Rrëfehet ish-arbitri i Kolegjiumit të Tiranës që u dënua: Na mori në qafë një hotel në Kavajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2019 | 22:13

Rrëfehet ish-arbitri i Kolegjiumit të Tiranës që u dënua: Na mori në qafë një hotel në Kavajë

UVIL ZAJMI

Kështu e kujton dhe e rikthen për “Panorama Sport ngjarjen, dënimin dhe zhurmën që u bë atë vit, e me pasoja ish-vijërojtësi i Kolegjiumit të Tiranës, Gëzim Gaçe, që sot pas më shumë se 30 vitesh thotë me humor: “Ishte Hoteli i Kavajës ai që i ‘tradhtoi’ gjyqtarët…”.

gezim gace

Z.Gace, si funksiononte në atë kohë lëvizja e gjyqtarëve?

Ne udhëtonim kryesisht me trenat e parë, por edhe të fundit të së shtunës apo të dielën herët. Kishte raste që në rrugët e gjata merrnim bukë me vete, si për në Ballsh apo Gur të Kuq. Me orë pa lëvizur, duke luajtur me letra. Qëllonte që në një vagon, gjysma e pasagjerëve të ishin gjyqtarë të disa sporteve.

Vajtjet ishin shpesh me mjete të rastit, pse?

Jo gjithmonë dhe kjo ndodhte në rrugët e largëta. Pasi na njoftonin, me një autorizim nga FSHF shkonim tek Agjencia e Autobusëve, te Sahati, ku merrnim biletat e rezervuara për ne. Kujtoj edhe për punonjësit e MB ishte e njëjta praktikë. Kryesisht direkte ose tren-autobus. Kur nuk gjenim bileta, tentonim, duke filluar nga makinat e gazetave që niseshin herët apo duke dalë në orët e para pas mesnate te Zogu i Zi, në pritje të kamionëve, mjeteve të rastit duke iu lutur shoferëve, e qëndruar edhe mbi karroceri, shi, diell, pasi duhej shkuar në qytetin e caktuar për gjykim. Kujtoj stacionet e Ballshit, apo në Gur të Kuq, kur edhe me këmbë e kemi bërë deri në Pogradec. Apo nga Ura Vajgurore për në Kuçovë, se aty na linte autobusi i fundit që shkonte për Berat, etj.

Po në kthime, sërish probleme?

Edhe në kthim kishte vështirësi, pasi qëllonte që klubi nuk na i kishte siguruar biletat, ose nga inati për gjykimin tonë na linin në mes të rrugës. Vetëm një autobus lëvizte në ato kohë dhe pak automjete në qarkullim kishte. Nga dashamirësia, në rastet kur fitonin, mund të na merrte autobusi i ekipit mik, por me frikë se mos vendësit, njoftonin FSHF, që për ne ishte e ndaluar udhëtimi me skuadrat. Në të dyja rastet duhej gjetur bileta.

Kishte interes dhe motiv të qenit gjyqtar në këto kushte?

Sigurisht, pasi bashkë me pasionin, edhe për disa faktorë ekonomikë, që të siguronin një të ardhur minimale plus. Unë punoja në Administratën e Minierës së Valiasit dhe duke qenë në aktivitet, të shtunë, të hënën nuk shkoja në punë… Kishim gjithashtu edhe pesëorëshin dy herë në javë.

Si dhe sa paguheshit në atë kohë?

Nga shifra të ulëta, nga 80 deri në 120 lekë. Kujtoj se shpërblimi teknik arriti deri në 250 lekë për kryesorin dhe në 150 për anësorët. Kishte raste që merrje edhe 100 lekë paradhënie. Kështu duhej plotësuar urdhër-shërbimi, në të kundërtën merrje më pak, ose arrije dhe nuk paguaje as paradhënien.

Dhe të hënën te Stacioni i Trenit?

Sigurisht, biletat i siguronim në disa mënyra, ajo e së hënës te treni ishte një ndër to. Por, edhe fatorinot, me të cilët kishim miqësi, njiheshim, na siguronin biletat vajtje-ardhje.

Po ato të hotelit?

Kishte raste që flinim, kishte raste që largoheshim duke paguar dhe pa fjetur. Mjaftonte diçka nën dorë për sportelistët, me të cilët kishim njohje. Ata na i jepnin bosh, me vula të rregullta dhe ne i plotësonim. Ose paguanim një natë dhe ata na i jepnin për dy net fjetjeje.

Për të ardhur te Kavaja…

Ai hotel i dogji të gjithë që kishin qenë me ndeshje në Kavajë. Pasi u verifikua, doli se hoteli ishte në rikonstruksion mbi një vit, por që ne nuk i kishim dhënë rëndësi se një herë apo dy mund të qëllonte në vit të arbitronim aty. Kavaja ishte afër, shkonim e vinin brenda ditës dhe merrje një ditë dietë. Kujtoj se treshja jonë gjykoi takimin e Kategorisë së Dytë, Besa-31 Korriku, që u fitua nga kavajasit.

Një proces që u mbyll me dënime, apo jo?

Po, dhe të ashpra madje, pasi konsiderohej dëm ekonomik i pronës socialiste. Sigurisht që kishim edhe frikë. Erdhën në kolegjium, u bë një mbledhje, lexuan emrat, ti, ti, jeni pezulluar, duke na komunikuar një listë me 13 gjyqtarë kryesorë dhe anësorë. Disa u larguan përfundimisht, ndërsa unë me të tjerë jo, pasi ishim të rinj, as 25 vjeç. Dënimi zgjati dhe kur rifilluam nuk na regjistruan menjëherë. ‘Do jeni – na thanë – por jo aktivë…’. Pastaj në sezonin tjetër filloi aktivizimi normal, por në ndeshje jo të rëndësishme.

E keni takuar më vonë gjyqtarin e letrës?

Sigurisht, pasi Rahmiu figuronte dhe ishte gjyqtar aktiv i Kolegjiumit të Tiranës, anësor i niveleve të ulëta dhe merrte pjesë rregullisht në mbledhje. ‘Nuk e kam me ju gjyqtarët e rinj, se ju kam shokë, por me ata kryesorët. Për ata e kam bërë letrën’, thoshte për t’u justifikuar. Nuk e di jeton apo jo.

Shënim: Me këtë shkrim të “Panorama Sport” mbyllet pjesa e parë e ciklit “Ku kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbitrat”, për t’u rikthyer sërish më vonë me “Pesë penalltitë në një derbi”, “Përsëritja e ndeshjes Partizani-Vllaznia”, për të vijuar me “Pranga, gjyqi dhe dënimi pas një kartoni të kuq”, apo “Kur në Shqipëri arbitronte një britanik”…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"