Ronaldinjo: Dibala mes më të mirëve, Milani e ka të vështirë Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 21:20

Ronaldinjo: Dibala mes më të mirëve, Milani e ka të vështirë Champions-in

Ronaldinjo ndodhet në Leçe të Italisë, i impenjuar në vizita vreshtash dhe kantinash në kuadër të një kontrate sponsorizimi. Ishylli i Milanit nuk e harron të kaluarën e tij italiane dhe në një intervistë të shkurtër ka folur për ish-skuadrën e tij dhe disa nga aktualitetet e futbollit italian.

ronaldinjo lisa zimush

Vazhdoni ta ndiqni Milanin, si ju duket?

Mendoj që këtë vit po hasin disa vështirësi pasi janë një ekip i ri, por sezonin e ardhshëm pres t’i shoh më të fortë. Me sa kam parë deri tani, mendoj se do ta kenë të vështirë të sigurojnë një vend për Ligën e Kampioneve, megjithatë asgjë nuk është e pamundur.

Milani juaj nuk vuante për t’u kualifikuar në Champions.

Kur isha në Milano, ishte e pamendueshme të shihja skuadrat milaneze pa Moratin dhe Berluskonin në krye e jo më që ata të shisnin klubet e tyre. Te kuqezinjtë jam ndier shumë mirë ndaj vazhdoj të jem një tifoz i tyre.

ronaldinjo

Çfarë u mungon kuqezinjve për të synuar Europën?

Klubi bëri vërtet një merkato të rëndësishme. Historia dhe tradita e Milanit janë të njohura në mbarë botën, por i duhet dhënë kohë trajnerit për të ndërtuar një skuadër në gjendje të synojë objektivat e rëndësishëm.

Të dielën është derbi, a do të jeni në “San Siro”?

Fatkeqësisht jo, më duhet të kthehem menjëherë në Brazil dhe nuk kam kohë të qëndroj në Milano, por do të më kishte pëlqyer. Shpresoj shumë të fitojë Milani, nuk më intereson kush shënon, rëndësi ka që të marrin tri pikët.

Argjentina po vuan, ndërkohë Brazili është kualifikuar për “Rusi 2018″…

Kemi një ekip të ri dhe me shumë talent, kemi të gjitha mundësitë për t’i shkuar deri në fund Botërorit. Argjentina po kalon një moment të ngjashëm me atë që kaloi Brazili përpara Botërorit të 2002- shit, por ne u kualifikuam dhe ngritëm kupën në fund, ndaj mund t’u ndodhë edhe atyre.

Kush mendoni se do ta fitojë kampionatin e Serisë A?

Nuk e kam ndjekur shumë, por me aq sa kam parë, mendoj se Napoli është një nga kandidatet për t’i rrëmbyer titullin Juves. Kanë vite që investojnë, luajnë bukur, mendoj se mund të shpallen kampionë.

Dibala dhe Mertens premtojnë një sfidë magjepsëse.

Janë dy lojtarë të ndryshëm, por shumë të aftë. Dibala më pëlqen shumë. Ai është mes dhjetë më të mirëve në planet sipas mendimit tim dhe i duhet fare pak për t’u renditur në treshen më të mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"