Rrëfimi i Higuain: Fitoj derbin dhe çoj Milanin në Champions, me Ikardin s’kam komunikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 22:28

Rrëfimi i Higuain: Fitoj derbin dhe çoj Milanin në Champions, me Ikardin s’kam komunikim

Nuk rehatohet thjesht një per sonazh si Gonzalo Higuain. Nuk mjaftojnë pyetjet personale apo statistikat, sepse ai nuk del me librin e rekordeve në xhep. “El Pipita” adhuron të flasë për futbollin, por duke i përzier të gjithë elementët e jetës, teksa topi, ashtu si në një ndeshje, është gjithmonë në mes. Nuk ndihet mësues, e aq më pak i aftë të bëjë kapitenin, por kur bëhet fjalë për të ndihmuar ekipin, nuk tërhiqet pas. Sapo nis intervista për “La Gazzetta dello Sport”, Pepe Reina i kalon pranë e nis të bëjë shaka. “Nuk flas dot kur kam përballë atë qerosin”, bën shaka Higuain, i cili brenda një sekonde dhe ribëhet gati për të nisur “pyetësorin”.

higuain

Keni luajtur shumë derbi, Argjentinë, Spanjë, Itali. Si ndiheni përpara atij milanez?

Ngjason me atë të Madridit, megjithatë secili ka shije të veçantë, aq më tepër që ky është i pari me fanellën kuqezi. Pritja ndihet, por jemi të qetë dhe të përqendruar te dëshira për të bërë sa më mirë. Fakti që do të kemi kundër shumicën e “San Siro”-s na motivon edhe më shumë.

Të mos bëjmë lojëra fjalësh. Milanistët presin mrekulli vazhdimisht nga ju…

Mundohem të bëj gjithnjë më të mirën dhe të zbatoj urdhrat e trajnerit. Ndihem në formë dhe dua të shfrytëzoj momentin, falë edhe Gatuzos që propozon një futboll si ai që më pëlqen mua. Uroj të vazhdojmë kështu.

Ju sapo ju shtuat listës së mbështetësve të teknikut. Romanjoli thotë që skuadra do të vdiste për Rinon.

Më se dakord me Alesion. Gatuzo, kur ka diçka, vjen, të sheh në sy dhe ta thotë. Më duket habi që kam luajtur dikur kundër tij, në kohën që isha te Reali. Trajneri po mundohet të marrë më të mirën nga unë dhe e vlerësoj. Skuadra është e gjitha pas tij dhe mos kujtoni se çdo trajner është i tillë. E kam për nder që më stërvit dhe ndihem më i bindur se kurrë që bëra mirë që zgjodha Milanin.

Cili është trajneri, më të cilin jeni ndierë më mirë në karrierë?

Pa dyshim, Sarri. Më bëri të jap maksimumin dhe ashtu po bën edhe Gatuzo. Të dy dallohen për etjen për fitore dhe kjo më pëlqen.

Folët për zgjedhje të duhur. Nuk besoj se e thoni vetëm për trajnerin apo jo?

Milanin e zgjodha për këmbënguljen që shfaqën për të blerë dhe për projektin. Leonardo, Maldini dhe Gatuzo e njohin klubin shumë mirë dhe fondi “Elliott” bëri një sforco të madhe ekonomike për mua. Të gjitha këto aspekte i vlerësoj së tepërmi.

Në verë u fol edhe për Çelsin.

Ishte dëshira e palëve që bëri dallimin. Te Milani më donin të gjithë, në Londër vetëm trajneri…

Gatuzo thotë se kur nuk ju pasojnë, ju shkoni në mesfushë që të merrni ndonjë top, sepse ndryshe acaroheni. Kjo nuk duhet të ndodhë…

Shumë e vërtetë (buzëqesh me ndrojtje). Nuk më pëlqen të rri pa prekur topin për shumë kohë, ndaj, sapo ndiej që mërzitem, shkoj në mesfushë. Tani luajmë më mirë, qëndrojmë më afër dhe ekipi sulmon. E gjitha kjo më mundëson të luaj më pranë portës e të më pasojnë më shumë…

Silvio Berluskoni këmbëngul se nuk ju shërbejnë sa duhet.

Në fillim luanim disi të tërhequr, teksa në tri ndeshjet e fundit kemi shënuar dhjetë herë. Jemi skuadër golash, që tani duhet të mësojmë të mos pësojmë. Është ky aspekti për t’u përmirësuar.

Edhe sepse në ekipin tjetër luan njëfarë Ikardi, që me siguri ia keni dëgjuar emrin…

Në fakt, këtu nuk po luajmë tenis, por futboll. Jemi 11 kundër 11, jo dy sulmues kundër njeri-tjetrit. Në fund fitojnë skuadrat dhe jo lojtari. Prej disa sezonesh, ai po luan mirë, ka shënuar shumë, është i ri dhe mund të përmirësohet. I uroj më të mirën, por ecuria varet nga ai.

Çfarë karakteristike i lakmoni më së shumti?

Goditjet me kokë dhe gjetjen e kohës së ekzekutimit në zonë. Ai është një “vrasës”.

Teorikisht jeni dy sulmues që mund të bashkëjetoni në fushë?

Them se po. Për mua nuk është problem të kem në krah një sulmues tjetër dhe në karrierë kam dhënë prova. Partneri duhet të më përshtatet, ashtu siç bëj edhe unë më të.

Keni raporte jashtë fushë, a flisni ndonjëherë?

Jo, jo, nuk flasim.

Njohja e cilësive të rivalit është një art fisnik. Cili ka qenë idhulli juaj?

Ronaldo, braziliani. Atij i lakmoja gjithçka. Nuk krahasohet me askënd dhe nuk ka asgjë që unë mund ta bëj më mirë se ai. Lojtarët më të talentuar që kam njohur janë Mesi dhe Guti. Leon e njohin të gjithë dhe ka qenë një nder të luaja me të, ndërsa Guti ishte ai që më ka habitur më shumë.

Meqë jemi te sulmuesit, si ju duket afrimi i mundshëm i Ibrahimoviçit?

Këto janë çështje të klubit, por unë adhuroj të zbres në fushë me kampionë dhe ai është i tillë.

Në derbi do të keni përballë De Vrajn dhe Shkrinjarin, si ndiheni?

Dy mbrojtës të fortë, por, siç thashë, është bukur të luash me lojtarë të tillë sepse të motivojnë dhe të shtyjnë të japësh më të mirën, aq më tepër nëse arrin edhe të shënosh.

Naingolan tha se Interi ka më shumë cilësi se Milani. Si replikoni?

Normale të shprehet në këtë mënyrë dhe bën mirë që e thotë sepse gjithkush mbron interesat e klubit të tij. Unë mund të them vetëm se Milani i ka të gjitha mundësitë për të fituar derbin.

Ky është objektivi afatshkurtër? Po ai afatgjatë?

Milani duhet të mundohet të fitojë çdo ndeshje apo turne ku merr pjesë. Synimi im është të çoj ekipin në Champions dhe të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur, duke kërkuar fitoren e Kupës së Italisë dhe Ligës së Europës. Milani ka për detyrë të fitojë sa më shpesh sepse po flasim për klubin që ka fituar më shumë ndeshje në Ligën e Kampioneve. Na e imponon historia: Duhet besuar gjithnjë!

Edhe te titulli Kampion i Italisë?

Për kampionatin na mungon ende diçka sepse është një kompeticion ku kërkohet vazhdimësia. Nëse sot jemi kaq larg Juventusit, ka ndodhur për gabimet tona. Liga e Europës dhe Kupa e Italisë janë turne më të shkurtra dhe duhet të mundohemi t’i fitojmë. Shembuj si Leiçester apo Sevija tregojnë se nëse i bën gjërat si duhet, fitoret arrihen. Ndaj Napolit dhe Atalantës kemi lënë pesë pikë dhe me një ndeshje më pak, ndoshta sot do të ishim katër pikë larg Juves. Nëse besojmë te cilësitë tona, Milani ka një ekip që nuk është inferior ndaj askujt.

A mund të thuhet se raporti juaj me bardhezinjtë u ndërlikua pas Kupës?

Atë ditë ndjeva brenda meje se diçka ishte prishur. Më pas u ble Ronaldo, por vendimi për largim nuk ishte i imi. Kam dhënë gjithçka për atë skuadër, kam fituar tituj, por pas ardhjes së Kristianos, më njoftuan se nuk kishte më vend për mua dhe se po kërkonin një zgjidhje. Zgjidhja më e mirë ishte Milani.

Keni ndjesinë e hakmarrjes ndaj ish-klubit?

Jo, asgjë. Ndiej vetëm ngrohtësi, sepse në Torino më kanë trajtuar shumë mirë, por dua ta theksoj se largimin nuk e kërkova unë. Është siç thonë të gjithë, nga Juvja më përzunë, ndërsa te Milani më pritën me aq shumë dashuri, sa që u binda menjëherë.

A ka ndonjë element të Juves që do ta transferonit te Milani?

Ata shënojnë një gol dhe fitojnë, janë vrastarë. Ne jemi një ekip që e gjejmë shpesh golin, por është e pamendueshme të fitosh gjithnjë 6-3 ose 7-4. Duhet të marrim shembull nga mendësia fituese e tyre në fazën mbrojtëse. Juvja është si makineri lufte dhe të përgatisin pikërisht për të tilla aspekte. Edhe bardhezinjtë ndiejnë presion kur kanë rivalët pranë në renditje, por deri më sot askush nuk ka mundur t’ua rrëmbejë titullin.

Çfarë ju ka mësuar Alegri?

Më ka përmirësuar në mënyrën si të mbrohem e si të shoh portën.

Ardhja te Milani ju bëri mirë. Jeni në formë e madje dukeni më i ri.

Shumë e vërtetë. Këtu sikur më kanë hequr 45 vite nga shpina. Më duket vetja si në kohët e Napolit dhe ndihem i lumtur. “Milanello” dhe futbolli më kanë dhënë një marsh më tepër pas Botërorit. Ishte pikërisht ajo që më nevojitej.

Thonë se jeni në listën e atyre që u ndanë keq me presidentin e Napolit, De Laurentis.

Faj këtu kemi të gjithë Laveci pati probleme, Kavani po ashtu, Sarri ishte ende trajner kur kontraktuan dikë tjetër. Me mua fitoi 90 milionë euro, por shumë njerëz kanë probleme me të dhe për këtë nuk fajësohet ai. Me tifozët e Napolit kam kujtime të shkëlqyera e jam ndjerë shumë mirë për tre vite. Dikur më donin, tani më urrejnë. Mendimin do ta them një ditë, por sot nuk mundem.

Po tek Argjentina çfarë po ndodh?

Asgjë, mendjen e kam te Milani.

Nuk mendoni ndonjëherë për Botërorin “Katar 2022”.

As që e imagjinoj. Botërori është pas katër vjetësh, unë nuk e di çfarë do të bëj nesër.

Meqë jemi te vitet, drejtuesit e Milanit kanë dhënë tre si afat për ringritjen.

Jam këtu e po mendoj të fitoj që këtë sezon, nuk pres dot tre vjet. Duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të fitojmë diçka që këtë vit, sepse Milani i ka mundësisë. Duhet t’u dëshmojmë tifozëve që mund t’u dhurojmë kënaqësi gjatë sezonit.

Fjalë lideri. Thuhet se jeni pritur triumfalisht në ekip.

E vërtetë, megjithatë ndjej keqardhje për renditjen. Pjesa tjetër vijon shumë mirë dhe ndihem në një moment pozitiv të jetës sime.

Nuk keni qenë kurrë kapiten, do t’ju pëlqente?

Nuk më pëlqen ideja, nuk do të mundja. Më pëlqen të ndihmoj ekipin me të gjitha mënyrat, por shiriti ka shumë përgjegjësi.

Kutrone ju konsideron një mjeshtër…

Nuk më duket vetja si mësuesi i askujt. Nëse ai më sheh si shembull, më vjen mirë sepse do të thotë që për një kohë të gjatë në karrierë kam bërë gjëra pozitive. Nëse kontributi im e ndihmon për t’u përmirësuar, ndihem shumë i lumtur.

Inzagi, Sheva, Kakà, janë lojtarë që kanë shënuar në derbin e parë.

Do të ishte bukur të isha pjesë e këtij grupit, por rëndësi ka vetëm fitorja dhe jo kush shënon.

Dy vjet më parë, Suso premtoi rikthim në shtëpi në këmbë nëse fitonte derbin, ju çfarë premtoni?

Qenka lodhur shumë, banon 50 metra larg stadiumit. Unë premtoj tre pikë dhe disa ditë qetësi deri në sfidën ndaj Betisit.

Edhe ju banoni pranë “San Siro”-s, së bashku me bashkëshorten, Laura, dhe vajzën 5-muajshe, Alma.

Për mua familja është gjithçka. Nëse jam ky i sotmi, është falë tyre. Që kur ka lindur vajza, kam ndryshuar shumë, në kuptimin pozitiv të fjalës. Nevrikosem më rrallë dhe mundohem të mos acarohem, por e kam të vështirë sepse kam qenë gjithnjë një tip impulsiv. Unë mundohem, edhe për time bije, që ajo të mos thithë negativitetin që na karakterizon ne të rriturve.

Plotësoni fjalinë. Milani fiton derbin sepse…

… nevojitet për të fituar bindjen se nuk jemi inferiorë ndaj askujt. Nëse do ta kemi këtë qasje, ndeshja do të anojë nga ne.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"