Rrëfehet Sadiku: Kam derdhur lot duke parë Shqipërinë të humbte ashtu, ja si mund të zgjidhet kjo situatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 23:48

Rrëfehet Sadiku: Kam derdhur lot duke parë Shqipërinë të humbte ashtu, ja si mund të zgjidhet kjo situatë

Armando Sadiku nuk ishte i pranishëm në Kombëtare për shkak dëmtimi, në ndeshjet e nëntorit, por në një intervistë për Supersport, tregon vuajtjet që ka përjetuar duke parë këtë moment të vështirë të ekipit përfaqësues.

sadiku

DËMTIMI – “Kam rreth tre muaj që po bëj fizioterapi, po përmirësoj gjendjen dhe në dhjetor do filloj të punoj me topin, që të jem gati për ekipin”

NDAJ SKOCISË – “Ndaj Skocisë nuk isha në fushë, por edhe po të isha aty mendoj se do të ishte një nga më të dobëtat në karrierën time. Jam përlotur duke e parë, që gjithë atë që kemi ndërtuar në këto vite, të pësosh një humbje të tillë.”

EKIPI – “Kam rregullisht kontakte me të gjithë ekipin, me lojtarët më të vjetër, që kemi qenë gjithmonë në Kombëtare. Pas ndeshjes me Skocisë, vetëm i kam ngushëlluar. I kam dërguar një mesazh, ku i shkruaja: Mos u mërzisni, kohë më të mira do të vijnë. Duhet të jemi gjithmonë pozitivë. Gjërat duhen marrë me qetësi dhe nuk duhet drejtuar gishti vetëm nga trajneri. Nuk është fundi i botës që nuk u kualifikuam në Ligën e Kombeve. Nuk i bëjmë mirë askujt vetëm duke akuzuar”.

ZGJIDHJA – “Në këto momente, i gjithë ekipi duhet të mblidhet më tepër se kurrë. Të flasë për shumë orë dhe të zgjidhë problemet. Kështu bëmë para ndeshjes me Izraelin, ku më pas arritëm të fitonim 3-0 vitin e kaluar. Kjo do të ishte mënyra më e mirë. Do ti kërkoja lojtarëve më të rinj që të japin 120 për qind nga vetja e tyre, ashtu si kemi bërë të gjithë kur kemi veshur atë fanellë. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"