Rrëfehet Spaho: Në Pogradec pësova gola neglizhence, po punoj për të reflektuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2017 | 15:43

Rrëfehet Spaho: Në Pogradec pësova gola neglizhence, po punoj për të reflektuar

Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” flet në lidhje me akuzat e Bylisit dhe dy golat që pësoi në takimin e fundit në Pogradec. Ai hedh poshtë akuzat dhe thotë se golat i ka pësuar për gabimet e veta. Portieri 35-vjeçar shpreson që këto të jenë gabimet e fundit për këtë sezon, pasi është finalja me Bylisin ajo që nuk duhet gabuar. Spaho vlerëson skuadrën ballshiote, duke thënë se ndeshja është e fortë dhe e hapur, pavarësisht se Lushnja duket favorite.

Mikel Spaho

Spaho, pësuat dy gola në Pogradec në harkun kohor të katër minutave, në një kohë që klubi i Bylisit ju ka akuzuar se gjithçka ka qenë e paracaktuar. Si është e vërteta?

E vërteta është se ato gola i kam pësuar për gabimet e mia. Shenjë nënvlerësimi, moskontrolli, apo një moment neglizhence. Ndodh që edhe portieri bën gabime të tilla. E theksoj se golat i kam pësuar në kuadrin sportiv dhe vetëm për gabimet e mia. Për këtë jam i shqetësuar dhe po punoj për të reflektuar. Unë tani jam i përqendruar në stërvitje që të bëj sa më mirë punën time. Çdo diskutim tjetër apo akuzë që hidhet nga Bylis është pa vlerë. Nuk merrem me ata që lëshojnë akuza të kota.

Lushnja mori atë që synonte në Pogradec dhe tani luan për dy rezultate ndaj Bylisit në finale…

Ne u shprehëm që shkonim për rezultatin pozitiv për të pasur dy mundësi në finalen me Bylisin. Nuk e mohoj faktin që jemi favoritë sepse, përveç dy rezultateve, luajmë edhe në fushën tonë. Të tilla kushte të bëjnë të jesh optimist. Mendoj se është një finale, një ndeshje e fundit dhe si e tillë do të jetë e fortë dhe e hapur.

Për shumë lojtarë të Lushnjës dhe Bylisit është rikthimi i finales së dy viteve më parë. Sa ndikon ky fakt?

Është e vërtetë se luajmë në të njëjtat kushte të dy viteve më parë, por në futboll gjërat nuk qëndrojnë në vend. Ato ndryshojnë. Kjo nuk do të thotë që tani do të fitojmë ne. Unë nuk jam supersticioz. Ndeshjen e shikoj sportivisht. Në këtë kuadër po punojmë që të marrim atë që na duhet për të arritur Superioren.

Një ndeshje ku nuk ju lejohen më ato gabime si në Pogradec. Gabimet e mia përfunduan me ndeshjen e Pogradecit. Kjo është ndeshja e fundit dhe përveç punës dhe stërvitjes, që do të bëj deri para ndeshjes, do të vë në punë edhe të gjithë eksperiencën time. Më duhet një 90-minutësh pa pësuar gol dhe jam shumë i motivuar për ta bërë këtë.

E kishit menduar se do të riluanit pas dy viteve një tjetër finale me Bylisin?

Me përjashtim të sezonit të kaluar, Lushnja ka pretenduar çdo vit. Edhe këtë sezon rivalët e tjerë u larguan shpejt. Ajo që është befasuese është se erdhëm në të njëjta kushte të dy viteve më parë. Luajmë në fushën tonë dhe për dy rezultate.

Përse nuk pati rivalë të tjerë për Superioren, sipas jush?

Për arsyen e pikëve. Për shembull, Tomori bëri katër ndeshje shumë të mira ndaj nesh, por mori vetëm një pikë. Për ne nuk ka qenë aspak e lehtë t’i merrnim dhjetë pikë. Unë kam 18 vjet në portë dhe emocionet e fitores së fundit me Tomorin me golin e Sefës në minutën e katërt shtesë nuk i kisha provuar dhe nuk besoj se do t’i përjetoj më. Kështu u krijuan diferencat e pikëve dhe mbetën vetëm dy skuadra.

Mendoni se ndeshja me Bylisin do të rikthejë tifozët e shumtë në stadium?

Unë dua t’u them tifozëve të Lushnjës që ekipi ynë është shumë i mobilizuar, ka shumë dëshirë dhe se kemi shumë besim se do ta kalojmë me sukses.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"