistët dhe drejtuesit e klubit te fusha e Shkollës së Bashkuar, ku po zhvillonte seancën stërvitore të radhës. Kreu i dikasterit të Mbrojtjes ka qëndruar për disa minuta me ekipin, në një kohë që të pranishëm kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të klubit, presidenti Gaz Demi dhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Eduard Prodani. Mësohet se klubi i ka bërë dhuratë ministres disa aksesorë me stemën e Partizanit.
Takimi Në lidhje me këtë takim, klubi i kuq ka lëshuar një komunikatë për shtyp. “Sot(dje) pasdite, gjatë një inspektimi në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (ish-Shkolla e Bashkuar), ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, qëndroi për pak çaste edhe pranë fushës së futbollit ku stërvitet skuadra e parë e Partizanit. Në komunikimin me drejtues dhe lojtarë, ministrja u shpreh se ka qenë një adhuruese dhe ndjekëse e Partizanit dhe u sugjeroi futbollistëve që ta vlerësojnë në maksimum fanellën që mbajnë veshur, pasi në breza ajo u ka dhuruar shumë emocione dhe krenari dashamirësve pa fund të kësaj skuadre. Drejtuesit e ekipit e falënderuan ministren për mirëkuptimin dhe dashamirësinë që ka treguar dhe tregon Ministria e Mbrojtjes, duke vënë në dispozicion infrastrukturën sportive për të cilën kjo skuadër aktualisht ka aq shumë nevojë. Në fund, ministrja premtoi se Partizani do të vazhdojë të gjejë mirëkuptim dhe dashamirësi nga Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e saj”, – shkruhet në komunikatën për shtyp të klubit kryeqytetas. Prej disa muajsh, skuadra zhvillon stërvitje te fusha e Shkollës së Bashkuar dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe për klubin, që aktualisht nuk ka një kompleks të vetin stërvitor.

Partizani “peshkon” në Vlorë e Durrës
Megjithëse duhet më shumë se një muaj që të hapet merkatoja e dimrit, drejtuesit e Partizanit kanë nisur të mendojnë që tani për të. Nga burime të sigurta pranë klubit kryeqytetas bëhet e ditur se krerët e “demave” kanë nisur bisedimet me disa lojtarë me peshë të Flamurtarit, Teutës dhe Kukësit. Për momentin nuk bëhen të ditur emrat, por burimet saktësojnë se bëhet fjalë për lojtarë me emër në kampionatin shqiptar dhe që kanë mbajtur peshën kryesore në skuadrat respektive. Gjithçka deri tani është në kuadër të bisedimeve dhe vetëm më vonë mund të mësohet më konkretisht nëse do të ketë ndonjë marrëveshje konkretet apo jo.
BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"