Ronaldo zbulon sekretet: Kam lindur për të fituar. Kur të tjerët flinin, unë stërvitesha fshehurazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 19:02

Ronaldo zbulon sekretet: Kam lindur për të fituar. Kur të tjerët flinin, unë stërvitesha fshehurazi

Shumë e kanë kritikuar Kristiano Ronaldon ndër vite, aq shumë sa ai ka preferuar që ta mbajë historinë e tij në guaskë. Por ai ka vendosur që t’i rrëfejë disa nga sekretet e tij përmes një letre emocionuese për “The Player’s Tribune”. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Realit zbulon detaje që nga humbja e babait të tij, deri te kultivimi i ambicies së tij për t’u bërë ai që është sot. “Im atë ishte magazinieri i FC Andorinjës. Ai më nxiste që të shkoja dhe luaja për të rinjtë atje”, rrëfen CR7.

Ronaldo

“E dija që kjo do ta bënte atë krenar dhe shkova. Më pëlqeu dhe duke u regjistruar në atë skuadër kultivova ndjesinë e fitores”. Por nëse sot Kristiano është një nga sportistët më të pasur të planetit, kur ishte i vogël familja e tij nuk kishte mjaftueshëm për të ardhura, aq sa për të blerë një palë taka futbolli.

“Është e vërtetë që nuk kishim shumë para në atë kohë”, vijon ish-ylli i Mançester Junajtid. “Jeta në Madeira nuk ishte e lehtë atëherë. Unë luaja me disa këpucë të vjetra që i kisha trashëguar nga vëllai dhe një palë që ua kisha marrë borxh kushërinjve”. Është thuajse e pabesueshme që të shohësh një futbollist, i cili ka fituar thuajse dy herë çdo trofe të mbetet kaq i përkushtuar dhe të vazhdojë të punojë kaq fort.

Kristiano Ronaldo

Por ai thotë se ambicia për sukses është diçka që ka lindur bashkë me të 32 vite më parë: “Pas 400 ndeshjesh me Realin, të fitoj është ende ambicia ime më e madhe. Është gjithçka për mua dhe mendoj se kam lindur për të fituar, edhe pse ndjesitë që përjetoj kur fitoj kanë ndryshuar, sepse sot jam në një kapitull të ri të jetës sime”.

Shpërthimi i parë i Ronaldos në elitën e futbollit portugez erdhi kur ai luante për Sportingun e Lisbonës, me të cilët debutoi që adoleshent dhe ra menjëherë në sy talenti.

Ronaldo u bë pjesë e akademisë së klubit prej moshës 11-vjeçare: “Isha 11 vjeç ditën që u transferova nga ishulli në akademinë e Sportingut. Ishte periudha më e vështirë e jetës sime, të cilën e kujtoj shumë qartë. Qaja çdo ditë në akademi. Isha në vendin tim, por më dukej sikur isha jashtë.

Familja kishte mundësi të më vizitonte vetëm një herë në 4 muaj. Bëja gjëra që fëmijët e tjerë nuk i bënin dot atje. Dhe ata i thoshin njëri-tjetrit: ‘E pe çfarë bëri ai?’, ‘Ai është një kafshë’.

Ronaldo

Nisa ta dëgjoj këtë çdo ndeshje, edhe prej trajnerëve. Por më pas dikush do thoshte gjithnjë: ‘Po, por sa keq që është kaq i vogël’. Dhe ishte e vërtetë, isha i dobët, nuk kisha masë muskulore. Kështu që vendosa të punoj më shumë me trupin tim. Dilja natën nga konvikti për t’u stërvitur.

Kur mbusha 15 vjeç iu ktheva disa shokëve dhe u thashë: ‘Një ditë do të bëhem më i miri në botë’. Ata nisën të qeshin, sepse atëherë unë nuk isha ende në ekipin e parë.

01ronaldo1

Duket çmenduri, por im bir, Kristiano Zhunior, i cili është 7 vjeç aktualisht… e kam të vështirë ta imagjinoj se si do të ndihesha nëse në katër vite do të isha duke e ndihmuar atë për të bërë gati valixhet për në Londër apo Paris”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"