Rrëfimi i ish-fantazistit Bylykbashi: Partizan, të duhet Shkurtaj për titullin! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 21:30

Rrëfimi i ish-fantazistit Bylykbashi: Partizan, të duhet Shkurtaj për titullin! (E PLOTË)

Dorian Bylykbashi ka fituar Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë me fanellën e Partizanit, por jo titullin. Ishkapiteni rikthehet të flasë për të kuqtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se me një golashënues tipik, “demat” do të jenë superfavoritë për titullin në pjesën e dytë të sezonit. Bylykbashi i sugjeron klubit që mes Vasil Shkurtajt dhe Majkëll Ngosë të marrë shërbimet e sulmuesit të Luftëtarit. Ish-fantazisti flet edhe për problematikat e kampionatit aktual, ndërsa komenton edhe situatën e Tiranës.

dorian bylykbashi

A ka diçka që ju ka bërë përshtypje deri më tani në kampionat?

Më duket një kampionat i fortë. Më vjen mirë që Partizani është në vend të parë, por dihet që Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari do të jenë aty. Dua të veçoj Teutën, që është paraqitur shumë mirë. Nuk mungon as cilësia, por më tepër do të theksoja se ka rivalitet. Të them të drejtën kam parë shumë ndeshje këtë sezon, por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje janë stadiumet e zbrazura. Çudi e madhe!

Si e shpjegoni këtë?

Është e pashpjegueshme, sepse, me sa shoh, tifozët janë gjithmonë në ikje nga stadiumet tona. Ndoshta nuk kënaqen me atë që shohin apo kushtet që ofrojnë stadiumet. Nuk di ta specifikoj, por është vërtetë e habitshme. Kur unë luaja futboll, mbaj mend që këtu në Elbasan stadiumi mbushej me afro 13 mijë tifozë. Ndoshta, futbolli i para disa viteve të jepte më shumë kënaqësi. Gjithsesi, ai që është tifoz, duhet ta ndjekë ekipin minimalisht në ndeshjet brenda. Por, as kjo nuk po ndodh.

bylykbashi1

Partizani po kryeson. Ju bind apo i mungon diçka për të fituar titullin?

Partizani ka një ekip kompakt dhe me shumë grintë. Ka disa djem të rinj që japin 120 për qind në fushë. I kam parë të gjitha ndeshjet e tyre këtë sezon dhe për mendimin tim mund t’u duhet vetëm një bomber. Pra, jo sulmues për të mbushur radhët, por një lojtar nuhatës i portës, që mund të të nxjerrë nga situata në çdo moment. Këtë që po them, e tregon edhe kampionati që po bën tashmë Partizani, pasi gola kanë shënuar të gjithë.

Që Partizani mos të ketë probleme te pjesa e finalizimit, i duhet një golashënues. Me një bomber skuadra do të jetë më e lirshme dhe nuk do të jetë më  presioni te lojtarët e rinj që aktivizohen tani në pjesën sulmuese si Bardhi, Mala, Asani, etj. Me më tepër stabilitet te pjesa e shënimit të golave, Partizani është superfavorit për titullin, pasi lojtarët e tjerë që ka, e plotësojnë mrekullisht.

Në këtë periudhë janë lakuar emrat e Shkurtajt që luan te Luftëtari dhe anglezit Ngo te Tirana. A mund t’i përshtaten Partizanit këta dy sulmues?

Me aq sa i njoh të dy, mendoj se Shkurtaj mund t’i bënte më tepër punë, pasi pavarësisht shtatlartësisë që ka, më duket më mirë teknikisht se Ngo.

Te Skënderbeu e ndiejnë veten më të sigurt për titullin, madje duke thënë se Partizani nuk e mban dot presionin deri në fund. Sa ndikon ky aspekt?

Nuk mendoj se ka lidhje kjo. Partizani është ekip legjendar, ndërsa Skënderbeu ka vetëm gjashtë vite skuadër për kreun. Nuk mund të themi se s’mban dot presionin Partizani. Vetëm nëse ky aspekt shikohet me idenë që vitet kalojnë dhe Partizani s’po fiton titullin, atëherë mund të ketë njëfarë ndikimi, por nuk e shoh si faktor.

Profili i një lojtari me tiparet tuaja, tipik fantazisti, duket gjithnjë në zhdukje në klubet e Superiores…?

Nuk kam parë asnjë që ta bëj në mënyrë perfekte rolin e fantazistit ose më saktë të sulmuesit të dytë. Gjithsesi, nga lojtarët e ekipeve të Superiores, më pëlqen mënyra e lojës së Rrocës së Luftëtarit. E kam parë disa ndeshje dhe është vërtet një fantazist i mirë. Skuadrat më tepër kanë lojtarë krahu që janë teknikisht mirë, por është gjë tjetër të organizosh lojën.

Së fundmi diçka për Tiranën, e mendonit që edhe pas kthimit në elitë të endej në zonën e mbijetesës…

Jo. Më vjen realisht shumë keq, pavarësisht se kemi qenë kundërshtarë në fushë. Pa një Tiranë të fortë, Vllazni, Dinamo, Elbasan etj., ta harrojmë se mund të kemi një kampionat të bukur. Pa dashur të ofendoj njeri, por në Superiore ka skuadra pa traditë në futbollin shqiptar. Edhe tifozëria nuk mund të afrohet kur në Superiore ka ekipe ku qytetet e tyre nuk janë shquar kurrë për futboll.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"