Ronaldo: E meritonim një tjetër shans pas 2004-s, ia dolëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 9:24

Ronaldo: E meritonim një tjetër shans pas 2004-s, ia dolëm

Kristiano Ronaldo me lot hidhërimi, Kristiano Ronaldo me lot gëzimi. Trofeu i kampionit të Europës në rang kombëtaresh në duart e tij ishte emocioni më i bukur që i ka dhuruar karriera, të paktën këto janë fjalët e këtij kampioni, të cilit iu desh të linte fushën pas 25 minutash.

kristiano ronaldo

“Jam shumë i lumtur, aq shumë sa nuk jam ndier ndonjëherë në jetën time. Kisha kohë që e kërkoja një sukses me përfaqësuesen, kisha kohë që punoja për të qenë gati për diçka të tillë, saktësisht që prej vitit 2004. Të humbje atë Europian në shtëpi ishte shumë e dhimbshme, por pikërisht atëherë iu luta Zotit dhe i kërkoja një tjetër shans, sepse realisht e meritonim. Lutjet e mia u dëgjuan të gjitha, jam vërtet i lumtur, sepse tani ndihem më i kompletuar si njeri dhe si sportist”.

Kristiano Ronaldo perqafon Aleks Ferguson pas perfundimit te ndeshjes

Kristiano Ronaldo perqafon Aleks Ferguson pas perfundimit te ndeshjes

Duke mbledhur të gjithë trofetë e fituar në karrierë, pa dyshim që me këtë triumf me bluzën e Kombëtares së Portugalisë, tashmë Kristiano Ronaldo pritet të bëhet shenjt në vendin e tij, por ai kërkon t’ia dedikojë këtë popullit dhe, mbi të gjitha, shokëve të ekipit. “Kundër Francës e nisa i dëmtuar, por doja të luaja me çdo kusht, doja të fitoja, por ajo ndërhyrje e fortë më nxori jashtë fushe. Kisha më shumë dhimbje në shpirt sesa në trup, por nuk ia dilja që të luaja dot, ndonëse në atë moment kisha edhe më shumë besim te shokët e mi.

Ronaldo duke ngritur trofeun

Ronaldo duke ngritur trofeun

Gjatë të gjithë këtij Europiani kemi treguar se jemi më të bashkuar se kurrë, jemi të fortë dhe kishim besim te forcat tona. Prandaj, nuk kishte një dhuratë më të bukur për mua dhe për portugezët kjo që arritëm në Francë. E dinim se mund t’ia dilnim kundër tyre dhe ia arritëm. Pas këtij gëzimi që ndiej dua vetëm të përqafoj shokët e skuadrës, trajnerin dhe të gjithë grupin që ishte protagonist i këtij suksesi. Vuajtëm, por ia dolëm. Ky është një fillim i ri për të gjithë ne”, deklaroi dje Kristiano Ronaldo, i cili me fitoren e kampionatit Europian e ka me 99 për qind të sigurt edhe fitoren e “Topit të Artë 2016”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"