Rrëfehet Shtubina: Arbitrat na e konfirmuan golin, por kthyen mendje pas presionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2017 | 11:59

Rrëfehet Shtubina: Arbitrat na e konfirmuan golin, por kthyen mendje pas presionit

Vllaznia barazoi pa gola ndaj Teutës në stadiumin “Loro Boriçi”, në një ndeshje që u shoqërua me shumë polemika për golin e anuluar të Hebajt, 11-metërshin e humbur, por jo vetëm. Kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, është i mendimit se goli i minutës së 82-të ishte i rregullt.

Shtubina vs Skenderbeu

Në një bisedë për “Panorama Sport”, mesfushori sqaron se çfarë i kanë thënë gjyqtari kryesor, Olsi Sokoli, si dhe ai anësor, Rejdi Avdo, në momentin kur lojtarët e Teutës patën kontestime. Këta të fundit u kërkuan me ngul gjyqtarëve që goli të anulohej për prekje të topit me dorë nga Arsen Hajdari.

“Është e pabesueshme ajo që na ndodhi në ndeshjen ndaj Teutës. Të akordohet një gol dhe të mohohet nga po të njëjtët persona, kjo nuk kishte ndodhur. Në momentin që shënuam dhe gjyqtarët akorduan për gol, ne filluam të festonim. Asnjë nga gjyqtarët nuk e vuri në diskutim se ishte një gol i rregullt. Madje, as prej presionit të bërë fillimisht nga lojtarët e Teutës, gjyqtarët vazhduan, duke konfirmuar se ishte gol i rregullt.

Mund t’ju them se gjyqtari kryesor na tha se goli u akordua dhe duhet të largoheshim, për të mos krijuar tension. Mirëpo, vendimi i marrë më pas ishte shokues për ne. Me sa duket, gjyqtari anësor dhe ai kryesor, ranë pre e presioneve dhe për rrjedhojë ndryshuan mendim. Ky është një absurditet më vete, sesi një vendim ndryshon pas një presioni të ekipit kundërshtar.

Vetë gjyqtari na tha të largoheshim, sepse ishte gol dhe nuk duhet të protestonim. Mirëpo, në momentin që u larguam, presioni i bërë nga lojtarët dhe stafi i Teutës bëri që të ndryshohej vendimi. Kjo ishte absurde dhe nuk më kishte ndodhur ndonjëherë në gjithë këto vite që luaj futboll”, ka thënë fillimisht Shtubina.

SITUATA

Sipas Shtubinës, gjykimi pati ndikim direkt në rezultatin përfundimtar të takimit ndaj Teutës. Mesfushori u bën apel “bluzave të zeza” që të mbajnë drejtësi në ndeshjet e Vllaznisë, pasi sipas tij nuk është hera e parë që ndodh kështu.

“Në takimin me Teutën gjykimi kishte ndikimin e vet. Vendimet e padrejta të arbitrave po ndikojnë tek ecuria jonë. Unë shpresoj që gjykime të tilla të mos na shoqërojnë më në këtë sezon, pasi do të ndikojnë direkt në rezultat. Nuk është hera e parë që ne ndëshkohemi nga të tilla gjykime, por shpresoj që në të ardhmen të mos ketë të tilla vendime”, theksoi kapiteni.

NDESHJA

Mesfushori mendon se ekipi bëri një lojë të mirë ndaj durrsakëve. “Në këtë takim kemi bërë një paraqitje të mirë, edhe pse kemi humbur mundësinë për të kaluar në avantazh që në fillim të takimit. Kemi kërkuar golin deri në fund dhe në tërësi kemi zhvilluar një lojë të mirë, ku duhet të kishim marrë pikët maksimale. Ekipi tregoi edhe një herë se ka vlera, por gjykimi ka lënë shumë për të dëshiruar”, përfundoi prononcimin kapiteni i skuadrës shkodrane.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"