Ronaldo: Tregova muskujt pas golit, sepse jam seksi. E pashë çfarë kisha realizuar vetëm kur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 22:45

Ronaldo: Tregova muskujt pas golit, sepse jam seksi. E pashë çfarë kisha realizuar vetëm kur…

Një humbje me Mançester Junajtid, e cila korrespondoi edhe me golin e tij të parë në Ligën e Kampioneve, me fanellën e Juventusit. Madje, portugezi ishte ai që i dha avantazhin bardhezinjve, por një përmbysje e çmendur e “Djajve të kuq” në katër minutat e fundit të lojës bëri që festa e “CR7”-ës të humbte shijen që mendohej në rast suksesi. Gjithsesi, një ditë pas kësaj disfate, sulmuesi tregon se emocionet për golin, madje vetëm në dhomat e zhveshjes e kishte kuptuar edhe bukurinë e tij.

ronaldooo

Kristiano, një tjetër gol spektakolar në Champions. Çfarë note do t’i vijë këtij të pari në Europë me Juventusin?

Për momentin nuk e kuptova se çfarë kisha arritur të bëja. Kur zbrita në dhomat e zhveshjes, pas përfundimit të ndeshjes, e pashë në televizor, e ripashë disa herë dhe mund të them se ishte një gol fantastik. Bëra një lëvizje të shkëlqyer dhe e godita fort, një aksion thjesht perfekt. Mendoj se notën e kuptuat qartë…

Tashmë u zhbllokove edhe në Europë, ndonëse një gol si ai meritonte ndoshta të vlerësohej me një fitore…

Isha shumë i lumtur për golin, por është po kaq e vërtetë se jemi pak të zhgënjyer për rezultatin e arritur në fushë. Pavarësisht kësaj, mendoj e kjo humbje nuk na turbullon aspak, madje nuk dhemb në lidhje me renditjen tonë, pasi ju garantoj se do ta mbyllim të parët grupin.

Dukeshit aq i lumtur për golin, sa ngatërruat edhe mënyrën e festimit. Këtë herë nuk pati kërcim, por treguat muskujt e barkut…

Nuk është se e ngatërrova festimin dhe po, isha shumë i lumtur, pasi ua kisha borxh tifozëve të Juves golin tim të parë në Champions, një gol spektakolar për t’i përshëndetur, për gjithë dashurinë që ata tregojnë ndaj meje dhe skuadrës. Por për sa u përket muskujve të barkut, këtë herë vendosa t’i tregoj sepse kështu i pëlqen të fejuarës sime, Xheorxhinës. Ajo më thotë se dukem shumë seksi kur e bëj këtë gjë… (qesh)

Çfarë ju bëri të shpërqendroheshit në fund?

Nuk e di, ndoshta për faktin se kundër Mançester Junajtid, duke parë atë që po bënim në fushë, menduam se e fituam ndeshjen. Bëmë një lojë realisht madhështore, kundër tyre mund të kishim fituar lehtësisht. Meritonim të dilnim nga fusha të paktën me një rezultat 3-0, 4-0, por ky është futbolli, edhe pse nuk ka pse të jemi në panik.

Sa do t’ju vlejë kjo humbje, në pritje të Milanit?

Ne jemi një skuadër e madhe sepse dimë të mësojmë nga gabimet tona, prandaj ky është një leksion i mirë për ne, në pritje të Milanit dhe vazhdimit të sezonit. Thjesht, duhet të ishim treguar pak më të kthjellët, duke ditur që ekipet angleze në goditjet standarde janë të rrezikshëm, por duhet ta harrojmë këtë humbje dhe të kthehemi te fitorja të dielën.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"