Rrëfehet Karioka: Në Shqipëri luhet futboll i ngathët, dua titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2017 | 15:27

Rrëfehet Karioka: Në Shqipëri luhet futboll i ngathët, dua titullin

Ka fituar dy trofe, po tashmë kërkon atë më të rëndësishmin: titullin. Ky është misioni i verilindorëve këtë sezon dhe Zhan Karioka beson se do t’ia dalin. Ai shfaq bindjen se në fazën e katërt Kukësi do ta thyejë si Partizanin edhe Skënderbeun, duke u shpallur kampionë.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, braziliani zbulon jetën e tij në Shqipëri, vështirësitë me gjuhën, ambientimin, por edhe krahasimin e futbollit tonë me atë në vendin e tij. Sipas tij, në Brazil ka shumë taktikë, ndërsa futbollin shqiptar e quan të ngathët.

Karioka Kukesi 1

Zhan, po bëni dy vite në Shqipëri. I kënaqur me këtë aventurë?

Po, po jam shumë i kënaqur. Kam gjetur një ekip me karakter dhe shpirt gare. Shokët më kanë mirëpritur dhe tashmë unë jam një prej tyre.

Jeni ambientuar, po a keni hasur vështirësi me gjuhën?

Duke qenë se kanë kaluar dy vite, tashmë e njoh më mirë Shqipërinë. Jetoj familjarisht këtu dhe më pëlqen shumë. Me gjuhën nuk jam edhe aq mirë. Kuptoj, por nuk flas shumë. E kam të vështirë në fakt.

Keni fituar dy trofe me Kukësin, ndiheni i kompletuar?

Jam i kënaqur, por jo i kompletuar. Kemi marrë dy trofe, por na mungon titulli. Plus që në Kupat e Europës pres që të ecim më shumë. Ëndrra është që të shkojmë deri në fazën e grupeve.

A ka ndryshuar Kukësi i vjetshëm me këtë sezon?

Sivjet jemi më të fortë se vjet. Jemi më të përqendruar dhe kjo duket dhe nga rezultatet. Nuk kemi asnjë humbje dhe besoj shumë se do vijojë kështu. Plus që kemi disa lojtarë shumë të mirë, që i janë shtuar organikës ekzistuese.

Karioka Kukesi tifozet

Çfarë ndryshimi ka futbolli brazilian me atë shqiptar?

Ka ndryshim të madh midis dy stileve të lojës. Në Brazil ka mjaft taktikë dhe shpejtësi, plus teknikë. Gjithashtu, edhe prekje të topit, pra luajnë shumë shpejt dhe me pasime. Mbas Kupës së Botës, në Brazil i mëshojnë shumë dhe anës taktike, por edhe elementëve të tjerë. Në Shqipëri luhet futboll tjetër, është më shumë fizik dhe i fortë, shikojnë shumë anën taktike, është futboll i ngathët.

Pastaj, ndryshimi tjetër i madh është te rivaliteti. Këtu dihet se kush konkurron për titull dhe Europë. Ndërsa në Brazil ju nuk e besoni, por nga 20 ekipe, 12 prej tyre janë pretendente dhe kanë synime madhore. Kampionati brazilian është një nga më të mirët dhe të vështirët në botë sa i përket garës.

Me cilën ligë në Brazil mund ta krahasoni kampionatin shqiptar?

Jua thashë, janë kampionate me karakteristika krejt të ndryshme. Stili është tjetër. Patjetër që kampionati shqiptar është goxha i fortë.

Kush është shoku juaj më i mirë që keni në ekip?

Me të gjithë kaloj shumë mirë, por me Rangelin kam marrëdhënie më të afërta. Ndoshta fakti që jemi patriotë na ka lidhur shumë.

Tani që nuk ka shumë lojtarë brazilianë te Kukësi po hasni vështirësi?

Kur erdha te Kukësi ishim 5 futbollistë nga Brazili. Natyrisht ishte më e lehtë atëherë, pasi e njihnim mirë lojën e njëri-tjetrit. Tani kam ngelur vetëm unë, por që sërish e kam mësuar natyrën e lojës dhe nuk e kam më problem. Jam përshtatur me këtë stil, pasi në ekip kemi lojtarë me shumë cilësi.

Këtë sezon nuk ju ka ecur fort me golat…

Është e vërtetë që nuk kam bërë shumë gola, por ama e kam ndihmuar skuadrën në mënyra të tjera. Gjithsesi, nuk ndihem mirë kur s’shënoj.

Karioka vs Partizani

Jeni bërë baba së fundmi, a ndiheni më i motivuar tani?

Patjetër që po. Përgjegjësia është rritur dhe dëshira për të siguruar një të ardhme më të mirë është në nivele maksimale.

Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu. Si e shikoni garën për titull?

Gara është e fortë, por mendoj se ne duhet dhe do bëjmë maksimumin që t’i mundim që të dyja në fazën e katërt dhe blinduar kreun.

Mendoni që ky është viti i duhur për titull?

Unë besoj shumë se ne do arrijmë objektivin të shpallemi kampionë. Nëse vazhdojmë kështu, do t’ia dalim. Është koha e duhur, kemi eksperiencë, grupin, karakterin dhe dëshirën për të triumfuar.

Luani me Flamurtarin këtë fundjavë, si e parashikoni këtë duel?

Flamurtari është ekip shumë i fortë në shtëpi, kam respekt për ta, por ne shkojmë për fitore në Vlorë.

Çfarë planesh keni për të ardhmen?

Jam i fokusuar vetëm te kampionati. Pastaj është herët për të folur, pasi kontrata më mbaron në mesin e vitit tjetër.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"