Rrëfehet Limaj: Në Ballsh u zhgënjeva, më frymëzon Toni Kros. Ëndrra ime… Kombëtarja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 22:59

Rrëfehet Limaj: Në Ballsh u zhgënjeva, më frymëzon Toni Kros. Ëndrra ime… Kombëtarja (E PLOTË)

Vesel Limaj po kthehet në një lider te Kukësi. Ditaditës po rritet dhe dëshmon vlera në mesfushë dhe gjithkush mund ta kujtojë për ata golat spektakolarë që i ka shënuar Laçit, Kastriotit, Luftëtarit apo Bylisit dy javë më parë. Rrugëtimin në futboll nuk e nisi ashtu sikundër dëshironte, madje aventurën te Bylisi e quan një zhgënjim.

limaj

E megjithatë, i mjaftoi transferimi te veriorët që të ndryshojë tërësisht mendim dhe tashmë ndihet gati për të bërë gjëra të mëdha. Në një intervistë tërësisht ndryshe, të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari rrëfehet në 360 gradë. Pengjet, idhujt dhe ëndrrat i zbulon të gjitha për gazetën.

E keni nisur me zhgënjime rrugëtimin në futbollin shqiptar kur luanit te Bylisi. Tani që keni kaluar te Kukësi, a keni ndryshuar mendim?

Është e vërtetë, kisha dyshimet e mia për të ardhmen në futbollin shqiptar, por me kalimin te Kukësi gjërat shkuan në rrjedhën normale dhe mund të them që tani kam ndryshuar mendim. E vlerësoj si shans të mirë për karrierën time transferimin te një klub profesionist si Kukësi, me një staf dhe president shumë të mirë. Është një ekip që u jep mundësinë lojtarëve të rinj dhe për këtë do t’i jem gjithmonë mirënjohës.

Çfarë prisni që të arrijë Veseli te Kukësi?

Kam pritur momentin tim te Kukësi. Kam punuar gjatë dhe jam treguar i duruar, derisa erdha në këtë ditë që po luaj rregullisht. Tani synimet shkojnë në rritje, si të miat, ashtu edhe të klubit. Dua që të fitoj trofe.

vesel limaj

A keni idhuj ose e thënë ndryshe, cili ka qenë lojtari që ju ka frymëzuar në futboll?

Patjetër, si çdo futbollist, edhe unë kam pasur ata idhujt e mi në fillime. Dikur pëlqeja Ronaldinjon, por tani më frymëzon Toni Kros. Është një model për t’u ndjekur në futboll. Dhe këtë e them pasi roli apo loja ime është e njëjtë me të tijën ose kështu duhet të jetë.

Ku e shikoni veten për pak vite?

Futbolli është sport i paparashikueshëm. Momentalisht mendoj vetëm për Kukësin, por si çdo lojtar tjetër i kampionatit shqiptar kam synim që të shkoj sa më lart. Detyra ime është të jap më të mirën në stërvitje dhe fushë, të ngre nivelin e lojës, të rritem në çdo aspekt. Pastaj, gjithçka t’ia lëmë kohës…

Kombëtarja kuqezi ç’do të thotë për ju?

Kombëtarja kuqezi është ëndërr e imja që në fëmijëri, është fat që shumë pak futbollistë gjatë karrierës së tyre kanë mundësi ta realizojnë. Më shumë nuk kam se çfarë të them, përveçse mua do më duhet të tregoj veten me punë, pastaj të tjerë e vlerësojnë. Gjithsesi unë gjithmonë do shpresoj e në një të ardhme të afërt do pretendoj, pasi e ndiej dhe jam shumë optimist për formën time, rritjen e nivelit tim, natyrisht dhe eksperiencës. Trofe me Kukësin dhe pastaj gjithçka ia lëmë kohës.

Nëse do t’ju kërkonin që të dorëzonit pasaportën gjermane për atë shqiptare, për të veshur fanellën e kuqezi… si do të vepronit?

Gjithmonë ka një zgjidhje. Nëse unë do të marr ftesë nga Kombëtarja shqiptare, kjo gjë do të zgjidhet me kërkesë në ambasadën gjermane. Dhe në bashkëpunim mes autoriteteve, shteti gjerman të jep të drejtën që të pajisjesh edhe me një pasaportë tjetër, kështu që kjo gjë mendoj se është e zgjidhur.

Kukësi ka pësuar shumë ndryshime gjatë merkatos së verës. E shikoni më të dobët apo më të fortë ekipin nga vjet?

Është e vërtetë që ka pasur ndryshime, janë larguar shumë lojtarë cilësorë, por mendoj se afrimet e verës janë gjithashtu të mira. Këtë vit mendoj se ekipi luan më shumë si grup dhe kjo po na ndihmon që të mos bien në sy ndryshimet që ndodhën në merkato. Gjithsesi, respekt për çdo lojtar me të cilin kam luajtur. I uroj gjithkujt më të mirën.

Cili ka qenë personi që ju ka ndihmuar më shumë te Kukësi?

Mundësinë për të luajtur në ato fillime ma ka dhënë trajneri Armando Cungu, pastaj si jashtë dhe brenda fushe më ka ndihmuar shumë kapiteni Besar Musolli. Por, unë i falënderoj të gjithë shokët, sidomos senatorët, pasi me të vërtetë më kanë respektuar dhe vlerësuar.

Dhe për ta mbyllur, cili është rivali më i fortë për titull?

Për momentin shoh Tiranën, Partizanin, Teutën dhe Skënderbeun si rivalë për titull. Por, kampionati është i gjatë e gara çdo ditë bëhet më e vështirë. Dhe, që të jemi të qartë, ne te Kukësi shohim vetëm veten tonë dhe askënd tjetër.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"