Rrëfimi i Fidan Alitit: Partizani nuk e mban presionin, vendi i parë i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 17:43

Rrëfimi i Fidan Alitit: Partizani nuk e mban presionin, vendi i parë i Skënderbeut

Humbja me Laçin tashmë është hedhur pas krahëve dhe në të tilla kushte e gjithë vëmendja është përqendruar në ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit. Me një ndeshje kaq delikate, Skënderbeu është i fokusuar maksimalisht te kjo. Të paktën ky është mendimi i Fidan Alitit, mbrojtësit kosovar të Skënderbeut, që është kthyer në një pikë të rëndësishme në ekip.

Aliti

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Aliti vlerëson kundërshtarin dhe kërkon maksimumin, ndërsa nga ana tjetër nuk shqetësohet aspak për humbjen e vendit të parë. Sipas tij, Partizani nuk është mësuar me kryesimin dhe patjetër që do të gabojë.

Humbja e dytë shkaktohet nga Laçi, a jeni të mërzitur si ekip?

Sigurisht që po. Jemi të mërzitur se ishim në një formë të mirë dhe me një ecuri pozitive dhe normalisht që donim të vijonim kështu. Mërzia u ndie mjaft në dy ditët e para, ndërsa tani kemi lënë gjithçka pas krahëve, pasi duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës që do të luajmë kundër Flamurtarit, ku duhet të rikthehemi te rezultati pozitiv.

Çfarë nuk shkoi në këtë takim, ku erdhi humbja e dytë për Skënderbeun?

Të them të drejtën, fillimin e takimit ndaj Laçit nuk e patëm aspak të mirë dhe kjo më pas vendosi të gjithë rrjedhën e lojës. Nuk hymë në fushë ashtu si do donim të bënim dhe Laçi na ndëshkoi me një gol të shpejtë që në minutat e para. Provuam më pas të ndryshonim rrjedhën e lojës, por Laçi u mbyll i gjithi në zonën e 16 metrave dhe ishte e pamundur për ne që t’i çanim për të shënuar golin e barazimit. Më pas, ashtu shkoi situata, na vjen keq që lamë pikë në këtë takim.

fidan aliti

Këtë javë vjen Flamurtari. Është momenti për t’u rikthyer te fitoret?

Sigurisht që do të mundohemi t’u kthehemi fitoreve në një ndeshje kaq të rëndësishme. Ne kemi më shumë siguri me të mëdhatë dhe na del loja më mirë me këto ekipe sesa me të voglat “në letër”. Këtë e tregojnë edhe përballjet direkte që kemi pasur me to. Por, kjo nuk do të thotë se ndaj Flamurtarit do të jetë një ndeshje e thjeshtë. Duhet të jemi të përqendruar për këtë takim dhe të japim gjithçka në fushë.

Në Korçë vjen Ilir Daja, një njohje e vjetër e Skënderbeut që keni korrur shumë suksese. Një sfidë akoma edhe më e veçantë?

Për Ilir Dajën kam konsideratën dhe respektin maksimal dhe mund të them është një nga trajnerët që vlerësoj më shumë. Do të jetë patjetër një sfidë e veçantë. Dëshiroj për të shumë suksese, por jo nga kjo ndeshje në Korçë, pasi këtu tri pikët i marrim ne.

Keni humbur vendin e parë, tashmë kryeson Partizani…

Po, është e vërtetë. Vetëm se duhet të dini diçka. Vendi i parë ka gjithmonë shumë presion, kryesisht nga ekipet që vijnë pas. Për këtë them se Partizani nuk është mësuar të mbajë këtë presion, ngaqë nuk ka qenë për shumë kohë kryesues. Kjo do të thotë se do të kthehemi ne sërish atje. Kampionati është shumë i gjatë dhe mbi të gjitha shumë i fortë. Për të dalë sa më mirë, ne shohim vetëm punën tonë dhe rrugën tonë pa menduar për të tjerët.

ALiti

Çështja “UEFA” mbetet në KAS. A ndikon zvarritja e këtij vendimi për lojtarët në fushë?

Të thosha tani që nuk e mendojmë aspak apo nuk na intereson do të isha duke gënjyer. Sigurisht që na intereson dhe e kemi shpesh në mendje. Por, e rëndësishme është që ne nuk e mendojmë një gjë të tillë kur hyjmë në fushën e lojës. Në fushë mendojmë vetëm për të luajtur dhe kaq. Më pas është klubi, drejtuesit e klubit që merren me këtë çështje, të cilën urojmë që ta fitojmë ne dhe të vihet në vend drejtësia.

Merkatoja e janarit po afron. A është momenti për një tjetër aventurë jashtë Superiores?

Mendoj se po, tani është momenti për të bërë hapin e madh në karrierë dhe për të provuar një aventurë në kampionatet elitare në Europë. Nuk e di se sa e mundur do të jetë, pasi ende nuk ka gjë zyrtare sa u përket interesimeve. Besoj se është në interesin tim dhe të klubit që të vijë diçka konkrete dhe mbi të gjitha të jetë e pëlqyeshme për të dyja palët.

LLAZI SARO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"