Rrëfehet mesfushori i penduar: Gati të jap maksimumin, pezullimin nuk dua ta kujtoj më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2017 | 20:01

Rrëfehet mesfushori i penduar: Gati të jap maksimumin, pezullimin nuk dua ta kujtoj më

Xhulio Mirani ka marrë besimin e trajnerit Santiliano Dule për sfidën e kësaj jave ndaj Shënkollit, duke u projektuar si titullar në krahun e djathtë të mesfushës. Futbollisti 25-vjeçar duket se është rikthyer edhe njëherë në formën e tij të mëparshme pas atij pezullimi 3-javor të bërë nga klubi, duke u akuzuar me motivacionin për mosimpenjim në sfidën kundër Shkumbinit, e cila përfundoi 0-1 në favor të peqinasve.

Mirani u rikthye në skuadër për duelin me Apoloninë, teksa ka fituar disa minuta në pjesën e dytë dhe i ka dhënë fitoren të tijve, duke realizuar golin e tretë në fitoren spektakolare me përmbysje 2-3.

xhulio mirani

MIRANI

Në një prononcim për gazetën, Mirani ka folur rreth aktivizimit të tij në ndeshjen me Apoloninë dhe atë të radhës ndaj Shënkollit, ku beratasit do të kërkojnë fitoren medoemos. “Më vjen mirë që u riktheva në këtë mënyrë dhe ndihem tepër i lumtur për golin e realizuar në fitoren 2-3 kundër Apolonisë. Ishte një sfidë ku nuk u dorëzuam dhe luftuam deri në minutat e fundit për të dalë nga ai disavantazh i papranueshëm. Nuk është vetëm merita ime në këtë fitore, por e gjithë grupit, megjithëse isha unë ai që realizova golin e fitores. Shkaku i atij pezullimi ishte tërheqja që unë kisha në këmbë dhe që askush nuk më besonte, por kjo gjë kaloi dhe nuk dua që t’i rikthehem më pas. Ndihem i lumtur te Tomori dhe do të jap maksimumin tim sa herë që do të më kërkohet”, tha fillimisht Mirani për rikthimin e tij.

xhuliomirani

Më tej, futbollisti nga Memaliaj ka folur edhe në lidhje me kundërshtarin e radhës, duke thënë: “Natyrisht që nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë, duke parë që kundërshtari ka një skuadër të kompletuar dhe ndodhet vetëm një pikë më pak se ne. Pavarësisht kësaj, kjo nuk do të thotë se nuk do të kërkojmë maksimumin. Ne po zhvillojmë një lojë shumë të mirë nga ndeshja në ndeshje dhe kjo na jep më shumë siguri për vazhdimësinë. Besoj se të gjithë e kanë parë sfidën ndaj Apolonisë dhe atë që ne arritëm për vetëm katër minuta.

Çdokush mund të aludojë për ndonjë trukim të mundshëm, mirëpo ju them me bindjen më të plotë se ajo ishte loja më e mirë e zhvilluar nga skuadra jonë dhe se çfarë kanë bërë fierakët me veten e vet, ky është problemi i tyre. Është e vërtetë që nuk njohim statistika të mira në ‘Bashkim Sulejmani’ pasi kemi marrë dy barazime dhe dy humbje, por kjo nuk përbën asnjë problem për sfidën e javës. Do kërkojmë vetëm fitoren”, përfundoi Mirani.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"