Rrëfimi i ish-portierit Rizvani: Viti e Teutës, e mundim edhe Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2018 | 21:04

Rrëfimi i ish-portierit Rizvani: Viti e Teutës, e mundim edhe Tiranën

Teuta vjen pas dy rezultatesh pozitive dhe dje bregdetarët kanë nisur punën për ndeshjen kundër Tiranës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, flet ish-portieri i “djemve të detit”, Bledian Rizvani, që aktualisht është pjesë e stafit teknik dhe komenton çastet e nervozizmit në Vlorë si dhe për ndeshjen e radhës kundër Tiranës.

shkembi teuta hasanbelliu

Rizvani, vini pas një barazimi me Flamurtarin. A mendoni se ishte rezultat i drejtë për çfarë ekipet dhuruan në 90 minuta?

Vijmë pas një barazimi që mendoj se është në kuadrin e rezultateve pozitive që kemi arritur në këto javë të fundit, të cilat kanë qenë tepër të rëndësishme për ne. Në futboll janë të rëndësishme pikët, sidomos kur arrin t’i marrësh ndaj rivalëve direkt.

Mendoni se goli i Flamurtarit ishte i rregullt?

Personalisht mendoj që vendimet e arbitrit janë të pakthyeshëm dhe nuk kemi pse të qajmë rastet e diskutuara, siç ishte edhe goli i parë i Flamurtarit. Ishte episod që solli atë gol dhe ne nuk kapemi pas tij.

Po goli në fund që solli shumë diskutime?

Nuk ka shumë nevojë për fjalë. Mjafton të rishohësh pamjet dhe të kuptosh që futbollisti vlonjat e mori topin me dorë. Nuk kam dyshim.

Tre rezultate pozitive, sa e rëndësishme është për moralin e ekipit?

Pa dyshim që është shumë e rëndësishme të vazhdosh ecurinë pozitive sepse na ndihmon të forcojmë besimin dhe të vijojmë me moralin e ngritur. Mendoj që është momenti që të vijojmë me rezultatet e duhura.

Si e vlerësoni që në 3 javë është pësuar vetëm 1 gol?

Është statistikë që të kënaq dhe që tregon rritjen tonë, si dhe që kemi punuar fort dhe mirë. Mendoj që puna është shpërblyer. Kemi prapavijë të fortë, me shumë eksperiencë dhe duhej vetëm pak kohë të ambientoheshin me njëri-tjetrin për të dhuruar siguri.

Si është të punosh me një portier që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar dhe ka qenë pjesë e Kombëtares si Hidi?

Është privilegj të punosh me Hidin, i cili është një portier i një niveli të lartë ku të gjithë e njohin se çfarë aftësish ka dhe çfarë i ka dhënë futbollit shqiptarë ndër vite. Ta bën edhe më të lehtë punën. Është shumë i kompletuar.

Katër pikë larg Europës, a i ka mundësitë Teuta ta arrijë?

Unë kam luajtur vetë në 10 sezone dhe kemi arritur katër herë në Europë, por nuk kemi pasur potencialin që ka ky grup për të shkuar shumë larg. Me vazhdueshmërinë dhe ritmin që kemi në këto javët e fundit, mendoj që mund t’ia arrijmë qëllimit.

Tirana nuk po fiton dot dhe s’po kalon një moment të mirë. Mendoni se Teuta do të përfitojë?

Tirana mendoj që ka pasur fatin kundër dhe renditja nuk tregon asgjë në lidhje me cilësitë e asaj skuadre. Kanë bërë ndryshime dhe nuk po kalojnë moment të mirë, por kurrsesi nuk duhet ta nënvlerësojmë. Sidomos kur bëhet fjalë për një kundërshtar si Tirana. Teuta duhet të fokusohet tek aftësitë e saj, duke i vlerësuar të gjitha ndeshjet dhe ekipet njësoj. Vetëm kështu mund të arrijmë që të shkojmë larg.

Nëse skuadra merr barazim përballë Tiranës, do ishit të kënaqur?

Ndaj Tiranës është gjithmonë e vështirë. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse pavarësisht formës që ajo po kalon, ka kualitete në vetvete. Besoj te tri pikët, duhet të shfrytëzojmë momentin tonë.

Si është të punosh me Shkëmbin?

Të punosh me Shkëmbin, është diçka shumë e mirë dhe dua ta falënderoj që më dha mundësinë të jem pjesë e stafit. Këtu çdo gjë është në perfeksion, punohet me shumë dëshirë dhe profesionalizëm. Është një njeri shumë punëtor, i saktë dhe kërkon gjithmonë më të mirën. Kemi një përgatitës si Iris Selimi apo dhe Fraçeskon që plotësojnë më shumë stafin tonë, po ashtu dhe Vrapi. Eksperienca e madhe që ka mbi supe Shkëmbi na ndihmon akoma më shumë në punën tonë që të marrim maksimumin nga kjo skuadër dhe të shkojmë shumë larg. Mendoj që do jetë sezoni ynë.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"