Rrëfehet Rexhinaldo: Meritonim fitore 3-0 ndaj Torpedos, jemi gati për titullin
Sulmuesi Arturo Rexhinaldo ishte heroi i Kukësit në fitoren e djeshme ndaj Torpedos, por dy golat e tij nuk mjaftuan për kualifikimin. 28-vjeçari që u bë i njohur në kampionatin shqiptar me fanellën e Luftëtarit, e më pas me Laçin, ku mbylli kampionatin me 18 gola, në bisedën pas ndeshjes së djeshme për “Panorama Sport” shprehu keqardhjen për mundësinë artë që iu iku nga duart Kukësit.
Ai theksoi se ndeshja e parë ishte përcaktuese, teksa golat e pësuar në Tbilisi ndikuan direkt në kualifikimin e Torpedos. “Më vjen shumë keq që u eliminuam në këtë mënyrë, sepse luajtëm shumë mirë, por nuk arritëm të shënojmë dot 3 gola që të kalonim më tej. Tani nuk kemi çfarë të bëjmë më”, deklaroi fillimisht Rexhinaldo, i cili në aspektin personal ndihet mirë për këtë start me Kukësin. “Sa për golat natyrisht që jam i kënaqur, por do të preferoja të shkonim më tej në Europa Ligë. Tani na mbetet të shikojmë përpara për kampionatin.
Më vjen shumë keq që aventura jonë u mbyll këtu. Ndeshja e parë na ka prishur punë, pasi realisht jemi dëmtuar nga golat e shumtë që pësuam atje”, theksoi sulmuesi. Në fund, ai flet edhe për kampionatin, ku dy ditë më pas, Kukësi do të përballet ndaj Laçit, pikërisht në “Elbasan Arena”. Rexhinaldo rigjen ish-ekipin që në startin e kampionatit. “Kukësi ka qenë gjithmonë pretendent për titull, që kur unë kam ardhur në Shqipëri.
Me këtë ekip që kemi, do të futemi në kampionat për ta fituar atë. Është vetëm fillimi, akoma nuk kemi nisur, por shpresoj ta fillojmë mirë. Do i marrim ndeshjet një e nga një, që nga ajo me Laçin. Jam i kënaqur që do të ritakoj shokët, por këtë herë si kundërshtarë”, përfundoi mozambikasi, i cili pritet të udhëheqë sulmin e Kukësit në sezonin e ri. Sot skuadra me shumë mundësi do të pushojë, në një kohë që ka vetëm një ditë kohë për të përgatitur takimin e kampionatit. Të gjithë lojtarët janë gati për Cungun, por duhet sqaruar edhe çështja e kontratave me ata që u ka përfunduar.
S.Sulozeqi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"