Rraklli i sigurt: Në Portugali marrim pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2014 | 9:57

Rraklli i sigurt: Në Portugali marrim pikë

femratKombëtarja shqiptare e futbollit për femra realizoi në Durrës seancën e fundit stërvitore përpara udhëtimit për në Portugali. Ekipi i trajnerit Altin Rraklli është nisur dje rreth orës 04:00 drejt Lisbonës, ku më datë 12, ora 20:30, do të përballet me Portugalinë për raundin kualifikues të Kupës së Botës, Grupi 5. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Rraklli tregon se nuk është shumë i kënaqur nga gjendja sportive e lojtareve. “Për fatin tonë të mirë ekipi është i plotë dhe nuk kemi asnjë dëmtim. Gjithashtu nuk kemi asnjë mungesë prej kartonëve, çka na favorizon shumë në sfidën ndaj portugezeve. E vetmja mungesë për ne është lojtarja Arbnora Robeli, ndërsa vajzat e tjera të ftuara janë të gjitha. Ajo që më shqetëson mua në prag të kësaj sfide është gjendja jo shumë e mirë e lojtareve. Shumica prej tyre nuk janë në aktivitet sportiv, pasi në kampionatet ku ato aktivizohen, kjo periudhë është pushim. Disa nga lojtaret tona kyçe luajnë në kampionatet e veriut të Europës, ku përgjatë kësaj periudhe nuk ka pasur aktivitet prej motit. Lojtaret janë përpjekur vetë të ruajnë formën fizike, por sigurisht që nuk është e njëjta gjë si të ishin në aktivitet”.
Optimist – Rraklli tregohet optimist dhe thekson se do të dalin me pikë nga përballja e së mërkurës. “Sigurisht, portugezet janë favoritë, por niveli i tyre nuk është shumë më lart se i yni. Nëse do të bëja një krahasim, do të thosha se Portugalia ka pak a shumë nivelin e kombëtares belge. Ne do të përpiqemi të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe t’i godasim në kundërsulm. Ato kanë 2-3 lojtare shumë të rrezikshme, për të cilat do të përgatisim një mbulim më të veçantë”, – nënvizoi më tej trajneri kavajas.
“Eksodi” i kosovareve – Në fund Rraklli flet edhe për mundësinë që kanë lojtaret e shumta me origjinë nga Kosova për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës, duke qenë se asaj tashmë FIFA i ka dhënë leje për të luajtur miqësore. Ai jep garanci se nuk do të ketë asnjë largim nga përfaqësuesja kuq e zi dhe se për këtë çështje ka biseduar personalisht me të gjitha lojtaret që kanë origjinë nga Kosova. “Unë kam biseduar me të gjitha lojtaret që aktualisht janë pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Të gjitha vajzat janë 100 për qind të bindura se duan të japin kontributin e tyre për kombëtaren kuqezi, për kombëtaren e shqiptarëve. Të gjitha janë shprehur se janë shumë krenare që i përfaqësojnë këto ngjyra, ngjyrat reale të kombit shqiptar”, – përfundoi fjalën e tij Altin Rraklli.
ROLAND GJINI

LISTA E FUTBOLLISTEVE
Pëllumbesha Gjyli
Desantila Hoxha
Albina Rrahmani
Fitore Govori
Erida Bajrakurtaj
Xhulieta Preçi
Denisa Proto
Cyme Lulaj
Lucije Gjini
Furtuna Velaj
Geldona Morina
Xhemile Berisha
Dafina Memedov
Dielona Luta
Aurora Seranaj
Ellvana Curo
Ana Baro
Suada Jashari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"