Rrëfehet kapiteni Shameti: Kukësi di të vuajë, Pakultit i uroj suksese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 20:04

Rrëfehet kapiteni Shameti: Kukësi di të vuajë, Pakultit i uroj suksese

Kukësi arriti një sukses të madh në Kupat e Europës, ku kaloi në turin dytë kualifikues në Ligën e Kampioneve. Edhe pse ndaj një kundërshtari në letër të dobët si maltezët e Valetës, fusha tregoi të kundërtën dhe kuksianëve iu desh shumë fat për të kaluar më tej. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni i skuadrës rrëfen kualifikimin ndaj maltezëve, vështirësitë, largimin e Peter Pakult dhe rikthimin e Armando Cungut. Për liderin e mbrojtjes çdo gjë që ndodh te Kukësi vjen për shkak se kjo skuadër është si një familje.

shameti

Një kualifikim drithërues me Valetën, pse u bë kaq e vështirë?

Në fillim kishim ndjesinë e një shorti të lehtë, por këto dy ndeshje treguan që asnjë ekip nuk mundet kollaj, pa bërë maksimumin në fushën e lojës. Shpresoj që të ndryshojmë fytyrë në vazhdim sepse tashmë çdo gjë bëhet më e vështirë. E rëndësishme është që jemi në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve për herë të parë në historinë e klubit.

I vetmi kapiten që udhëheq Kukësin në një sukses të tillë në Champions, çfarë prisni tani?

Është ndjesi e veçantë kur kalon ture në Champions si kapiten, duke dhënë maksimumin për të arritur objektivin e klubit. Për mua është një eksperiencë e bukur dhe uroj të vazhdoj sa më gjatë.

Si ju duket sfida me Karabakun, mendoni se keni shanse për të kaluar më tej?

Pa diskutim që sa më shumë të shkojmë larg, aq më e vështirë bëhet rruga e kualifikimit, por mendoj se do përballemi denjësisht me një kundërshtar që me thënë të drejtën merr pjesë çdo vit në grupe dhe ka një buxhet të konsiderueshëm në krahasim me ne.

Çfarë i duhet këtij ekipi të konkurrojë me klube të mëdha?

Mendoj se në këto kompeticione duhen sa më shumë lojtarë kualitativ që bëjnë diferencën në fushën e lojës.

Tashmë, prej 6 ditësh keni një trajner të ri, Armando Cungun, çfarë ka ndryshuar me të?

Çdo trajner ka profilin e vet të të punuarit dhe për sa i përket vizionit të lojës. Është një njohje e vjetër e klubit, po ashtu edhe bazës së ekipit sepse trajneri Cungu ka qenë edhe para 6 vjetësh. Të gjithë ne duhet të zbatojmë në fushën e lojës çdo mendim të tij që të gjithë së bashku të bëjmë një punë të mirë në shërbim të objektivave të klubit.

shameti

Pakult iku me mllef, menaxheri i tij deklaroi që senatorët e kanë larguar, si e komentoni?

Çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimet e veta. Kukësi është një familje dhe çdo gjë bëhet për krijimin sa më të mirë të kushteve brenda saj.

Çfarë nuk shkoi me Pakultin?

Nuk kam dëshirë të merrem me të shkuarën sepse jam i fokusuar tek e tashmja. Trajnerit i urojmë suksese në vazhdim.

Ju si kapiten kishit komunikuar me austriakun për situatën në ekip, pse trajneri këmbëngulte në të vetën?

Unë si kapiten i kam kryer më së miri të gjitha detyrat që më përkasin në shërbim të ekipit edhe klubit së bashku me pjesën në fushën e lojës.

I kthehemi edhe njëherë suksesit në Valeta, i cili rrit dukshëm dhe financat në klub. Si e priti ekipi dhe i gjithë ambienti këtë kualifikim?

Pa diskutim, të luash në Champions është kënaqësi e veçantë, aq më tepër që paralelisht mbush edhe arkat e klubit sepse tashmë futbolli është një biznes që duhet të ketë një bilanc pozitiv që të jetë sa më i fortë për të përballuar konkurrencën.

shameti hallaci

Çfarë ju tha presidenti Gjici, a është ai i kënaqur me punën e ekipit?

Presidenti është kënaqur me kualifikimin, por jo me lojën e zhvilluar. Por, duke ditur që vjet jemi eliminuar nga Sherifi, duke bërë lojën më të bukur që ka bërë Kukësi në Europë, duhet t’i gëzohemi të gjithë bashkë kualifikimit dhe të bëjmë maksimumin për të përmirësuar ato gjëra që nuk shkuan mirë turin e parë.

Keni hyrë në sezonin e 6- të me Kukësin, cilat janë momentet më të mira, ka ardhur koha që ky klub të hyjë në grupe në Ligën e Europës?

Këto 5 vjet ka pasur mjaft momente të bukura dhe uroj që të vazhdojnë. Grupet do jenë qershia mbi tortë e këtyre momente të bukura, por që duhet një punë shumë e madhe dhe është rrugë e vështirë për t’i arritur.

Po tani mund të flasim për të ardhmen tuaj?

Jam tërësisht i fokusuar tek objektivat e klubit. Dëshira ime është të jem pjesë e Kukësit në vazhdim, pasi është shtëpia ime. Kam dhënë shumë për këtë ekip dhe kam akoma për të dhënë. Uroj që të gjejmë gjuhën e përbashkët me klubin dhe nuk e mendoj të kundërtën.

shameti

Jeni i preferuari i tifozërisë kuksiane, çfarë premtimi keni për ta?

Tifozët kuksianë janë oksigjen për ne dhe një mbështetje shumë e madhe për rrugën e vështirë drejt suksesit. Nëse mbushin shkallët, atëherë do isha shumë i kënaqur. Futbolli pa tifozë nuk ka kuptim. Por, u bëj thirrje edhe tifozëve të tjerë shqiptarë jo vetëm nga qyteti i Kukësit, por të gjithëve tifozëve shqiptarë të çdolloj krahine, që të mbështesin Kukësin dhe çdo klub tjetër që luan në Kupat e Europës. Sa më shumë të ecin klubet shqiptare, aq më mirë është për futbollin tonë.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"