Rrëfehet Izair Emini: Gol në Korçë dhe bëhem idhull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2016 | 14:22

Rrëfehet Izair Emini: Gol në Korçë dhe bëhem idhull

Mjaftuan dy gola që ai të fitonte zem rën e tifozëve, por duket se ambiciet e tij shkojnë më larg se kaq. Izair Emini kërkon që të jetë idhulli i tifozëve kuksianë, madje premton se do të kalojë edhe Pero Pejiçin.emini Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi tetovar rrëfen ditët e para si “kuksian”, ndërsa shprehet optimist për ndeshjen e radhës në Korçë. Ai nuk iu druhet kampionëve të Skënderbeut dhe nuk e fsheh dëshirën për të shënuar të dielën.

Pas dy ndeshjeve me fanellën e Kukësit, si ndihet Emini?

Jam ambientuar shpejt dhe kjo ka ardhur falë pritjes që më kanë bërë të gjithë, duke filluar nga presidenti, trajneri, shokët e skuadrës dhe tifozët. Më pëlqen ambienti, po ndihem si në shtëpinë time. Kjo javë ju rezervon një transfertë shumë të fortë kundër Skënderbeut.

Si e shikoni përballjen me kampionët në fuqi të vendit?

Ne e dimë që kemi përballë kampionët në fuqi, por mendoj se do t’u bëjmë ballë. Jemi përgatitur në maksimum për të arritur një rezultat pozitiv në Korçë.

Mendoni që do të shënoni në këtë takim?

Nuk është e rëndësishme kjo, pasi në fund vlejnë vetëm pikët. Por nëse do të shënoja, do të kënaqesha dyfish, pasi kjo është detyra ime.

I trembeni kundërshtarit?

Për mua është hera e parë që luaj kundër Skënderbeut. Korçarët kanë ekip shumë të mirë dhe të fortë, por nuk u trembemi aspak. Pastaj, as ne nuk mbetemi pas.

Muaji shkurt i rezervon Kukësit një kalendar të “egër”, mendon Emini që objektivat kalojnë nga pesë takime?

Kjo do të na shtojë motivimin, pasi na mbetet për detyrë të tregojmë forcën tonë. Ne nuk iu trembemi sfidave, jemi të përqendruar dhe kemi besim të plotë se do të bëjmë më të mirën.

Keni humbur ndeshjen e parë për Kupë me Teutën, mendoni që Kupa e Shqipërisë kalon nga 90- minutëshi i dytë më 17 shkurt?

Po, kemi pasur një rezultat negativ në ndeshjen e parë, jemi të vetëdijshëm, ashtu sikundër e dimë që për t’u kualifikuar duhet ta përmbysim me patjetër. Kupa e Shqipërisë është objektiv primar dhe ne do të bëjmë maksimumin që ta arrijmë. Me Teutën na pret një takim vendimtar, por ne kemi besim shumë se do ta kthejmë rezultatin.

Shumë optimist dukeni, nga buron gjithë ky besim?

Përgatitjet, forca e grupit, lojtarët cilësorë dhe trajneri Duro, i cili na motivon dhe punon me profesionalizëm, janë burimi i optimizmit. Nuk kemi frikë asnjë ekip në Shqipëri.

Si ju duket kampionati shqiptar, çfarë ndryshimi ka nga ai maqedonas?

Kampionati shqiptar është më i fortë në fakt. Nëse në Maqedoni vetëm 3 ekipe janë pretendente, këtu ndodh e kundërta. Futbolli ka më shumë ritëm dhe luhet më fort si taktikisht, ashtu dhe fizikisht. Mjafton të shikosh mbrojtësit për ta kuptuar këtë.

Po jeta si ju duket në Shqipëri, ndryshon nga ajo në Maqedoni?

Sapo kam marrë shtëpinë time dhe ndihem rehat. Jeta në kryeqytet ndryshon nga Tetova. Ky është mendimi fillestar, më vonë të shohim.

Tashmë jeni bërë një nga lojtarët më të dashur për tifozët…

Jam shumë i kënaqur që ata besuan tek unë. Që kur unë kam ardhur në Shqipëri, ata më kanë mbështetur dhe më kanë bërë gjithçka më të lehtë. Unë premtoj që do të bëj maksimumin, duhet të shënoj sa më shumë dhe pse jo të bëhem idhulli i tyre.

A mendoni që do t’i bëni kuksianët të harrojnë Pejiçin?

Nuk më pëlqen që të krahasohem me dikë tjetër, pasi dua të jem vetvetja. Unë do të bëj gjithçka për këtë fanellë, do të jap maksimumin për t’ia kaluar edhe Pero Pejiçit.

Kukësi ka disa sulmues, i druheni konkurrencës?

Konkurrenca e shëndoshë sjell rendiment më të mirë për lojtarët dhe njëkohësisht rezultate. Jam lojtar profesionist, ndaj do të stërvitem dhe punoj si i tillë. Nuk i trembem konkurrencës, madje e shoh si faktor pozitiv.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"