Rrapa: Në Durrës na mposhti arbitrimi skandaloz, ndaj Laçit nuk dalim duarbosh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2017 | 12:12

Rrapa: Në Durrës na mposhti arbitrimi skandaloz, ndaj Laçit nuk dalim duarbosh

Luftëtari do kthesën ndaj Laçit. Pavarësisht humbjes në “Niko Dovana”, në kampin gjirokastrit ka optimizëm. I këtij mendimi është edhe 28-vjeçari, Oltion Rrapa. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, mbrojtësi thekson se atë që nuk morën dot në Durrës, do e bëjnë ndaj kurbinasve. Ai e pranon se ky sezon nuk do të jetë aspak i lehtë, megjithatë mendon se potenciali që të dëshmojnë vlera nuk u mungon.

luftetari rrapaj

“Kemi startuar kampionatin në Durrës në një ndeshje që prisnim shumë te rezultati pozitiv për ta nisur sa më mirë sezonin e ri futbollistik. Me keqardhje mund të them se jemi mundur në mënyrë të padrejtë nga këta arbitra skandaloz. Gjithsesi, na pret një kampionat i vështirë, ndaj duhet të vazhdojmë përpara duke filluar nga ndeshja e radhës në Laç”, tha fillimisht “polivalenti” i mbrojtjes së bluzinjve.

Edhe pse nuk morën qoftë edhe një pikë me Teutën, gjirokastritët garantojnë se edhe këtë sezon do vijojnë me paraqitjen e tyre surprizuese, ashtu si një vit më parë.

“Besoj se me grupin që kemi do të vazhdojmë të tregojmë Luftëtarin e vërtetë. Që në ndeshjen me Laçin të gjithë futbollistët e pranishëm në fushën e blertë do të dinë të ngrenë më lart emrin e Luftëtarit, ku gjithsecili shpreh bindjen e plotë së do të japë më shumë se 100% të kapacitetit të tij. Laçi meriton konsideratë dhe vlerësim, ndaj të gjithë duhet t’i bëjmë ‘hyzmetin’ kundërshtarit, tashmë më i fortë se një vit më parë.

Në Laç shkojmë me objektiv të qartë, për të mos dalë duarbosh”, përfundoi Rrapa. Luftëtari do të udhëtojë drejt Kurbinit me mungesa të rëndësishme. Vangjel Zguro, Eduart Rroca, Fabricio Nunjez nuk do të jenë në fushë këtë fundjavë. Dy të parët janë të dëmtuar, ndërsa sulmuesi 32-vjeçar nga Uruguai do të vuajë penalizimin e kartonit të kuq të akorduar nga Hamitaj.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"