Rrëfehet Pejiç: Skënderbeu më bëri ofertë, Partizani më kërkoi të prisja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2016 | 18:05

Rrëfehet Pejiç: Skënderbeu më bëri ofertë, Partizani më kërkoi të prisja

Pero Pejiç mendon se ka gjetur një Kukës shumë më të fortë dhe që jep garanci për titullin kampion.

pejicGoditja e klubit verilindor në merkaton e verës rrëfeu dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” rikthimin te Kukësi, atë që e bindi më shumë dhe ofertat që ka pasur nga klubet e tjera të Superiores.

Ai premton se do të shënojë sërish shumë gola, ashtu siç bëri në sezonin 2014-2015, kur dhe mori “Këpucën e Artë”.

Pero, u bëtë sërish pjesë e Kukësit. Çfarë ju bindi të riktheheshit?

Së pari, jam i kënaqur që u riktheva te Kukësi. Kur kam qenë para dy sezonesh, bëmë një paraqitje mjaft të mirë, por, për fat të keq, në javët e fundit e humbëm kampionatin.

Mua më kanë trajtuar me respekt te Kukësi, si presidenti, drejtuesit e tjerë dhe tifozët. Unë kam mbresa nga ky klub, prandaj dhe pranova të rikthehesha. Edhe unë njëlloj i kam respektuar të gjithë në këtë skuadër.

Nga cili klub tjetër i Kategorisë Superiore patët një ofertë konkrete, para se të zgjidhnit Kukësin?

Nga Vllaznia, Partizani dhe Skënderbeu. Nga Partizani nuk më thanë asgjë për sa i përket anës financiare, por më bënë të ditur se duhet të pres përfundimin e angazhimit të klubit në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, unë firmosa për një sezon me Kukësin.

Në ditën e prezantimit tuaj, bashkëshortja u përfshi në një aksident në Tiranë. Çfarë menduat?

Më falni, por nuk dua të flas fare për këtë çështje.

Ju keni zhvilluar seancat e para stërvitore, çfarë ndryshimesh shikoni tashmë në skuadër?

Kam dy ditë që stërvitem dhe pashë që kemi lojtarë dhe skuadër shumë cilësore. Më ngroh fakti që kemi ekip të mirë dhe kjo është e rëndësishme, sepse jemi gati të luftojmë për trofe.

Besoni se ky do të jetë viti i titullit?

Unë jam profesionist dhe futem në garë për të shënuar dhe për të fituar. Është e njëjta gjë edhe për skuadrën. Natyrisht që ka rivalitet, pasi edhe ekipet e tjera janë përforcuar mjaft. Mund të them që Kukësi, si çdo vit, do të tentojë titullin. Pastaj çdo gjë do të shihet gjatë rrugës.

I keni vendosur ndonjë objektiv vetes se sa gola duhet të shënoni këtë sezon?

Unë do të jap më të mirën time dhe do të përpiqem që të arrijmë rezultate duke shënuar sa më shumë gola. Jam i lumtur që kemi ekip të mirë dhe kjo është e rëndësishme për një sulmues, pasi ai ka nevojë për skuadrën që të shënojë gola. Një sulmues duhet të shënojë, por kur ai ka një ekip jo të mirë, është shumë e vështirë. Te Kukësi unë shpresoj që të fitoj sërish “Këpucën e Artë”. Nuk mund të them numra, por do të përpiqem me çdo kusht të shënoj e të jem kryegolashënues.

A ju ka bërë përshtypje fakti që në këtë edicion Skënderbeu u dënua nga UEFA dhe në Champions luajti Partizani…?

E kam lexuar në gazeta që Skënderbeu u përjashtua nga Kupat e Europës. Por nuk kam ndonjë koment në lidhje me këtë, pasi janë institucionet kompetente që duhet të flasin. Sa i përket Partizanit, mendoj se ka një ekip të mirë dhe ata e kanë treguar veten në këto 2-3 vitet e fundit. Po ecin mirë edhe në Europë, sepse vërtet luajnë mirë. Besoj se do të kemi një garë mjaft interesante me Partizanin në kampionat.

Nga Irani në Shqipëri, na flisni për ndryshimet.

Ka ndryshim të madh, pasi skuadra ku unë luaja ishte 100% profesioniste. Kampionati është shumë i fortë, stadiumet janë plot me njerëz. Imagjinoni, kur ne luajtëm në derbi kundër Persepolis, ishin 120 mijë tifozë që na ndiqnin. Pastaj, atje paguajnë shumë herë më tepër se në Shqipëri. Ku paguhet më mirë, edhe liga është më e fortë.

Çfarë prisni në këtë kampionat, më shumë rivalitet apo jo?

Unë e njoh mirë kampionatin shqiptar dhe duhet pranuar se në këto vitet e fundit niveli është rritur, pasi skuadrat janë forcuar. Madje edhe ato ekipe që kanë më pak buxhet, luajnë fort, ndaj dhe gara është bërë interesante. Gjithsesi, mbetet për t’u parë, por besoj se do të jetë një kampionat shumë i fortë dhe i paparashikueshëm.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"