“Ronaldon e mundim, të pandëshkueshëm”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2014 | 15:04

“Ronaldon e mundim, të pandëshkueshëm”

LevMisioni “Kampion Bote 2014” nisi zyrtarisht për Gjermaninë. Kombëtarja gjermane do përballet sot, në orën 18:00, ndaj Portugalisë së Bentos. Trajneri gjerman Joakim Lëv ka bërë gati armatën e tij dhe gjatë konferencës për shtyp shprehet mjaft optimist për ta nisur me fitore këtë Botëror si dhe u bën apel lojtarëve se kupa fitohet me 23 dhe jo me 11 lojtarë. Kurse Portugalinë, Lëv i vlerëson, por pohon se Gjermania e tij është e pandëshkueshme. Kujtojmë se Lëvi i ka fituar të tria përballjet me “luzitanët” (3-1, 3-2, 1-0).
Z. Lëv, cilat janë pritshmëritë për sfidën e parë të Botërorit?
Mendoj se do startojmë shumë mirë këtë botëror. Gjatë stërvitjes, të gjithë lojtarët kanë qenë të shkëlqyer dhe në superformë. Më në fund startojmë, dhe për ne nuk ka ndjesi më të bukur, se ta nisim me një fitore të bukur ndaj Portugalisë.
Ndiheni vërtet i sigurt për fitoren ndaj Portugalisë?
Ne kemi treguar në vitet e kaluara se kemi në skuadër potencial të lartë. Jemi përmirësuar së tepërmi sidomos në lojën në grup. Lojtarët e dinë dhe e kanë mësuar se trofeu më i rëndësishëm në botë nuk fitohet me 11, por me 23 lojtarë dhe e ndjekur nga fati. Nëse japim në fushë maksimumin tonë, atëherë Portugalia s’ka shanse të na ndëshkojë. Jam shumë i lumtur që të gjithë lojtarët janë të aktivizueshëm.
Shumë trajnerë janë ankuar nga vapa e madhe. Ju e keni këtë problem në Salvador?
Nuk e kam provuar ende në fushë, por për mua klima nuk është më problem. Këto janë kushtet. Kushtet klimatike te resorti ynë dhe në Salvador janë shumë të ngjashme, prandaj nuk është temë diskutimi. Ne erdhëm më herët për t’u përshtatur më mirë.
Ronaldo ka kërcënuar Khedirën. A i trembeni Portugalisë?
Në fakt nuk e di nëse do jetë gati ndaj nesh. Nëse do jetë në superformë, atëherë është lojtari më i rrezikshëm në botë. Por, Portugalia nuk është vetëm Ronaldo. Ne i kemi marrë masat si të frenojmë kundërsulmet e tyre të shpejta. Nëse ai ka marrë flakë, atëherë ne do dimë s’i t’ia shuajmë atë.
Podolski, Shyrrle, Klose, cilët kanë shanse të luajnë nga minuta e parë?
Si Podolski edhe Shyrrle janë kandidatë për formacion. Shyrrle ka avancuar së tepërmi te Çelsi, kurse Podolski ka një energji të jashtëzakonshme. Ndërsa Klose pres të jetë golashënuesi më i mirë. Nuk mund të heq dorë nga një lojtar si ai. Është i pazëvendësueshëm. Përqendrimi ynë do jetë maksimal nga porta te sulmi.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"