Ronaldo, rrëfehet ambasadori i Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2014 | 19:14

Ronaldo, rrëfehet ambasadori i Botërorit

RonaldoPesha e padurueshme e të qenurit Ronaldo, nuk është më perifrazimi i ironik i titullit të librit të Milan Kunderës, të cilët gazetarët brazilianë përdornin në 2006-n, kur në Gjermani, fenomeni peshonte 95 kilogramë dhe përhapeshin batutat e të qenurit “mbipeshë”. Sot Roni nuk është një trup i skalitur si disa vite më parë, kur humbi 23 kilogramë pas pjesëmarrjes në një “reality show”, por as i shëndoshë si në ditët e tij më të këqija: “Nuk luaj futboll prej muajit mars, ndeshjes së bamirësisë në Bernë, Miqtë e mi kundër Miqve të Zidanit. I thashë mjaft për pak kohë. I thashë mjaft edhe golfit, ndoshta sepse mërzitem shpejt me gjërat që bëj, kështu ka qenë gjithnjë. Për ta kompensuar, luaj shumë tenis, sa herë gjej mundësinë”, rrëfen legjenda gjatë një interviste për italianen “Gazzetta dello Sport”. Në Brazil nuk ka më ekuilibra, aq më tepër për një emër me peshë si Ronaldo, i cili edhe sot e kësaj dite kur përmendet, përcjell shumë dashuri dhe urrejtje, admirim dhe kritika të ashpra. Ose i falin gjithçka ose asgjë dhe Ronaldo gjendet gjithnjë në mes dhe do bënte gjithçka për ta shmangur. Dhe këto ndjesi i shpreh gjatë 24 orëve që shoqërohet nga gazetarët, duke udhëtuar nga San Paolo në Rio de Zhaneiro, duke folur për futbollin dhe periferinë, pak në shtëpinë e tij, gjatë drekës, në makinë dhe në avion duke parë nga lart “Marakanan”. Problemi është se ambasadori i organizmit të Kupës së Botës nuk mund të jetë kudo, sepse ndodh dhe si në rastin kur djali i tij Ronald duhej të operohej me urgjencë nga apendiciti dhe fenomeni thotë i revoltuar: “Nuk mund të jem pranë tij në spital”.
Mes dashurisë dhe urrejtjes – Problemi është se Luis Nazario de Lima sot është këtu e nesër kushedi ku tjetër: ai është menaxheri i kompanisë së tij të marketingut sportiv dhe komentator i “Tv Globo” në San Paolo (“Do ta bëj këtë punë deri në fund të Botërorit. Do komentoj ‘live’ të gjitha ndeshjet e ‘seleçaos'”), ndërsa duhet t’i japë përgjigje edhe një oferte të “Al Xhazirës”; ai është edhe i rekomanduari i “Nike” në Rio, sepse shtëpia ku do vendosen zyrat e kolosit amerikan nuk quhet rastësisht “fenomenal”; ai është edhe ambasadori i FIFA-s në Fortaleca, ku sapo është inauguruar “Fan Fest”; dhe më pas ndodh që edhe Paulo Koelho, një jo dosido, por shkrimtari i famshëm brazilian, e quan idiot: “Nuk kishte arsye për të më fyer në atë mënyrë, por duhet të them se ai ishte viktimë e mungesës së informacionit të saktë. Ia kanë raportuar keq disa deklarata të mia në vitin 2011. Unë nuk thashë se një Botëror nuk bëhet me spitale, por me stadiume. Unë thashë se për një Botëror, stadiumet janë të domosdoshme, çka nuk do të thotë se nuk na duhen spitalet. Na duhet edhe infrastruktura e transportit, një shkollë që funksionon, rroga jo të ulëta dhe gjithçka tjetër kërkojnë njerëzit”.
Por ju keni thënë dikur se “si po shkojnë gjërat, FIFA nuk do na zgjedhë më të organizojmë një Botëror”. A do ta përsëritnit sërish?
Në të vërtetë unë kam thënë diçka tjetër. Kam thënë që të organizosh një Botëror është diçka unike. Që herën e fundit kjo ndodhi në vitin 1950 dhe unë nuk kisha lindur ende dhe se ndoshta kur ta organizonim sërish, unë do të kisha vdekur. Por dihet që FIFA i ndryshon vendet mikpritëse.
Domethënë nuk varet nga vështirësitë dhe vonesat që kanë të bëjnë me organizimin?
Nëse do thosha se FIFA nuk ka pasur probleme, atëherë do isha një gënjeshtar. Por ata kishin probleme edhe në Afrikën e Jugut katër vite më parë. Problemi nuk është vetëm Brazili. Problemi është se të organizosh një Botëror është një sipërmarrje e vështirë dhe kur unë luaja në fushë, nuk e kuptoja. Tani po.
Fakti është se njerëzit nuk kuptojnë, janë të zhgënjyer dhe ndihen të nëpërkëmbur.
Si gjithnjë kur premtimet nuk mbahen. Qeveria e kishte siguruar FIFA-n për disa gjëra, që mirë apo keq, ndoshta në fund do t’i realizojë. Por nga ajo që është premtuar 7 vite më parë, është bërë pak a shumë 30%: autostrada, aeroporte, spitale, shkolla dhe hotele. Shiko, unë këdo që proteston për këto e kuptoj, por do t’i kuptoj edhe më shumë nëse do të protestojnë në tetor kur të mbahen zgjedhjet për presidentin e ri, jo tani që është Botërori.
Por këta njerëz vijnë poshtë zyrës tuaj edhe pse Ronaldo është shprehur se ndaj protestuesve duhet ushtruar dhunë po të jetë e nevojshme.
Për vandalët dhe jo ndaj protestuesve. Ai që proteston paqësisht ka të gjithë mirëkuptimin tim dhe për gjëra të veçanta kanë të drejtë të ndihen të zemëruar. E kam thënë me qindra herë. Por ai që di të protestojë duke shkatërruar gjithçka, për mua, meriton burgun, përveçse dhunës.
Duhet të presim skena lufte civile në çdo ndeshje, ashtu si një vit më parë?
Nuk besoj, dhe këtë herë do të jemi më të përgatitur. Është bërë një punë e shkëlqyer për nivelin e sigurisë. Çdo qytet do të ketë një qendër kontrolli për të shmangur protestuesit, për më tepër banditët.
Por nëse në fund do t’ju duhej të nxirrnit një përfundim, brazilianët janë të kënaqur apo jo që e organizojnë në shtëpinë e tyre Botërorin?
Për atë që unë di, më shumë se 70% janë pro. Dhe tani vendi ka hyrë në klimën e Botërorit dhe njerëzit mezi presin të startojë.
Dhe sot Ronaldo ndihet më i gëzuar apo i trishtuar?
Tani ndihem i gëzuar, sepse gjithçka është gati të nisë, dhe se në fund Brazili do tregojë se është në lartësinë e duhur. Askush nuk e përjeton futbollin me pasion siç e bëjmë ne dhe do jetë mbi të gjitha një Botëror i një niveli sportiv shumë të lartë, shumë herë më i bukur se turnetë e fundit, jam i sigurt për këtë.
Edhe pse do bëjë një i nxehtë i tmerrshëm?
Shikoni se këtu është dimër dhe nuk jemi as një vend arab…
Fiton Brazili?
Është skuadra më e fortë dhe do të ishte e tillë edhe po të mos luante në shtëpi. Ka mjaft presion, por a ka ndodhur ndonjëherë që “selaçao” të mos ketë pasur? Dhe pastaj Skolari ka thënë se ne jemi të dënuar të fitojmë, apo jo?
Pastaj është edhe Nejmari, i cili me Brazilin luan më mirë se me Barcelonën, apo jo?
Eh, si për vit të parë në Europë dhe mbi të gjitha duke luajtur përkrah dikujt që të rrëmben gjithnjë skenën si Mesi, ka shkuar mjaft mirë. Është vetëm 22 vjeç dhe ka shumë kohë përpara për t’u përmirësuar. Megjithatë, është e vërtetë se ndeshjet më të mira i ka bërë me fanellën e Brazilit. Më mirë për Skolarin.
Këtu dikush nuk e fal humbjen e Diego Kostës…
Edhe këtu duhet kuptuar se kush thotë të vërtetën. Lojtari thotë se Felipao (Skolari) nuk i ka telefonuar kurrë, ndërsa mua trajneri më ka thënë të kundërtën. Por pa bërë shumë zhurmë, Fredi vazhdon të shënojë. Mjafton që të mos i kërkojmë që të jetë Ronaldo ose Romario i ri. Ai vetë i pari e ka thënë. Nuk e di nëse një ditë do kemi një Ronaldo të ri, por sot për sot nuk e kemi. Ndoshta një ditë do na vijë dhe mua nuk do më vinte aspak keq po të ndodhte.
Ndoshta do t’ju vinte keq më shumë për diçka tjetër. Pak ditë më parë, gjatë një transmetimi “live” në TV, ju erdhi lajmi se një lojtar i Gjermanisë ishte dëmtuar, dhe përpara se të mësonit se ai ishte Rojsi, instinktivisht pyetët: “Mos është Klose”? Do arrijë ta thyejë rekordin e golave në një Botëror (Ronaldo ka 15 gola, gjermani 14)?
Mund të ndodhë. Edhe unë theva rekordin e dikujt tjetër dhe nuk pretendoj se jam i përjetshëm. E mbi të gjitha, ajo që do bëjë Klose nuk do t’ia zbehë aspak shkëlqimin asaj që kam arritur unë.
Mesi me Argjentinën ka bërë pak dhe vazhdon të vjellë në fushë. Përse?
Nuk ka një shpjegim logjik, por në Botërorin e tij të tretë, është detyrim për të më shumë se për Nejmarin, Balotelin apo këdo tjetër që të bëjë hapin e fundit. Me Barcelonën ka treguar cilësi jashtë të zakonshmes, por vetëm një Botëror të bën me të vërtetë të pavdekshëm.
Më i fortë Mesi apo Kristiano Ronaldo?
Sot është pa dyshim Kristiano. Por tani duhet të kurojë mirë këtë tendinopatinë në gju. E njoh këtë lloj dëmtimi.
Më e fortë Argjentina apo Spanja?
Për Argjentinën flitet pak. Për mua është shumë e fortë. Por Spanja ka të njëjtin brez që fitoi Botërorin dhe Europianin dhe unë i besoj më shumë kompaktësisë së një grupi, sesa nivelit të motivimit.
Edhe pse “tiki-taka” ka dhënë shenja rënieje në nivel klubi?
Kemi qenë të dashuruar me atë stil loje dhe befas, në një çast, e quajmë të vdekur? Më duket pak e ekzagjeruar.
Pra është Brazili, Argjentina, Spanja. Po më pas?
Pastaj vjen Gjermania. Por kujdes Italinë. Shkon në fund thuajse gjithnjë.
Thuajse gjithnjë? Po në 2010-n?
Një gjë e tillë ndodh vetëm një herë, nuk ka herë të dytë. Është e vërtetë që ka një prej grupeve më të vështirë, për të mos thënë më të vështirin, por për mua mund të renditet e para. Dhe pas kalimit të grupit, mund të ndodhë gjithçka.
Përse shikon më tepër favorite Italinë, sesa Anglinë dhe Uruguain?
Sepse në një Botëror vlen tradita dhe atë Italia e ka solide. Ka një siguri të madhe në mbrojtje dhe inteligjencë fantastike taktike.
Por në testin me Fluminensen nuk e pamë edhe aq sigurinë defensive.
Pse, a vlejnë edhe miqësoret 5 ditë përpara ndeshjes së parë të Botërorit? Vlen shumë më tepër fakti që Italia tani luan mirë. E tregoi në Europian edhe në Kupën e Konfederatave, edhe pse të konfirmohesh nuk është e lehtë.
Ndërkohë u konfirmua Prandeli.
Dhe bënë mirë që rinovuan, sepse dora e tij është e rëndësishme. Prandeli ka diçka të Xhixhi Simonit në lidhje me raportet që krijon me lojtarët, por dhe diçka të Skolarit: punë e madhe taktike, kujdes maksimal në organizim, por edhe cilësi. Ka gjithnjë hapësirë të lirë për kreativitetin. N
doshta ja edhe dy regjisorë: Pirlo dhe Verrati.

Një ide shumë e mirë për disa ndeshje të veçanta. Por garancia është Pirlo. Ka këmbë të bekuara, por edhe një inteligjencë të shkëlqyer dhe orientim, sepse di gjithnjë të pozicionohet në fushë atje ku duhet.
Një orientim që herë pas here i mungon ende Balotelit?
Nëse nuk do të kuptojë se ky Botëror është shansi i tij i madh, do të thotë se nuk ka kuptuar asgjë rreth karrierës së tij. Kjo vlen edhe për Nejmarin. Brazili po e pret dhe do ta gëzojë ashtu siç bën me lojtarët specialë. Tani i takon atij (Balotelit). Ndoshta i jep një dorë edhe Kasano.
Prisnit që ta shikonit në Botëror?
Sinqerisht jo, por është mirë për spektaklin. Nëse ka dëshirë, ai është një vlerë e shtuar për spektaklin.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"