Rrëfehet Vanda: Ikardi një thesar, ja si është si baba

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2018 | 22:58

Rrëfehet Vanda: Ikardi një thesar, ja si është si baba

T’i shënosh katër gola Sampdorias në një ndeshje të vetme duket një vepër ordinere kur sheh fytyrën e tij. Paraqitja madhështore e Mauro Ikardit merr edhe konotacionet e babait superhero që me shpejtë- si hyn në dhomat e zhveshjes, ndërrohet dhe merr për dore femrat e jetës së tij, Vanda, Françeska e Izabela, për t’u nisur në një udhëtim dy-ditor në Paris, në “Disneyland”.

Inter  - Juventus

“Mario është cilësi e sasi, brenda dhe jashtë fushës. Sa dëshiron të jetë në zonën e rreptësisë, aq prezent është edhe në jetën e përditshme”. Fjalët janë të Vandës, bashkëshorte dhe menaxhere e Ikardit, drejtpërdrejt nga Parisi.

Përpara se t’i shënonte 4 gola Sampdorias ndoqët të njëjtën rutinë të mesazheve dhe telefonatave?

Zakonisht më shkruan përpara ndeshjes, më pas e fik celularin. Të dielën në mëngjes e pyeta vetëm nëse i kishte me vete këpucët festive për 100 golat. M’u përgjigj: “Shpresoj t’i vesh më në fund”. E kështu ndodhi në pjesën e dytë, ishte një pasdite e përkryer.

A e mendoni që shënoi 103 në Serinë A dhe 100 me Interin në stadiumin ku nisi gjithçka?

Mbetet gjithmonë i lidhur me Sampdorian, ka ende miq në Xhenova dhe kur kthehemi atje kemi gjithmonë një restorant të besuar. Atje ka nisur të shënojë kur ishte i ri, të dielën shënoi katër gola me shiritin e kapitenit në krah.

Duke qëndruar te Sampi: presidenti Ferrero ka thënë se Mauro shënon kaq shumë sepse jeni ju që e stimuloni… (Qesh)

E njoh Ferreron, unë nuk kam të bëj me golat e tij…

Por, familja e karikon me siguri: si është si baba?

Shumë i pranishëm, dëshiron të organizojë gjithmonë diçka me fëmijët. Kur rikthehet në shtëpi është festë, por problemi i vërtetë është kur niset me skuadrën. Ka një dobësi për vajzat. Zakonisht, megjithatë, luan, sapo mundet, me djemtë dhe shkon të ndjekë Valentinon që porsa ka nisur të luajë me Akademinë e Interit. Sulmues edhe ai; i japim vazhdimisht këshilla për respektin ndaj kundërshtarit.

vanda ikardi

 

Edhe në Gjenovë u mbulua nga vërshëllimat: pritja e tifozëve kundërshtarë e streson?

Jo, nuk e prekin, ai është i ftohtë në fushë. E vërshëllejnë në përpjekje për ta nervozuar.

Çdo gol vlen një hap brenda historisë së Interit?

E kishte synim të 100-in, sepse historia nuk fshihet. E dëshironte edhe për tifozët. Ai është i pari që bën tifo për Interin, ndaj e di mirë se ç’kuptim ka.

Tifozët e Interit do argëtohen ende për një kohë të gjatë me Mauron?

Nuk mund të parashikoj të ardhmen, por mund të them që projekti i familjes Zhang na pëlqen. Kanë dëshirë të rriten dhe të rikthejnë Interin mes klubeve të mëdha.

Kualifikimi në Ligën e Kampioneve, a do jetë vendimtar për të ardhmen e Ikardit me fanellën zikaltër?

Këto vite kemi qëndruar edhe pa Champions…

Por, këtë vit ka premisa për t’u rikthyer, a nuk besoni?

U besoj besëtytnive, preferoj të mos përgjigjem. Por, nuk ka dyshim që do e doja.

Çfarë raporti ka Mauro me Luçiano Spaletin?

Pozitiv, të sinqertë, siç duhet të jetë mes kapitenit dhe trajnerit të skuadrës. Mauro pëlqen shumë të dëgjojë e të mësojë nga persona më ekspertë se ai. Dhe në këtë, Spaleti po e ndihmon të rritet.

Pokeri në Xhenova e konfirmon bomberin më të mirë të Europës?

E thonë statistikat, pa kaluar në diskutime teknike e taktike.

Disa kohë më parë drejtori sportiv, Piero Auzilio, tha se rinovimi do bëhet “në heshtje”. Po e diskutoni?

Mauro bën zhurmë në fushë, atje ku duhet. Të gjithë jemi të qetë lidhur me rinovimin. Disa herë i bëj batutën: çdo ditë që kalon, vlen më shumë. Por, qarkullon qetësi, asnjë tension.

Pra, mund të presim rritjen e klauzolës dhe të pagës?

Rinovimi bëhet për të përmirësuar situatën. Nuk kemi vendosur akoma për kushtet dhe shifrat.

Duke kaluar tek Argjentina: tani Mauro nuk është i grumbulluar për miqësoret, por a beson te Botërori?

E thotë shpesh Mauro, kur flasim mes nesh, që Botërorin duhet ta luajë ai që e meriton. Argjentina ka një sërë sulmuesish të fortë ndaj për t’u thirrur nga trajneri Sampaoli duhet të paraqitet mirë vazhdimisht e të shënojë me rregullsi.

Ikardi mungoi në katër ndeshje radhazi prej dëmtimit: kanë qenë ditë të vështira?

Mendonte gjithmonë për t’u rikthyer atje ku donte, pra në fushë. Kishte ankth, kjo po. Dëshironte të kompensonte mungesën dhe, le të themi, ndaj Sampdorias ia doli…

Në korrik do vijë me të gjitha mundësitë Lautaro Martinez: e njihni?

Jo personalisht, por Mauro është gati t’i japë mirëseardhjen në “Appiano” siç ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve me lojtarët e rinj të Interit.

Kapitulli “gossip”: kohët e fundit iu ka parë të përfshirë ju dhe Marselo Brozoviçin; do vazhdojë në gjyq?

Pa dyshim. Nuk i përgjigjem të gjithëve, gjithë këtyre gjepurave që qarkullojnë nga të marrë. Por, në këtë rast do e vazhdojmë për të mbrojtur familjen tonë.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"