Rrëfehet Bonuçi: Nuk e prisja shiritin e kapitenit, dua Champions-in brenda 4 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 10:42

Rrëfehet Bonuçi: Nuk e prisja shiritin e kapitenit, dua Champions-in brenda 4 vitesh

Tregon, tekstualisht, se ka “shijuar një mbrëmje të bukur të futbollit italian dhe spanjoll” dhe dikush normalisht që nuk do të mungojë që të bëjë ironi me këtë. Në të vërtetë, Leonardo Bonuçi nuk ka nevojë që të tregohet dashakeq, sepse nëse i duhet që të thotë diçka nuk ka frikë kurrë që ta bëjë.

bonuci

Fakt është se Leonardo Bonuçi të dielën në mbrëmje ishte në Torino, i vendosur përpara televizorit të shtëpisë për të parë në aksion ish-shokët e tij të skuadrës dhe vetëm që ta thuash kjo të bën një efekt të veçantë, jo më ta jetosh… Dhe kush e di se çfarë ka menduar gjatë atyre 90 minutave, kur kush e di se sa herë e ka dëgjuar në koment frazën se: “Juventusi nuk është më i njëjti pa Bonuçin”.

T’ia kërkosh, në të vërtetë, nuk është se vlen shumë, pasi Leo e likuidon argumentin me pak fjalë: “Në të vërtetë më bëri pak efekt që ta shihja Juventusin përpara televizorit, por tanimë ajo është vetëm e kaluara. E tashmja ime quhet Milan”. Koncepti ishte kuptuar që në Kinë, sepse Bonuçi, kur merr një vendim, është i bindur dhe pengjet nuk bëjnë pjesë në kokën e tij.

Fundja, tani afron edhe debutimi në “San Siro”, me shiritin e kapitenit, nesër në mbrëmje, në Ligën e Europës me Shkëndijën e Tetovës, ku populli kuqezi do të përshëndesë “Mbretin” e ri.

Leo, si ndiheni të qenit një hero ende pa zbritur në fushë?

Mendoja se do të kishte pasur më shumë skepticizëm rreth meje, por ky entuziazëm më shtyn që të jap edhe më shumë. Po pres me padurim që të debutoj në stadiumin tonë. E pranoj se kam pak ankth: “San Siro” është historik dhe ditën e eliminatoreve të Ligës së Europës, edhe pse nuk luaja, ishte një prej herëve të pakta që u emocionova duke hyrë në një stadium. Do të më pëlqente shumë që të shihja të njëjtën atmosferë, stadiumin e mbushur plot me tifozë.

Tifozët nuk kishin dyshime, e mbështetën zgjedhjen e klubit për të qenë ju kapiteni i ri…

Është një përgjegjësi e rëndësishme dhe do të jap gjithçka kam për të mbrojtur këtë fanellë, nga minuta e parë që do ta vesh.

Jemi të bindur, por pyetja është: A e prisnit?

Sinqerisht, jo. E rëndësishme është që të ketë një grup të gjallë dhe Milani është një klub me fat, sepse këtu ka njerëz që dinë të jetojnë në grup.

Si e mori Montolivo faktin e shiritit të kapitenit?

Ishte një zgjedhje e ndarë mes klubit, trajnerit dhe skuadrës. Me Rikardon fola që në ditën e parë për këtë që mund të ndodhte, por ai është një person fantastik, një lojtar i madh dhe askush prej nesh nuk kërkon që të jetë më lart se tjetri, përkundrazi këtu kemi ardhur që të gjithë për të formuar një skuadër të madhe. Ajo që vlen është e mira e përbashkët. Jo kapiteni.

Çfarë do të thotë të jesh lider?

Unë mund të vë në dispozicion karizëm dhe eksperiencë, por është skuadra që të bën të jesh lider. Kam fatin që kam mësuar prej liderëve të mëdhenj si Bufon, Del Piero e Kielini. Ndërsa për sa u përket gjërave të tjera, sekreti është që të bësh grup për gjërat e vogla, në detaje. Milani meriton që të kthehet sa më lart dhe është kjo ajo që klubi më ka kërkuar.

Duke mbetur te liderët dhe shiriti i kapitenit, Alegri sapo ka thënë se ju do të ishit kapiteni i ardhshëm i Juventusit…

Siç e thashë, tani për mua vlen vetëm Milani dhe Juventusi është e kaluara. E falënderoj për atë që ka thënë, me ata u bëra një prej mbrojtësve më të fortë në botë, por kur bën zgjedhje të tilla, pa dyshim që duhet të marrësh në konsideratë edhe përgjegjësitë dhe normalisht edhe pasojat që mund të vijnë. Juventusi dhe Alegri, në sezonin e fundit, kanë bërë zgjedhje konkrete dhe unë normalisht që mora vendimin tim.

Në të vërtetë, Alegri tha gjithashtu se divorci ishte një zgjedhje e juaja…

Sigurisht që vlerësimet e mia nuk ishin më ato të së kaluarës, por zgjedhjen time e ndava edhe me klubin, prandaj nuk është vetëm diçka që e desha unë. Gjithçka nisi nga Oporto (episodi i famshëm kur ai mbeti në tribunë, i përjashtuar nga ekipi), por kishte pasur edhe disa episode të tjera më parë, më pak të rënda.

Herët a vonë, Alegrin mund ta rigjeni në Kombëtare.

Nëse duhet të ndodhë kështu, atëherë kështu le të bëhet. Jemi të gjithë profesionistë, për mua nuk do të ketë asnjë problem. Të kalosh nga Juventusi te Milani mbetet gjithsesi një eksperiencë e veçantë. Shpresoj që të bëj te Milani atë që Pirlo bëri te Juventusi, ndonëse me një itinerar të ndryshëm.

Pse zgjodhët Milanin?

Sepse kishte projektin më ambicioz. Unë jetoj për të fituar sfida brenda e jashtë fushe dhe Fasone e Mirabeli më bënë që në fillim që të ndihem i rëndësishëm, më kërkuan me ngulm, sepse përndryshe tratativa nuk do të kishte zgjatur vetëm 48 orë. Nga ana tjetër, dashuritë ose lindin menjëherë, ose kurrë. Dhe mbi të gjitha nuk është një çështje parash. Ai që më sheh si një mercenar i përgjigjem se kisha edhe disa oferta nga jashtë Italisë, ku pa dyshim që më ofronin shumë herë më shumë sesa Milani.

Edhe te Juventusi ju e nisët në një skuadër që ishte një kantier ndërtimi…

Saktë, shoh shumë analogji mes këtyre dy aventurave. Faktikisht e zgjodha Milanin edhe sepse në kokën time ekziston ndjesia për të përsëritur të njëjtin udhëtim që jetova te Juventusi. E nisëm nga një skuadër që duhej rindërtuar dhe arritëm shumë lart. Por tani që jam te Milani dua që të ngjitem edhe më lart sesa bëra te Juventusi. Në harkun e katër viteve shpresoj që të arrij të fitoj Champions-in. Dua të dërgoj gjithçka në shtëpi.

Cilat janë ndjesitë pas muajit të parë të punës?

Kjo është shtëpia ime e re dhe është shumë e bukur, më pëlqen. Menjëherë e pata ndjesinë e të ndjerit në shtëpi dhe kjo është tepër e rëndësishme.

Pastaj, Milanon si qytet e njihnit që më parë… (duke iu referuar eksperiencës tek Interi)

Për momentin po qëndroj në hotel, në shtator do të hymë në shtëpi. Unë bëj një jetë normale. Madje, disa net më parë shkuam së bashku me kunatin te parku i lodrave… Dhe mbi të gjitha dua që edhe fëmijët e mi të jetojnë në normalitet. Ditën e kaluar mora metronë, Milano ka ndryshuar, ka evoluar. Shumë i bukur si qytet.

Ju shohim shumë të qetë, ose më saktë keni rigjetur buzëqeshjen…

Jam i karikuar dhe më i uritur se kurrë. Do të tentoj që të jap gjithmonë më shumë sesa limitet e mia. Objektivi im është që të shtyj Milanin që të kthehet në Olimpin e futbollit botëror. E zgjodha këtë klub për të rinisur, jam këtu për të fituar.

Për shembull, titullin kampion?

Juventusi mbetet favoritja dhe Napoli ka shanse të mira për titullin. Për momentin, jemi një shkallë poshtë tyre, por nuk duhet t’i vëmë limite vetes. Pas tyre shoh në të njëjtin nivel Romën, Interin dhe Milanin.

Po sikur të vinte edhe një mes Belotit dhe Aubamejangut?

(qesh) Beloti është një që di të tërheqë skuadrën, që punon shumë. Nuk e di nëse do të vijë ai, por kushdo që do të vijë duhet të vihet menjëherë në dispozicion për të punuar për të dyja fazat e lojës, edhe pse mund të ketë rolin e sulmuesit. Një sulmues i nivelit të lartë të lehtëson shumë gjëra dhe mendoj se do të ishte mbyllja më e mirë që mund t’i bënte merkatos stimuluese dhe entuziaste të Milanit.

Ju qëndruat te Juventusi 7 vite dhe tani jeni lidhur me Milanin për pesë vitet e ardhshme. Do të jetë një tjetër cikël i rëndësishëm?

Realisht e shoh veten gjatë te Milani dhe kjo më stimulon për të qenë edhe më “i keq”.

Tifozët e Juves nuk është se janë shumë entuziastë për lëvizjen tuaj. Mjafton të lexosh rrjetet sociale…

Nëse do të isha kushtëzuar nga komentet e jashtme, do të isha larguar nga Juventusi që në vitin 2011 dhe sot nuk do isha te Milani. Më kanë ofenduar, sepse kam ndërruar fanellë, por në rrjetet sociale njerëzit janë të lirë që të bëjnë gjithçka dhe unë s’i mbaj askujt mëri.

Ju ka kërkuar apo ju ka thënë ndonjë gjë të veçantë Montela?

Tek ai shoh shumë dëshirë për t’u përmirësuar dhe për të transmetuar dëshirën për të fituar. Është një trajner mjaft inteligjent, ka një karrierë të rëndësishme si trajner përpara dhe shpresoj që të fitoj së bashku me të. Idetë e tij të futbollit janë mjaft interesante, sepse nuk kisha parë kurrë dikë që të kërkonte të impostonte lojën në një mënyrë të tillë, edhe pse me katër mbrojtës prapa.

Gjithsesi, me ju tani në skuadër herët a vonë mund të kaloni edhe në një mbrojtje me tre lojtarë.

Për mua, me katër apo me tre është njësoj. Madje, me tre lojtarë prapa ka më shumë fushë për të mbrojtur. E dini sa herë jam gjetur një kundër një?!

Po mos ndoshta do t’ju shohim edhe si trajner në të ardhmen?

Absolutisht po, kam 4-5 vite që e mendoj. Do të luaj ende 6-7 vite dhe, më pas, do të stërvis. Kjo është diçka që më ka transmetuar Antonio Konte dhe e gjej veten time shumë tek ai, si ai. Pastaj, dua që të ngre një trofe edhe si trajner...

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"