Rrëfehet portieri shqiptar: Si u trukua ndeshja me Barcelonën B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2017 | 23:12

Rrëfehet portieri shqiptar: Si u trukua ndeshja me Barcelonën B

Ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave me Shqipërinë dhe gjithashtu ka rezerva për mosaktivizimin, por ndërkohë diçka të tillë e ka provuar edhe në skuadrën e tij në Spanjë. Alesio Abibi, në një intervistë për “Panorama Sport”, rrëfen çfarë ka ndodhur përpara ndeshjes me Barcelonën B, por edhe urdhrat që kanë marrë disa nga lojtarët e Eldenses në lidhje me rezultatin e kësaj sfide.

Gjatë fjalës së tij, ai deklaron se rivali i tij në portë luan pa të drejtë, për shkak se babai i tij ka ndikim financiar te drejtuesit. Portieri shqiptar gjithashtu ka pretendime për zgjedhjet e Altin Lalës në periudhën kur ky i fundit nuk i ka dhënë asnjë minutë shans në Europianin e Kombëtares U-19 në Portugali.

Alesio Abibi kombetarja

Alesio, çfarë ndodhi në ndeshjen kundër Barcelonës B?

Ndeshja ka qenë e shitur nga disa lojtarë.

Ku e bazoni këtë akuzë, e dëgjuat në dhomat e zhveshjes?

Ishim në dyshim që dy ndeshje më parë. Pas ndeshjes, tek autobusi ynë erdhën dy persona të revoltuar me disa nga lojtarët tanë për shkak se kishin shkëmbyer mesazhe mes tyre për rezultatin e ndeshjes. Në Barcelonë, sapo mbaroi ndeshja, një tjetër lojtar i ekipit tonë doli publikisht në mediat lokale dhe akuzoi haptazi se ndeshja ishte shitur.

Çfarë ndodhi më pas?

Mbrëmë (të hënën në mbrëmje) organet kompetente nisën hetimet, madje disa hetues morën në pyetje trajnerin dhe disa lojtarë.

Çfarë do të ndodhë me ju personalisht në këtë ekip?

Nuk e di ende se çfarë do të ndodhë, nëse është shkrirë apo jo. Unë kam kontratë deri në qershor dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Ka akoma gjashtë ndeshje. Në rast se do të vazhdojë kampionati, babai i portierit në fjalë nuk do të ketë më fuqi në klub dhe shpresoj të rifitoj me punë vendin tim të titullarit dhe ta tregoj që jam më i vlefshëm.

Çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes në pushim të kësaj ndeshjeje?

Unë nuk isha i grumbulluar për këtë takim, i vetmi që nuk kam qenë pjesë e ekipit që nga momenti kur i jam bashkuar. Për këtë, pyeta trajnerin pse kishte ndodhur kjo gjë dhe më tha se lista ishte ndryshuar nga drejtori i ekipit vetëm gjysmë ore përpara nisjes së ndeshjes.

Ju jeni portier titullar i Eldenses?

Unë kam ardhur në këtë skuadër për të luajtur si titullar, por pasi firmosa mësova se portieri tjetër duhet të luante patjetër sepse i ati i tij ishte biznesmen që po ndihmonte financiarisht drejtorin e klubit. Në lidhje me këtë, kanë reaguar edhe tifozë të ekipit apo edhe lojtarë të ndryshëm që në emisione sportive në mediat lokale e kanë ngritur si problem mosaktivizimin tim.

Për të qëndruar te ndeshja, a dallohej se cili prej lojtarëve nuk po angazhohej maksimalisht?

Mos më kërkoni të ngre akuza për lojtarë të caktuar, pasi për këtë kanë nisur hetime nga policia dhe besoj se shumë shpejt do të zbardhen faktet. Në atë ndeshje, edhe portieri edhe mbrojtësit bënë shumë gabime.

Alesio Abibi skeda

Keni qenë pjesë e Kombëtares U-19 në të shkuarën…

Po, kam qenë i grumbulluar disa herë në Kombëtaren U-17, U-18 dhe U-19. Kam qenë pjesë e kësaj të fundit në Europianin e zhvilluar në Portugali dhe të vishja fanellën e Shqipërisë për mua ka qenë kënaqësi e veçantë. Pavarësisht se unë kam lindur në Itali, familja ime më ka ushqyer gjithmonë ndjenjën e patriotizmit për kombin tonë.

Më duhet të them se edhe në Kombëtare ka pasur raste që trajnerët nuk kanë bërë gjithmonë zgjedhje të drejta. I referohem sidomos rastit në Europianin e zhvilluar në Portugali, ku edhe pse ne ishim të skualifikuar, trajneri Altin Lala nuk më aktivizoi në asnjë minutë gjatë tre takimeve. Megjithatë, unë jam krenar që kam përfaqësuar vendin e të parëve të mi dhe atdheun tim dhe pres që edhe në të ardhmen të kem ftesë. Shpresoj që në të ardhmen të kem gjithashtu ftesë nga Kombëtarja Shpresa U-21.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"