Rrëfehet Idrizi: Ja pse erdhëm në këtë katastrofë
Sinan Idrizi nuk fshihet për të treguar situatën që ekziston prej muajsh te Flamurtari sa u përket borxheve të mbartura. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, administratori i klubit vlonjat komenton penalizimin me -3 nga FIFA, refuzimin e bashkisë për të njohur 500 mijë euro borxhe, si dhe mosdorëzimin e tij përballë asaj që ai e cilëson si katastrofike. “Duhet të paguajmë edhe 150 mijë euro borxhe, ndryshe mund të na hiqen sërish pikë”, thotë ndër të tjera Idrizi.
Zoti Idrizi, pas paralajmërimeve të shumta nga FIFA, vjen edhe penalizimi i parë për heqjen e tri pikëve nga klasifikimi. Ishte diçka e pritur për ju ky vendim apo ju befason?
Të jem i sinqertë, jam i befasuar, sepse jemi penalizuar për një rast që ne si klub e kemi shlyer detyrimin, mirë- po me sa duket, FIFA nuk e njeh këtë pagesë që kemi bërë në fundvitin e kaluar.
Më konkretisht si është çështja?
Bëhet fjalë për një gjyq të mbartur të ish-lojtarit të Flamurtarit, Toni Pezo, ndaj të cilit klubi detyrohet t’i paguajë 17.500 euro. Kjo pagesë është kryer, por sipas zyrës juridike të FIFAs nuk qenka bërë në kohë reale. Kjo është e drejtë e tyre dhe tashmë jemi përpara një fakti të kryer. Një histori të shkuar që unë si administrator nuk kam lidhje, por më duhet të mbaj faturën. Më e habitshmja në këtë çështje është se ne edhe kur paguajmë lekët na hiqen pikët. Një histori e stërthënë dhe që prej borxheve të mbartura tani na bllokojnë edhe llogaritë bankare. Një situatë vërtet katastrofike, e pabesueshme.
OK, por tashmë skuadra rrezikon shumë. A ka një zgjidhje?
Rrezikojmë shumë apo pak, është çështje tjetër. Realiteti është që për këto borxhe të mbartura, unë nuk kam asnjë obligim si administrator, ndërsa ata që duhet të mbajnë përgjegjësi janë rehat në këtë moment, duke parë punët e tyre. Në këto kushte, s’kam rrugë tjetër, po detyrohem të marrë përsipër borxhet e të tjerëve. E kuptoni se çfarë po bëhet me Flamurtarin?! Unë nuk mund ta lë skuadrën në baltë dhe të zbresim nga kategoria. Këtu përgjegjësi civile nuk mban asnjëri, e jo më morale. Mua më bllokohen llogaritë e klubit për borxhe që s’kanë lidhje me mua. Kjo është skandaloze, nuk mund ta quaj ndryshe.
Ju jeni vendosur administrator me bekimin e bashkisë së shkuar. Nuk e parashikuat këtë situatë që në atë periudhë?
Kontratat e lojtarëve apo ishtrajnerëve, bashkia aktuale nuk i njeh, sepse pas shqyrtimit që u kanë bërë, kanë dalë në konkluzionin se janë ilegale. Në një kohë që buxheti për futbollin ka qenë 300 milionë lekë, zotëria që ka qenë në krye të bashkisë i ka katërfishuar kontratat. Kësisoj, bashkia aktuale nuk i njeh këto lloj pagesash. Handikapi më i madh është që 100% aksioner i klubit është Këshilli Bashkiak i Vlorës. Në një kohë që unë investoj, më bllokohen llogaritë nga Përmbarimi prej detyrimeve që bashkia ka që nga viti 2010.
Në kontratën që ju keni nënshkruar me Bashkinë e Vlorës është parashikuar që kjo e fundit të paguajë detyrimet e së shkuarës. Pse nuk po respektohet kontrata, çfarë ju kanë thënë nga bashkia?
Po, keni të drejtë për këtë pikë të kontratës. Puna e borxheve është obligim i bashkisë, mirëpo kjo e fundit thotë që do t’i shlyejë kur të miratohet buxheti. Domethënë në shkurt, mars apo prill. Por, në futboll koha nuk pret dhe ia te erdhi penalizimi. Kjo histori kështu po shkon dhe nuk arrij ta kuptoj. Këtë situatë e kam paralajmëruar prej kohësh, por me sa duket s’më ka dëgjuar njeri. Jemi realisht drejt një humnere, që nuk di nga ta kapësh. Këshilli Bashkia do dy muaj të mblidhet, hajde të presim tani… Çudia tjetër është që edhe borxhet e prapambetura që unë paguaj, bashkia sërish nuk i njeh. Këshilli Bashkiak i Vlorës thotë që nuk mund të firmosë për një veprim ilegal, duke iu referuar kontratave që janë nënshkruar dhe që nuk i njeh.
Atëherë, pas gjithë këtyre problemeve, çfarë ju mban te Flamurtari?
Kjo që po ndodh është sigurisht një pezmatim, por unë jam vlonjat dhe zotohem që nuk do ta lë përgjysmë projektin e nisur. E di që i jam futur një aventurë, por do të mundohem ta bëj atë të logjikshme.
Pas penalizimit prej Toni Pezo, sa gjyqe të tjera të humbura ju shqetësojnë?
Janë edhe katër dosje të tjera. Në total, borxhi i mbartur shkonte afërsisht 500 mijë euro dhe një pjesë e mirë tashmë është paguar. A ka një shifër që, nëse paguhet në kohë, e qetëson klubin? Duhet të paguhen edhe 150 mijë euro borxhe, kjo është situata.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"