Rosberg pritet si hero në vendlindje: Me Hamiltonin nuk ka miqësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2016 | 14:33

Rosberg pritet si hero në vendlindje: Me Hamiltonin nuk ka miqësi

Vazhdojnë festimet për Niko Rosberg, i cili me vendin e dytë të arritur në Çmimin e Madh të Abu Dhabit fitoi titullin botëror në Formula 1 për herë të parë në karrierë. Piloti gjerman i Mercedesit ka bërë një ndalesë ditën e djeshme në Viesbaden, një nga qytetet më të vjetra në Europë, ku edhe erdhi në jetë më 27 qershor 1985. Ai u prit nga një turmë e madhe e bashkatdhetarëve të tij.

Rosberg feste Gjermani

Në vazhdën e festimeve për titullin, Rosberg rikthehet të flasë edhe për marrëdhëniet e tij me shokun e skuadrës, Luis Hamilton. “Luis Hamilton është një nga pilotët më të mirë të të gjitha kohërave, është në nivelin më të lartë të mundshëm. Që të rinj kemi qenë miq, por tani është e pamundur që me të të kesh marrëdhënie të mira. Ne luftojmë për titull dhe do të jetë gjithnjë e më e vështirë mes nesh. Unë nuk e di se si ndihet ai tani, por di të them se si jam ndier në vitin 2014 dhe 2015, kur ai fitoi botërorin. Për mua ishte shumë e vështirë ta kaloja një moment të tillë, kësisoj edhe atij do t’i duhet më tepër kohë”, tha gjermani.

Ndërkohë, Keke Rosberg, babai i kampionit të sapokurorëzuar, ka zbuluar se nuk e ka ndjekur live “Grand Prix”-in e Abu Dhabit. Rosberg Sr., i cili fitoi kampionatin botëror 1982 me Uilliams, e ndoqi garën vendimtare të gjithë vitit në një hotel në Dubai dhe shkoi në fund në cirkuitin e Yas Marinas. Ai ka mbajtur një profil të ulët përtej ecurisë pozitive të të birit, duke refuzuar të gjitha kërkesat për intervista dhe se nuk ka parë asnjë garë nga afër.

“Erdhi koha që të bënte një hap prapa, – tha Keke Rosberg, ndërsa djali po ecën në gjurmët e tij. – Diskutuam me Nikon dhe i thashë: ‘Shiko, unë nuk mund të vij’. Nuk mendoj se ai e dinte saktësisht se ku isha, por e dinte se unë isha në Dubai”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"