Rrëfimi i Hasan Likës: Vllaznia duhet të marrë shembull nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 23:16

Rrëfimi i Hasan Likës: Vllaznia duhet të marrë shembull nga Tirana

Hasan Lika mendon se me 3-4 af rime, Vllaznia jo vetëm do të ngjitet, por mund të shpallet edhe kampione. Trajneri evidenton se shkodranët duhet të ndjekin modelin e Tiranës në këtë kategori, duke ruajtur një pjesë të mirë të grupit nga sezoni i fundit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së kuqebluve evidenton se skuadra duhet të përforcohet me çdo kusht në qendër të mbrojtjes, por edhe sulm, aty ku rrjedhjet kanë qenë të shumta.

Lika

Keni hyrë në javën e dytë të përgatitjeve, jeni i kënaqur me reagimin e lojtarëve në këto ditë të para?

Mund të them që jam i kënaqur, lojtarët janë stërvitur dhe ky angazhim më jep optimizëm. Por nuk mund të flasim për konsolidim, pasi jemi ende në proces seleksionimi.

Kanë ardhur vetëm lojtarë në provë, por blerje e vërteta mungojnë. Ju shqetëson ky fakt?

E vërtetë. Kanë ardhur disa lojtarë në provë. Një pjesë nuk i kemi pëlqyer, të tjerë pritet të vijnë, por do vazhdojmë të kërkojmë. Duhet të përmirësohemi, pasi kemi realisht nevojë për afrime. Siç dihet, largimet kanë qenë të shumta, ndaj duhet të kompletojmë grupin.

Përtej emrit të madh që Vllaznia ka, a po hasni vështirësi që të bindni lojtarët për të luajtur në Kategorinë e Parë?

Vllaznia mbetet Vllazni. Emri këtij klubi është realisht i madh, përtej kategorisë. Unë shpresoj vetëm se ata futbollistët që do vijnë, të japin maksimumin për këtë ekip.

Do të ndiqni si model Tiranën, që të riktheheni brenda një viti në mesin e më të mirëve?

Pse jo, shembujt pozitiv janë për t’u marrë. Na duhet të punojmë fort. E dimë shumë mirë se do të jetë më shumë se e vështirë. Por në radhë të parë, duhet të ndërtojmë skuadrën ashtu siç duhet, me lojtarë që të japin garanci për ecurinë, pasi deri në këto çaste kemi realisht probleme. Ndaj, do të ishte mirë që të ndiqnim shembullin e Tiranës, e cila shumë shpejt gjeti forcat dhe u ngjit në Superiore, aty ku e ka vendin si Tirana, ashtu e Vllaznia.

Tirana ruajti grupin dhe deri diku edhe Vllaznia po bën të njëjtën gjë. Por ka një ngërç, klubi ende nuk ka rikonfirmuar titullarët?

Një pjesë e mirë e grupit është ruajtur, sikundër e thatë edhe ju. Besoj se ngërçi do të zgjidhet deri ditën e diel, kur do të vendoset edhe vazhdimësia e tyre. Klubi po punon që deri në fundjavë të mbyllë çështjen e rishikimit të kontratave.

Konkretisht, çfarë pret Lika nga kjo merkato?

Pres lojtarë për sulmin, por jo vetëm.

Me sa afrime do të jeni gati për të përballuar sezonin?

Mendoj se 3-4 na duhen për të përforcuar grupin dhe për të arritur ato synime që kemi. Përndryshe, gjërat nuk do të shkonin mirë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, pasi janë larguar të gjithë lojtarët e qendrës së mbrojtjes, jo vetëm në formacion, por edhe ata që kanë qenë të gatshëm në stol. Duhet të sforcohemi, pasi kjo kategori do eksperiencë me bollëk. Pastaj duhet të marrim masat, pasi kampionati është i gjatë, dëmtimet dhe pezullimet janë të pashmangshme. Ndaj them që na duhen edhe alternativa. Këta që janë më bindin, megjithatë akoma jemi ende larg pritshmërive që unë kam.

Keni ndonjë dëshirë konkrete në merkato?

Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë.

Engin Firat deklaroi se kjo Vllazni nuk mund të shpallet kampione. A jeni edhe ju i të njëjtit mendim me drejtorin?

Nëse ka folur në këtë formë, mendoj se e ka pasur vetëm për situatën aktuale. Ne pretendojmë që të realizojmë ngjitjen, kjo është e rëndësishme. Pastaj rrugës, pse jo, mund të shpallemi edhe kampionë.

Domethënë e shihni të mundshëm fitimin e titullit të Kategorisë së Parë?

Nëse plotësohemi në organikë, pse jo. Dhe, besoj se gjithçka do shkojë mbarë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"