Rrëfehet presidenti Qarri: Kamza do jetë super, por duhet ndihma e Bashkisë. FSHF të na falë fushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 20:58

Rrëfehet presidenti Qarri: Kamza do jetë super, por duhet ndihma e Bashkisë. FSHF të na falë fushën

Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, deklaron se ekipi i tij do të bëjë surpriza këtë sezon. Sipas Qarrit, me lojën që zhvilloi kundër ekipit të Tiranës, Kamza tregoi edhe një herë se ekipet e mëdha e pretendete për titullin, nuk do ta kenë të lehtë kundër saj.

Devolli qarri

“Vërtet e nisëm mbarë dhe me tri pikë. Fillimisht isha disi i dyshimtë kur pashë kalendarin e ndeshjeve, duke qenë se dy takimet e para i kishim me skuadrat e kryeqytetit. Por, gjatë kohës pas hedhjes së kalendarit e deri në ditën e ndeshjes, ne jemi “zhytur” në merkato, duke ndërtuar një skuadër mjaft cilësore. Takimi me Tiranën nuk ishte thjesht rastësi. Nëse e keni parë ndeshjen, skuadra jonë e mbajti nën presion Tiranën gjatë gjithë kohës dhe e merituam fitoren, pavarësisht se ajo erdhi në fundin e takimit, duke nderuar mundin e djersën e këtyre “luanëve të fushës”.

Sigurisht, që oreksi do të na vijë, duke fituar. Për pretendimet apo mbi atë objektiv të fillimit, i cili është qëndrimi në Superligë është shpejt për të folur. Dijeni se ky kampionat do të ketë mjaft surpriza për Kamzën”, tha në fillim Qarri. Këtë fundjavë kamzalinjtë do të presin Partizanin, por kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, për shkak të dënimit me 4 takime pa spektatorë, i marrë sezonin e shkuar. Një dënim që është kontestuar vazhdimisht nga klubi. Është i pashpjegueshëm fakti, që për një bidon uji të hedhur në fushë, dënimi të jetë dënimi maksimal.

“Ne kemi kundërshtuar verdiktin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe kemi ankimuar vendimin për të ulur ose për të hequr dënimin e 4 ndeshjeve pa tifozë. Është mjaft i rëndë dhe na kushton shumë, jo vetëm nga mbështetja e skuadrës, por edhe nga ana financiare, sepse nga shtimi i tifozërisë në stadium, mendojmë të nxjerrim të paktën të ardhurat për të paguar stjuartët e ndeshjes. Prandaj, me këtë rast i lutemi edhe një herë FSHF-së dhe presidentit Armand Duka, që të na hiqet ky dënim, sidomos në ndeshjen me Partizanin, ku pritet të jenë në stadium një numër i madh tifozësh”, lutet presidenti Naim Qarri.

Numri një i kamzalinjve ka edhe një thirrje për Bashkinë Kamzë. “Mund të them me plot bindje se ndihmesa e bashkisë asnjëherë nuk na ka munguar. Ajo ka qenë prezente në çdo sezon, besoj dhe këtë sezon do të jetë me ne. Edhe vitin që shkoi ajo ishte protagoniste që skuadra të mbijetonte, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm financiar. Gjithnjë, bashkëpunimi midis dy pjesëve donatore të klubit është i nevojshëm dhe ndihmesa e Bashkisë ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Ne kërkojmë medoemos ndihmën e këtij institucioni.

Kjo ndihmesë duhet të vazhdojë, që ecuria e klubit të mos mbyllet vetëm në pretendimin për të mbijetuar, por të shtohen kërkesat ndaj stafit teknik për të dhënë më shumë e për t’u renditur mes ekipeve më të mira. Me këtë rast dua të falënderoj kryebashkiakun Mziu për kontributin e çmueshëm që ka dhënë për klubin e Kamzës. Uroj që bashkëpunimi mes nesh të jetë maksimal. Klubi e ka të nevojshëm ndihmesën e Bashkisë. Uroj që ky vit të jetë i mbarë për Kamzën. Të na nderojë për punën, djersën dhe shpenzimet që ne kemi bërë deri më tani. Jam i kënaqur me ardhjen e lojtarëve, pavarësisht se koha nuk ka qenë e favorshme”, ka mbyllur drejtuesi kryesor i ekipit të Kamzës, Naim Qarri.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"