Nexhipi: Ju tregoj pengun tim të madh me Starovën (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2016 | 10:58

Nexhipi: Ju tregoj pengun tim të madh me Starovën (FOTO)

Ish-kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi, gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Koha” në Maqedoni, ka përshkruar gjithë hapat e tij si futbollist profesionist, nga mosha 16 vjeç dhe deri më sot kur luan me Shkëndijën e Tetovës.nexhipi starovaPa dyshim në rrëfimin e Nexhipit hapësirë ka zënë edhe Partizani, por është larguar me një peng nga “demat”, që ka lidhje me një konsideratë të ish-trajnerit Sulejman Starova. Ndonëse ka luajtur në disa shtete, eksperiencën në Shqipëri e konsideron më të mirën dhe të paharrueshmen.

Nderim, jeni një futbollist i famshëm për futbolldashësit shqiptarë. Deri më tani keni luajtur në 10 klube të ndryshme europiane dhe vendore. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Është e vërtetë që kam luajtur për 10. Hapat e parë i kam nisur në moshën 7-vjeçare te Shkupi (ish-Slloga Jugomagnat). Aty i kam kaluar gjitha kategoritë deri në moshën 15-vjeçare kur në vitin 2000 trajneri i atëhershëm Gjore Jovanovski më inkuadroi me ekipin e parë. Asokohe Slloga (tani Shkupi) ishte ekipi numër një në Maqedoni, kishte legjendat e futbollit si: Nexhmedin Memedi, vëllezërit Beganoviç, Argjend Beqiri dhe shumë të tjerë. M’u dha rasti në moshë të re të stërvitem me ekipin e parë, kurse 16 vjeç debutova me ekipin e parë. Pata një fillim të mirë të karrierës, siç e ëndërron ndoshta një futbollist. Në moshë shumë të re kalova te Herta Berlini në Gjermani dhe në vazhdim ndryshova edhe shumë klube të tjera.

Të ndalemi te Herta, pasi ky ishte klubi i parë i huaj. Na tregoni si u ndiet kur mbërritët për herë të parë në Berlin?

Isha 16 vjeç kur u transferova te Herta. Gjithçka ndodhi kur me përfaqësuesen e Maqedonisë U-21 luajta një ndeshje në Bullgari. Aty më panë skautët e Hertës dhe pas kësaj ndeshje më ftuan në testime. Asokohe Herta (viti 2001) ishte një ekip shumë i fortë dhe luante në grupet e Ligës së Kampionëve. Kisha nderin që të isha në mesin e këtyre futbollistëve. Të them të drejtën, fillimisht kam menduar se do të stërvitem me të rinjtë e këtij ekipi, por kur shkova atje më priti Fali Ramadani, menaxheri, i cili organizoi çdo gjë. Kur shkova në stërvitjen e parë u mahnita nga ambientet e klubit. Isha aq i mirë sa menjëherë pas përfundimit të saj ata vendosën që të më angazhojnë, kuptohet me kontributin e Fali Ramadanit.foto

Megjithatë, nuk arritët të qëndronit shumë në këtë klub, luajtët vetëm 12 ndeshje dhe shënuat gol…

Isha shumë i ri dhe dallimi mes futbollit të Maqedonisë dhe Bundesligës gjermane ishte shumë i madh. Një gjë që më vjen keq është se nuk arrita të futesha në ritmin e stërvitjeve të tyre. Përsëris isha shumë i ri, pasi intensiteti i stërvitjeve dallonte me ato që unë i zhvilloja derisa isha pjesë e Shkupit. Si rezultat i kësaj, një ditë para se të bëja rekord si futbollisti më i ri në Bundesligë, vetëm 17 vjeç (rekordin e mbante Santa Kruz, 17 vjeç e 5 muaj), pra një ditë para ndeshjes me Borusian e Dortmundit, unë u lëndova dhe nuk arrita të debutoja. Këputa ligamentet e gjurit dhe nuk kisha fat. Më dërguan te mjeku më i mirë në botë, në Kolorado, por, për shkak të moshës së re, mjeku nuk vendosi të më ndryshojë ligamentin. Ai vendosi të më stimulonte, gjë që rezultoi më vonë si vendim i gabuar, pasi në dy vitet e ardhshme kisha probleme të vazhdueshme. Kjo ishte arsyeja që unë nuk arrita të debutoja në Bundesligë.

Aventurën në Gjermani e vazhduat te Volfsburgu, por edhe këtu nuk qëndruat shumë…

Pas largimit nga Herta, me kërkesë të trajnerit Jurgen Reber, u transferova te Volfsburgu. Në fakt, në vitin 2003, drejtuesit e klubit më ofruan kontratë të re 5-vjeçare, por në bisedim me menaxherin Fali Ramadani vendosëm që të shkoja te Volfsburgu. Në këtë kohë unë kisha probleme të vazhdueshme me gjurin pas asaj ndërhyrje jo të mirë. Edhe këtu më ndodhi i njëjti problem, ku para se të debutoja me përfaqësuesen e Maqedonisë, pësova një lëndim dhe u desh t’i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjike. Vetëm kësaj here u bë si duhet dhe prej atëherë e deri më sot nuk kam probleme. Pastaj ishte ajo periudha 6-mujore që pushova për shkak të lëndimit, ndërsa kur u ktheva te Jurgen Reber nuk ishte më trajner i ekipit, ndërsa trajneri i ri kishte plane të tjera.

Më pas, në vitin 2004, ndodhi ajo që askush s’e kishte pritur. U rikthyet te Shkupi, klub nga i cili filluat karrierën europiane…

Pas asaj periudhe jo të mirë në Gjermani dhe mungesës së fatit, vendosa të rikthehem në Maqedoni, te Shkupi. Mirëpo skuadra kishte probleme, pasi nuk ishte Slloga (Shkupi) i dikurshëm, kishte probleme financiare dhe ishte ajo kohë kur u largua nga kategoria e parë. Nuk qëndrova shumë dhe me kërkesë të Gjore Jovanovskit, i cili ishte trajner i Rabotniçkit, u transferova në këtë klub.Nexhipi-guerrils-700x386

Pas Rabotniçkit, u transferuat te Lirs në Belgjikë…

Pas rikthimit nga Gjermania, shumica ishin skeptikë se do të mund të rikthehesha. Por në fakt ndodhi një rikthim i madh, ku me punë dhe përkushtim arrita që në moshën 22-vjeçare të bëhem kapiten i këtij ekipi. U shpallëm dy herë kampionë dhe dy herë fituam Kupën dhe ishim pjesëmarrës në ndeshjet kualifikuese në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës. Në këto dy kompeticione na ndante një ndeshje nga pjesëmarrja në grupe. Si rezultat i kësaj, në klub vinin shumë oferta, por presidenti i atëhershëm, Kosta Kostovski, nuk donte të dëgjonte për largimin tim. Pas finales së Kupës kundër Milanos nga Kumanova, ku unë shënova dy gola, dhe pas shumë ofertave vendosëm të pranojmë ofertën Lirs, klub belg i Ligës së Dytë. Pas tre viteve qëndrim, arrita të bëhem i dashur te tifozët dhe arritëm ta fusim klubin në Ligën e Parë.

Nga Belgjika në Azerbajxhan?

Kur isha në Lirs më erdhi një ofertë nga Karabaku. Në fillim nuk desha, sepse nuk kisha dëgjuar për këtë shtet. Por pas disa informacioneve që mora dhe bisedat që zhvillova, vendosëm të provohem. Në fakt edhe kushtet financiare që më ofruan më detyruan ta pranoja ofertën e drejtuesve nga Baku, me të cilët firmosa kontratë 2-vjeçare. Me të arritur atje u mahnita nga Baku, një qytet që i ngjan Dubait. Një klub ku po investohet shumë dhe jemi dëshmitarë që në vitet e fundit ky ekip rregullisht është pjesë e grupeve në Ligën e Europës. Edhe kjo ishte një eksperiencë e re, të cilën do ta mbaj mend gjatë.

Riktheheni përsëri në Maqedoni, por tani te Shkëndija e Tetovës…

Pas dy viteve në Karabak, u riktheva te Shkëndija ku trajner ishte Artim Shaqiri. Luajta katër muaj dhe gjatë kësaj periudhe kishim rezultate mjaft të mira, por klubi kishte problem me kryesinë dhe nuk dihej se kush po e udhëhiqte. Ndërkohë, më vjen një ofertë nga Vaslui i Rumanisë, me të cilët rashë dakord që të nënshkruaja kontratë 3-vjeçare.

Edhe te Vaslui fati jua “ktheu shpinën”?

Skuadra e Vasluit asokohe ishte ndër katër ekipeve më të forta në Rumani. Por nuk pata fat, sepse problemet në të cilat klubi hasi gjatë kësaj periudhe, pasi u kishte ngelur borxh shumë ishlojtarëve dhe ishte e pamundur shlyerja, e çuan atë drejt shuarjes dhe nuk ekziston më.

Përsëri te Shkëndija, por përsëri qëndruat pak. Çfarë ndodhi?

Pasi prisha kontratën me Vasluin, në shtator u riktheva në Tetovë te Shkëndija. Një Shkëndijë krejtësisht ndryshe dhe me kryesi dhe pronar të ri, “Ecolog”. Pas konsolidimit të skuadrës, rezultatet nuk ishin aq të mira, ndërsa unë në 11 ndeshje shënova 1 gol. Por ditën e fundit të merkatos së janarit u largova nga Tetova dhe falë ndërmjetësimit të Ertan Demirit kalova te Partizani i Tiranës. Për këtë gjë u pajtuan edhe drejtuesit e Shkëndijës, që ranë dakord që të ndryshoja ambient.Nexhipi

Te Partizani shkëlqyet. Na e përshkruani periudhën si pjesë e të kuqve?

Pas gjashtë muajve të parë me Partizanin, drejtuesit e klubit më ofruan vazhdimin e kontratës, gjë të cilën unë e pranova. Është një kënaqësi e madhe për mua që kam qenë pjesë e kësaj skuadre, më e madhja në Shqipëri, që ka edhe tifozët më të mirë. Isha kapiten dhe një idhull i tifozërisë, sot e kësaj dite. Me këtë skuadër më lidhin shumë momente të bukura, edhe pse më vjen keq që nuk arritëm të fitojmë titullin kampion. Kam bërë paraqitje të mirë, por ajo që më kënaq më së shumti me këtë skuadër është fakti se nuk kam humbur asnjë derbi kundër Tiranës. Jo vetëm kapiten, por kam qenë edhe protagonist i këtij derbi dhe kur e bën këtë nuk mund të mos jesh i dashur tek ata. Thjesht ka qenë një kënaqësi e madhe që isha pjesë e kësaj skuadre.

Qëndrimit te Partizani i erdhi fundi. A ishte trajneri Starova fajtori që ju u larguat, një vendim që u kundërshtua nga tifozët?

Pas largimit të Shpëtim Duros, trajner i ekipit u emërua Sulejman Starova, i cili deri atëherë ushtronte detyrën e drejtorit sportiv. Për befasinë time, nuk e di se çfarë e shtyu Starovën që të mos isha në planet e tij, u bë e qartë se ai nuk më llogariste. Gjërat kulmuan kur pas ndeshjes me Stromsgodset dha një deklaratë, e cila sot e kësaj ditë më ka ngelur në zemër. Ai kishte shumë presion nga tifozët për të më futur në lojë dhe pas ndeshjes me norvegjezët tha “unë Nexhipin e futa në lojë vetëm për shkak të tifozëve, në të kundërtën nuk do ta kisha aktivizuar”. Më erdhi shumë keq kuptohet, pasi nuk e kisha pritur një deklaratë të tillë nga një njeri siç ishte Starova. Por janë gjëra që ndodhin në futboll dhe pas kësaj erdhi largimi.

Ju kërkoi Tirana, por në fund përfunduat te Flamurtari…

Pas largimit nga Partizani, në adresën time arritën shumë oferta, mes tyre edhe nga Tirana, Kukësi dhe Flamurtari. Pranova ofertën e skuadrës nga Vlora, ndërsa Tiranën e refuzova vetëm për shkak të tifozëve, sepse nuk munda t’ua ktheja shpinën. Gjithë ata që më njohin, e dinë se çfarë njeriu jam dhe se nuk do ta kisha bërë asnjëherë atë. Mund të paramendoni se sa do të ishin zemëruar tifozët, të cilët më deshën dhe më përkrahën gjatë këtyre dy viteve, në rast se do të kisha shkuar te rivali i tyre. Thjesht do të kishin ngelur të zhgënjyer, ndërsa unë nuk munda t’ua bëj atë. Qëndrimi te Flamurtari nuk zgjati shumë, vetëm pesë muaj, e gjitha kjo për shkak të problemeve financiare me të cilat ballafaqohej klubi.

E treta e vërteta për Shkëndijën. Mund ta vlerësojmë kështu?

Me të kuptuar se do të largohesha nga Flamurtari, drejtuesit e klubit nga Tetova më ofruan që të rikthehem tek ata. E ndieja se duhet të rikthehesha dhe se kishte ardhur koha të fitonim çdo gjë me këtë skuadër dhe pranova të jem pjesë e këtij projekti. Jemi duke shkuar me një vrull të madh përpara, ndërsa këtë po e dëshmojmë dita-ditës dhe jam shumë i lumtur që përsëri pjesë e këtij klubi. Jemi në rrugë të mirë që t’i fitojmë të dy trofetë, kampionatin dhe Kupën.

T’i kthehemi pak jetës jashtë fushës së gjelbër. Na tregoni ku jeni ndier më mirë duke marrë parasysh se keni ndryshuar shumë klube dhe shtete?

Familja (fëmijët) jeton në Gjermani dhe pas përfundimit të karrierës ndoshta do të jetoj në Berlin. Secili vend e ka bukurinë e vet dhe siç kam kaluar mirë në Gjermani, ashtu ka qenë edhe në Belgjikë. Pastaj Baku ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, por si në Tiranë nuk kam kaluar askund, është vendi më i bukur ku kam kaluar. Bukuritë që ka Shqipëria më kanë mahnitur shumë.

E dimë se paparacët dhe gazetarët janë në përgjim të jetës së lojtarëve. A keni pasur ndonjë rast, për të qenë viktimë e tyre?

Vitet e fundit në Tiranë çdo gjë publikohet në media dhe në gazeta. Nuk e them që kam qenë viktimë, por ndonjëherë ka ndodhur që kur kemi qenë në klubet e natës pas fitoreve, të nesërmen është shkruar për këtë. Por, për fat të mirë, asnjëherë nuk jam dënuar nga drejtuesit e klubit. Kam qenë shumë i kujdesshëm dhe nuk ka pasur diçka të veçantë.

Keni dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Dëshironi që djali të shkojë pas hapave tuaj?

Kam dy fëmijë, vajzën Aurora dhe djalin Dion, të cilët jetojnë në Berlin dhe falë Zotit janë mirë. Në familjen time traditë është futbolli dhe deshi apo nuk deshi, Dioni është në atë rrugë. Ai ka filluar me futbollin dhe është duke stërvitur me grupmoshat e Herta Berlin. Me atë që kam parë, shihet se ka talent dhe dashtë Zoti një herë të ketë shëndet dhe pastaj të na e kalojë të gjithëve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"