“Ronaldo ofendon shokët”, Fabio Kapelo: Të hapë krahun kur …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 23:30

“Ronaldo ofendon shokët”, Fabio Kapelo: Të hapë krahun kur …

Fabio Kapelo, ish-trajneri i Juventusit, tashmë në rolin e komentatorit në rrjetin “Sky Sport”, ishte ndër më të ashprit ndaj Kristiano Ronaldos, për skenën e portugezit pas zëvendësimit në minutën e 55-të, kundër Milanit. Në një deklaratë për “Repubblican”, friulani argumenton më gjatë fjalët e shprehura në analizë. 

rONALDO KAPELO

“Unë mbaj mend që largova nga fusha Françesko Totin, në ndeshjen decizive të titullit (viti 2001) kundër Juventusit, në Torino. Por më pas, nëse dy persona janë inteligjentë, sqarimi do të vijë vetiu dhe sigurisht edhe faljet. Françesko edhe pse më i acaruar se Ronaldo në atë moment, pas ndeshjes e kuptoi se zgjedhja ime ishte në interes të skuadrës dhe të dy festuam në fund, duke u përqafuar.

Gjithsesi, kur bëhet fjalë për kampionë si Toti, Ronaldo etj, këta janë persona egocentrikë, por ndoshta Kristiano është më shumë se kushdo tjetër në historinë e këtij sporti. Sigurisht që edhe atij do t’i kalojë, ndoshta edhe ai e ka kuptuar se ka gabuar. Kur një futbollist reagon keq ndaj një zëvendësimi, e para punës, ai tregon mungesë respekti ndaj shokëve që janë të ulur në stol, jo trajnerit.

Fundja, edhe ata që stërviten për të qenë gati nga pankina kanë të drejtë të luajnë. Prandaj, ato mimika, pakënaqësi, Ronaldo duhet t’i lërë mënjanë, aq më shumë kur mërzitesh ndërsa nuk je në formë. Sarri e tha troç dhe qartë, madje edhe vetë portugezi e ka konfirmuar se prej disa javësh nuk është në formën maksimale, siç bën të kuptojë edhe mungesa në ndeshjen me Leçen. Dhe kur një kampion, edhe nëse quhet Ronaldo, nuk e kupton se nuk mund të luash nëse nuk je në gjendje perfekte, atëherë është një gabim.

Vetë ndeshja e tregoi se deri në momentin e zëvendësimit me Dibalën, Ronaldo ishte ai që po luante më keq, – vazhdon Kapelo, i cili më pas sqaron edhe frazën që tha pas ndeshjes me Milanin. – Pse mendoj se Ronaldo nuk driblon më dikë prej 3 vitesh? Ka të bëjë më zhdërvjelltësinë, me kohën që kalon dhe siç dihet, koha nuk fal askënd. Me vitet nis të humbësh diçka, por ndërkohë mund të fitosh diçka tjetër.

Ronaldo duhet të nisë t’ia lërë vendin Kostës dhe Dibalës në korsitë anësore. Këta të dy po që tashmë kanë freski dhe shpejtësi për të dribluar rivalët, ndërsa Ronaldo do të bënte më mirë që të fillonte të punonte më brenda zonës. Në këtë pjesë të terrenit Kristiano është më i fortë se kurrë, ndoshta lojtari më i fortë sot e kësaj dite, pasi e ka treguar se di të jetë vrasës brenda saj. Dhe nëse nis të pranojë të luajë aty, do të jetë edhe më efikas për Juventusin dhe për veten.

Tashmë Ronaldo duhet të nisë të kuptojë se është në një fazë evoluimi të radhës dhe rolin e qendërsulmuesit e bëri shumë mirë, madje në mënyrë magjike edhe në vitin e fundit te Reali, duke sjellë edhe Champions-in e tretë radhazi për madrilenët. Ndaj, mendoj se ka ardhur ora që CR7 të nisë të lërë mënjanë mërzinë dhe dëshirën për të bërë spektakël dhe të punojë më në qendër të fushës, më në brendësi të zonës, ku do të jetë dhe do të vazhdojë edhe për 2 vite të tjera të jetë kampioni që të gjithë e kanë shijuar në 15 vitet e fundit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"