Rrëfimi i Ilir Dajës: S’kam sfidë me Shehin, Xhafaj ka të drejtë, por kurrë mos thuaj kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2018 | 18:49

Rrëfimi i Ilir Dajës: S’kam sfidë me Shehin, Xhafaj ka të drejtë, por kurrë mos thuaj kurrë

Ilir Daja nuk përmend titullin, por hapur e thotë se Flamurtari i tij do të shkojë larg këtë sezon. Trajneri, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ka analizuar javët e para të këtij kampionati, merkaton, por edhe Skënderbeun. Nuk ndien emocione për ish-ekipin dhe thekson se nuk ka asnjë “sfidë” mes tij dhe Shehit, megjithatë e vlerëson këtë përballje si një derbi. Numri një i vlonjatëve evidenton se këto 270 minuta kampionati nuk kanë favorit. Nuk kishte si të mos fliste për Alveshin, të cilin, përtej vlerësimit, e këshillon që të ndreqë pasin e fundit dhe shënojë më shumë gola.

ilir daja

Shtatë pikë në tri ndeshje, priste më shumë Daja në këtë start kampionati?

Gjithmonë starti nis me paragjykime, por mendoj se kemi bërë mirë. Me dy transferta dhe një ndeshje brenda dhe sidomos kur dihet se Kukësi dhe Luftëtari kishin filluar përgatitjet shumë herët nga ne prej Kupave të Europës, nisja është e duhura. Veç 7 pikëve, në këto 3 javë kemi instaluar mentalitetin e fituesit dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

Ndeshja me Skënderbeun ju gjen në momentin më të mirë, pasi keni pasur rreth 10 ditë pushim. Do t’jua bëjë më të lehtë misionin ky fakt?

Gjatë viteve të fundit, sfidat midis Flamurtarit dhe Skënderbeut kanë treguar emocione të forta. Prej rivalitetit që kanë pasur, mund të thuhet pa frikë se kjo përballje është kthyer në një derbi. Mendoj se do të vazhdojë të jetë një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie. Mendoj se njohja që unë kam për Skënderbeun është reciproke. Gjërat nuk janë njësoj në një klub, qoftë për mua, qoftë edhe për Skënderbeun tashmë. Është përballja e parë midis nesh dhe Skënderbeut, ndaj filozofia është që ta shikojmë Skënderbeun në manovër gjatë kësaj përballje direkte. Ditët që kemi pasur në dispozicion janë më shumë në favorin tonë, sepse jemi një ekip i ndërtuar rishtazi dhe sa më shumë kohë të kalojmë bashkë, aq më shumë do të na shërbejë për të konsoliduar manovrën.

Trajneri Shehi ka thënë se nuk është një sfidë mes ju të dyve, por ju si mendoni?

Absolutisht, jo. Shehi është në krye të Skënderbeut dhe është trajner që sapo ka filluar karrierën. Edhe për mua nuk është sfidë personale mes nesh, por ndërmjet Flamurtarit dhe Skënderbeut. Nuk ka si të jetë ndryshe.

Në drejtimin tuaj, Skënderbeu u shpall kampion dhe fitoi Kupën e Shqipërisë. A ju emocionon kjo përballje?

Duhet shtuar që, përveçse ishte hera e parë që Skënderbeu dilte kampion dhe fitonte edhe Kupën e Shqipërisë, ishte edhe në katër turet e kaluara në eliminatoret e Kupave të Europës. Ka qenë një periudhë shumë e mirë për mua dhe për Skënderbeun për gjithçka arritëm, por tani jam në një tjetër ekip. Ky është profesioni ynë, unë jam profesionist dhe kam emocione që drejtoj Flamurtarin dhe dua që edhe ekipin tim ta çoj në nivele sa më të mira që të jetë e mundur.

Çfarë do të donit të kishit më shumë nga merakto që u mbyll, apo jeni i kënaqur me kaq?

Një trajner nuk është kurrë i kënaqur nga merkato apo, e thënë ndryshe, me atë që mund ketë në dispozicion. Por gjatë kësaj periudhe kemi qenë shumë intensivë me blerjet e bëra dhe besoj se kemi arritur të krijojmë një grup cilësor, ku pothuajse janë dubluar të gjitha rolet. Kemi afruar edhe lojtarë nga akademia e Flamurtarit, ku ndonjëri shumë shpejt mund të bëhet edhe pjesë e rëndësishme e këtij kontingjenti. Dhe të dhënat nuk i mungojnë për të marrë hapësira. Do të ishte mirë të kishim edhe një tjetër përforcim, por tashmë që është mbyllur merkato, grupi që është në dispozicion duke llogaritur edhe Kalenë pjesë tonën, është i duhuri për vazhdimësinë.

Sa shpresa keni për Kalenë. Mendoni se mund të ketë një federim të shpejtë?

Nuk po zgjatem në përgjigjen e kësaj pyetjeje, pasi çështja “Kale” është në institucionin më të lartë të futbollit dhe presim me qetësi verdiktin që do të japë FIFA në lidhje me këtë problem.

Rikthimin e Danilo Alveshit si e vlerësoni?

Rikthimi i Alvesh është pozitiv për vetë faktin se është një lojtar që e shton kualitetin brenda ekipit, plus ka një njohje me tifozërinë vlonjate. Por, përveç këtyre që tashmë dihen për Alveshin, do të doja që të shkonte më shumë drejt golit dhe pasimit të fundit, pasi një sulmues dhe me këto dy elemente matet cilësia e tij.

Çfarë ju bën përshtypje në këtë kampionat dhe mendoni se nuk ka favorit për titull?

Nuk mund të them që ka një favorit që bën diferencën. Ekipet pak a shumë janë në një nivel të barabartë, por vazhdimësia e kampionatit do të konturojë edhe ekipet që do të jenë pretendente për titullin kampion dhe zonën “Euro”.

Flamurtarin e shikoni pretendent dhe, tashmë që grupi është i plotë, a janë përcaktuar objektivat?

Për të qenë i vërtetë, kemi një grup të mirë dhe besoj që do të bëjmë një kampionat dinjitoz për të arritur edhe ato objektiva që klubi ka. Por, do të thosha edhe tjetrën që ka rëndësi, është rikthimi i mendësisë të të fituarit, pasi nuk duhet të harrojmë që një element i mentalitetit të fituesit është edhe vazhdimësia. Dhe me këtë kontingjent, ne këtë duam të arrijmë. Në këto vitet e fundit kjo ka qenë një nga të metat kryesore të këtij grupi.

Daniel Xhafaj shprehet se Flamurtarin nuk e shikon për titull, por blerjen më të mirë në këto pesë vite shikon ju shikon juve. Cili është komenti juaj?

Danielin e falënderoj për komplimentin që më ka bërë. Ndoshta ka njëfarë të drejtë, pasi për të konturuar një ekip kampion, sigurisht që duhet njëfarë vazhdimësie. Po kurrë nuk duhet thënë kurrë, më mirë të vazhdojmë të punojmë edhe të rregullojmë gjërat që në këto tri javë të para nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Dhe nëse kjo ndodh, theksin kryesor do t’ua japim atyre gjërave pozitive që kemi shfaqur dhe t’i bëjmë në një hark kohor më të madh se në 90 minuta lojë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"