Rraklli: Kundër Francës luajmë në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2015 | 10:01

Rraklli: Kundër Francës luajmë në mbrojtje

?

?

Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave do të luajë të premten ndeshjen e tretë të “Euro 2017”- ës e vlefshme për Grupin 3. Në një konferencë për shtyp, trajneri Altin Rraklli përkrah kapitenes Aurora Seranaj u shpreh për vështirësinë e kësaj ndeshjeje, njëherësh largoi panikun për akte të mundshme terroriste nga ISIS. “Është një ndeshje e vështirë, pasi luajmë me një nga elitat e futbollit të femrave europian dhe botëror. Megjithatë, në këto ndeshje, ne nuk kemi çfarë të humbim, përveçse mund të përfitojmë. Edhe nga eksperienca që kanë këto skuadra do të përfitojmë sa të kemi mundësi. Do të japim maksimumin në fushën e lojës, duke përfaqësuar sa më denjësisht ngjyrat e flamurit tonë. Kundërshtarin e njoh mirë. E kam ndjekur në finalet e botërorit të verës që u zhvillua në Kanada. Ka lojtare individuale me përgatitje shumë të lartë fizike e tekniko-taktike. Mbi të gjitha atletike. Kanë disa lojtare shumë të shpejta. Do ta kemi shumë të vështirë, por besoj se me taktikat që do të ndjekim do t’i ndalojmë”. Sipas Rrakllit, ndryshe nga objektivat e Francës, prioritet i tyre është masivizimi i këtij sporti. “Në ndeshje do të hyjmë me lojtaret më të mira që kemi në dispozicion dhe që të marrim më të mirën. Në rastin konkret, ne do të luajmë një lojë kolektive mbrojtëse duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Por nëse do të na krijohet mundësia, patjetër që edhe do të sulmojmë. Sa i përket alarmit për sulme terroriste, për ne në fakt rezultati është në plan të parë. Ne jemi përqendruar te futbolli, te përgatitjet tona për këtë ndeshje. Gocat nuk e kanë përmendur fare. Ndoshta janë më trime sesa kemi menduar (qesh). Nuk ka asnjë shkak për alarm, pasi Federata së bashku me institucionet përkatëse kanë treguar deri tani se kanë ditur të marrin përsipër ndeshje shumë më të vështira sesa kjo e jona ndaj Francës. Pra, nuk ka asnjë arsye që të jemi në panik. Besoj se edhe federata homologe është në një mendim me mua. Në dijeninë time nuk ka një shkresë zyrtare nga SHISH që ekziston e vërtetë një histori e tillë”. I pyetur nga “Panorama Sport” nëse pala franceze i ka kërkuar homologes shqiptare për forca të larta sigurie, tekniku Rraklli shtoi: “Më mirë kësaj pyetjeje mund t’u përgjigjen përgjegjësit në Federatë. Unë shumë pak di, pasi gjithë kohës jam marrë me përgatitjet dhe jo me problematikën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"