Rotacion në formacion për ndeshjen me Dinamon, Duro: I shkojmë deri në fund Kupës

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 13, 2017 | 12:29

Flamurtari Kategoria Superiore Të fundit

Rotacion në formacion për ndeshjen me Dinamon, Duro: I shkojmë deri në fund Kupës

Flamurtari do të kërkojë të fitojë Kupën e Shqipërisë këtë edicion. Pengesa e parë e vlonjatëve është Dinamo, por trajneri Shpëtim Duro pret që skuadra e tij të shkojë deri në fund të këtij kompeticioni. Dje, në një prononcim për “Panorama Sport”, Duro theksoi se Kupa mbetet një ndër objektivat…

Flamurtari do të kërkojë të fitojë Kupën e Shqipërisë këtë edicion. Pengesa e parë e vlonjatëve është Dinamo, por trajneri Shpëtim Duro pret që skuadra e tij të shkojë deri në fund të këtij kompeticioni. Dje, në një prononcim për “Panorama Sport”, Duro theksoi se Kupa mbetet një ndër objektivat kryesorë për ekipin që drejton.

duro

“Kupa e Shqipërisë është patjetër objektiv për Flamurtarin, por gjithçka varet hap pas hapi. Do të kalojmë turet me radhë dhe në fund do të shikohet se ku do të shkojmë.

Ne jemi këtu për të dhënë më të mirën në fushën e lojës edhe në këtë kompeticion, që patjetër është i rëndësishëm. Kështu që e ritheksoj se Kupa e Shqipërisë është një objektiv madhor për ne”, deklaroi fillimisht kreu i pankinës vlonjate.

DINAMO

Flamurtari do të ketë përballë një emër të madh të futbollit shqiptar, por që prej pesë vitesh endet në Kategorinë e Parë. Trajneri kuqezi analizoi kundërshtarin dhe sipas tij Flamurtari do të vlerësojë maksimalisht blutë. “E vlerësojmë maksimalisht ndeshjen me Dinamon. Është takimi i parë i Kupës, por nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne.

flamurtari bicaj

Dinamo nuk është kundërshtar i dobët. Kanë lojtarë të mirë në përbërje dhe klubi ka emër të madh. Shkojmë në këtë ndeshje me respekt maksimal për kundërshtarin dhe seriozitet për të bërë më të mirën. Duam që të marrim një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të parë, në mënyrë që ta kemi më të lehtë për kthimin në Vlorë”, theksoi trajneri.

NDRYSHIMET

Duro konfirmon për gazetën se sot do të hedhë në fushë një formacion ndryshe nga ai kampionatit. “Do të kemi rrotacion në formacion për ndeshjen me Dinamon.

Flamurtari

Te Flamurtari nuk ka lojtarë stoli, pasi janë të gjithë të rëndësishëm. Në ndeshjen e parë do të kemi një formacion të alternuar. Do të kemi lojtarë që kanë qenë pjesë e formacionit, por edhe ata që nuk kanë patur hapësirat e mundshme.

Unë dua t’i shikoj më mirë dhe se si do të paraqiten nesër (sot)”, përfundon Duro. Ndërkohë, duke qenë se synimi i vlonjatëve është pjesëmarrja në Europë, rruga për ta arritur këtë qëllim nga Kupa duket më e mundshme.

ERMAL SIKA






www.minuta90.com