Rosi shfryn ndaj Markezit: Nuk e prisja, më mashtroi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2016 | 7:00

Rosi shfryn ndaj Markezit: Nuk e prisja, më mashtroi

Pak më shumë se një javë përpara startit të Botërorit të MotoGP-së i planifikuar të dielën e 20 marsit me Çmimin e Madh të Katarit, Valentino Rosi është i gatshëm për t’u hakmarrë për humbjen e vitit 2015. rosi markez“Pas asaj që ndodhi mes nesh nuk mund të ketë një marrëdhënie miqësore. Megjithatë, ne do të jemi kundërshtarë në pistë të paktën edhe për disa vite besoj, ndaj duhet të respektojmë njëri-tjetrin. Kjo është e rëndësishme”.

Mes të tjerash, “Doktori” do të deklaronte: “Ai me të vërtetë më tradhtoi. Ai më tha se ishte një tifoz i tij, por të gjitha ato ishin gënjeshtra. Unë i kam besuar atij dhe kam qenë i gatshëm që të kem një rivalitet me të duke dhënë 100 për qind në pistë, por në fund të gjitha ato që ai pretendonte ishin gënjeshtra.

Në Asen kuptova se ai ishte miku im vetëm kur më mposhte”. Ndërkohë, nga ana e tij, Markez gjithmonë ka mohuar se ai është përpjekur për të ndihmuar Lorencon sezonin e kaluar.

Dyshja do të vendoset përballë njëri-tjetrit në konferencën e së mërkurës në Katar. Së bashku me ata në panel do të jenë edhe Lorenco, shoku i skuadrës te Honda Dani Pedroza, Dukati i Andrea Ianones dhe piloti i Suzukit, Maverik Vinales.

Kjo do të jetë hera e parë që Rosi dhe Markez do të jenë pranë njëri-tjetrit që prej Sepangut. Gara e së dielës së ardhshme pritet të jetë edhe dueli i parë mes tyre në pistë që nga precedenti i Malajzisë.

Rreth spekulimeve për të ardhmen e tij në MotoGP, 37-vjeçari la të kuptohet se synon të garojë edhe për dy vjet të tjera në këtë sport me Yamahan me shpresën për të fituar titullin e dhjetë botëror në karrierë.

“Pas pesë apo gjashtë garave do të vendos se edhe sa do të konkurroj, por që jam mjaft i bindur se edhe disa vite të tjera do t’i kaloj me Yamahan. Në moshën 39-vjeçare unë mund të marrë pjesë edhe në disa gara makinash si 24 Orë në Le Mans ose Dakar Rally”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"