Rrëfehet Hito Hitaj: Flamurtarin e mundëm me vlonjat edhe në 1978, vetëm Skënderbeu më lart se Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2018 | 19:30

Rrëfehet Hito Hitaj: Flamurtarin e mundëm me vlonjat edhe në 1978, vetëm Skënderbeu më lart se Luftëtari

Hito Hitaj ish-trajneri i Luftëtarit nga korriku i vitit 1977 deri në qershor të 1991-shit, në intervistën e tij ekskluzive për “Panorama Sport”, përmes viteve të humbura në kohë, foli edhe për ecurinë e Luftëtarit në këtë sezon.

hito hitaj

Ish-trajneri legjendar i gjirokastritëve kujton suksesin e arritur nga Luftëtari para 40 viteve në Vlorë, të shkuarës së ndritshme të gjirokastritëve para viteve 90- të. Gjithashtu ai flet edhe për suksesin e fundit të gjirokastritëve ndaj Flamurtarit dhe mundësitë që ka skuadra e drejtuar nga Hasan Lika.

Profesor, kur flitet për Luftëtarin e paraviteve 90-të, në Gjirokastër emrin e skuadrës e lidhin me emrin tuaj. Ju si e komentoni këtë fakt?

Pyetja juaj më lumturon dhe më bën krenar për gjithçka që kam arritur së bashku me kolegët e mi. Pa plejadën e emrave të atyre viteve, askush s’mund të priste më shumë nga suksesi i sezonit 1978- 1979. Jemi shpallur kampionë vjeshte dhe nënkampion në fund të sezonit.

A ju kujtohet fitorja e fundit e Luftëtarit në Vlorë?

Për të qenë i sinqertë, pasi vitet bëjnë punën e tyre, me sa mbaj mend, fitorja e fundit është në vitin 1978. Kemi fituar edhe 2-1 më parë, por goli i Spiro Currit, vlonjatit që luante për Luftëtarin, më është fiksuar si fitorja e fundit ndaj Flamurtarit. Ka qenë një goditje e fortë e Currit, topi goditi traun e portës dhe përfundoi në rrjetë. Kemi fituar 2-1, por edhe 3-1, kjo fitore me sa kujtoj ka qenë në një ndeshje Kupe. Por, më duhet t’ju them se kanë pak rëndësi statistikat dhe thyerja e tyre. E rëndësishme është loja që Luftëtari prodhon, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

Ju ngjall nostalgji loja e Luftëtarit të sotëm me atë që ju keni drejtuar?

Me individët që ka në dispozicion ekipi, cilësitë e të cilëve i ka vënë në dukje trajneri Hasan Lika, ndihem mirë dhe njëkohësisht besimplotë te kjo skuadër. Vlerat individuale të lojtarëve, vendosur në shërbimin taktik të skuadrës, kanë sjellë edhe rezultatet pozitive.

Vlerat e Bregut, Abazajt, Rrocës, Ramadanit dhe të tjerëve, që veprojnë me inteligjencë në shërbim të skuadrës, dukuri të cilat u dukën edhe në ndeshjen me Flamurtarin ku sollën fitoren. Unë mendoj se nga ajo që u pa në fushë, Flamurtari e mendoi të lehtë ndeshjen. Falë organizmit të Luftëtarit, vlonjatët u ndien të befasuar nga paraqitja e gjirokastritëve dhe kaloi në prishje të strukturës së lojës, ku përfitues doli ekipi mik.

Fitoren ndaj Flamurtarit e quani të rastësishme apo si një fitore të ardhur me meritë në fund të 90 minutave?

Kurrsesi nuk do ta konvertoja të rastësishme, por më shumë se të merituar. Është një fitore logjike, e hipotekuar përmes zbatimit të detyrave dhe organizmit taktik të skuadrës. Edhe një herë, meritë ka trajneri Lika. Mund të kesh vlera individuale, por Luftëtari tregoi forcën e grupit dhe ia doli të fitonte me meritë.

Profesor, në këndvështrimin tuaj, Luftëtari duhet të bëjë më mirë në vazhdimësi. Por, a e ka stofin e duhur ekipi për t’u renditur më lart në klasifikim?

Në shumë ndeshje që kam parë, më shumë nga televizori, mendoj se Luftëtari nuk ka pasur seriozitetin e duhur, gjë e cila ka sjellë dhe humbjen e pikëve. Gjendja në klasifikim është mungesë besimi dhe serioziteti, ndoshta dhe nga mbivlerësimi që Luftëtari u ka bërë të tjerëve. Në ndeshjen me Flamurtarin, Luftëtari tregoi mundësitë e tij reale.

Si e shikoni Luftëtarin në fundin e sezonit aktual?

Përveç Skënderbeut, që deri më sot ka bërë tjetër gjë, asnjë ekip tjetër nuk ka më shumë vlera se të tjerët. Luftëtari ka pasur dhe ka vlera përderisa ka prekur këto rezultate. Luftë- tari me përkushtimin e të gjithëve, stafit teknik dhe organizativ, me në krye presidentin Grigor Tavo, këtë sezon do të jetë pjesë e ekipeve me objektiva madhore. Unë gjej rastin t’i përshëndes të gjithë nëpërmjet “Panorama Sport”, pa harruar këtu futbollistët që kanë vlera të padiskutueshme.

Në fund, keni diçka për të shtuar?

Më falni, por dua të shtoj diçka. Mungojnë lojtarët vendës dhe bie në sy mungesa e të rinjve. Vëmendja është fokusuar te marketingu. Trajnerët kërkojnë rezultatet dhe harrojnë zbulimin e të rinjve. Lajthia te Teuta është një i ri me cilësi. Rezultatet duhen, por ekipet duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim, s’e kam fjalën vetëm për Gjirokastrën.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"