“Romani” i Panajot Panos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2014 | 12:21

“Romani” i Panajot Panos…

DizdariNga BESNIK DIZDARI
4. Nga dështimi me Besën te shpërthimi me “Krahët e Sovjetëve”!

Historia apo “romani” i Panajot Panos vetvetiu i shërben historianit të sporteve, jo vetëm për të treguar historinë vetjake të protagonistit, por për t’u përshkuar në shumë ngjarje të rëndësishme, ndonëse “të zhdukura” të futbollit shqiptar. Kësisoj, ngaqë historia e tij është e shkrirë në historinë tanësore të futbollit shqiptar të viteve të tij. Është e pamundur që ndërsa ti kujton se je duke shkruar vetëm historinë e një Panajot Pano – dhe në të vërtetë je duke e shkruar – ndërkaq je duke shkruar vetë historinë e futbollit kombëtar të asaj epoke të pashlyeshme në të gjitha kahet: kundërshtuese, shpesh absurde, politike dhe jopolitike, zhvilluese apo të prapambetur, shpërthyese dhe në ecuri me ulje-ngritjet e saj sa të justifikueshme po aq dhe të pajustifikueshme.
Duke shfletuar shënimet e mia të mbajtura në vite, të botuara dhe të pabotuara, vërej me kënaqësi se historia e një Panajot Pano më çon te një histori tejet të gjerë e hapësinore, ku ai kurrë nuk është i vetëm. Dhe, jo thjesht për natyrën kolektive të këtij sporti nobël. Ai është i pandashëm me shokët e tij të respektueshëm, të cilët së bashku ia arritën t’i gëzonin shqiptarët në kohëra të vështira, kur sa pak gëzime që bartnin ato kohëra…
Por, le t’i lëmë mënjanë këto meditime prej të cilëve e kemi të vështirë të shkëputemi. Dhe të vazhdojmë me historinë faktike, aq më tepër që shqiptarët e sotëm të rinj pak merren me historinë faktike, teksa shpesh padashur prej një trysnie që ka filluar të bëhet krejt e pamëshirshme, ata bëhen skllevër të “komentit”, të “analistit”, të “opinionistit” pa histori, por më fort me të tjerruna gjatë, për fatkeq të marra nga bota e politikës… Bashkudhëtimi ynë me të paharrueshmin Panajot Pano e shokët e tij natyrisht është diçka tjetër…
XXX
Panajot Pano është ndër ata futbollistë të Shqipërisë, të cilët karrierën me të rinjtë e kanë shumë të shkurtër. Nuk duhet harruar se rasti i tij nuk bën pjesë në atë “klasik”, kur futbollisti qëndron për disa vjet në ekipin e të rinjve para se të përfshihet në atë të të rriturve. Pano nuk hyri shpejt tek të rinjtë e Tiranës, vonoi paksa, mbase edhe për shkak se kampionatet shkollore të futbollit janë ndër më të përhapurit asokohe në gjithë qytetet e Shqipërisë. Sidomos në Tiranë. Në një farë mënyre, mund të themi se Panajot Pano hyn 17 vjeç me të rinjtë dhe përfundon 18 vjeç. Dhe menjëherë me të rriturit!
Do ta fillojë me Kupën e Shqipërisë, e famshmja “Kupa e Republikës”, siç thuhej menjëherë Mbasluftës, me synim për të propaganduar fort e përmendur sa më shumë që të jetë e mundur Republikën Popullore dhe për të harruar sa më parë Mbretërinë. Sot ky emërtim thuajse është zhdukur, kur dihet se qysh në fillim të viteve ’80 me gazetën “Sporti popullor” vumë emërtimin “Kupa e Shqipërisë”. Natyrisht si dhe shumë herë të tjera, pa i marrë leje Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila ndër vite është përshkuar jo pak në një drejtim jorrallë pa kulturën e duhur.
Panajot Pano shfaqet për herë të parë në 11-shin e të rriturve të Punës së Tiranës më 13 tetor 1957. Ajo është një ndeshje e turit të parë, ose 1/8 fundore (finale) të Kupës së Republikës Popullore të Shqipërisë. Është edhe kjo një ndeshje disi historike për të. Pikërisht në çastin kur ai duhej të luante pa ndërprerje me skuadrën e të rriturve, Puna e Kavajës bën një sensacion të padëgjuar. Ajo fiton 2-1 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” kundër Punës së Tiranës dhe Pano i ri ndërpret këtu mundësinë e vazhdimësisë në veprimtaritë kombëtare për 1957-tën. Kjo, edhe për faktin se kupa për habi zhvillohet simbas modelit anglez: vetëm një ndeshje dhe lamtumirë, përjashtim i drejtpërdrejt!
Skeda e kësaj ndeshjeje për emrat që përmban, është një histori e çmuar më vete: Kupa e Republikës Popullore të Shqipërisë 13 tetor 1957.
Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
PUNA E TIRANËS – PUNA E KAVAJËS 2-1
PUNA E TIRANËS: Metani, Bulku, Stërmasi, Caslli, Mema, Balla, Rada, Petrela, Shehu (Parapani), Reçi, Pano.
PUNA E KAVAJËS: Myhyrdari, H.Tallushi, S.Gjoci, Simaku, Cara, Idrizi, Zhelegu, Mahmudaj, Gavardari, Dimroçi, Dollia. GOLAT: Gavardari (8′), Dimroçi (55′), Petrela (78′ (11-m).
GJYQTARË: Mihallaq Tiko, Ilia Doraci, Halit Laçej.

Siç shihet, trajneri Myslym Alla ka guximin të përfshijë në 11-shin e skuadrës së Tiranës tre lojtarë të marrë nga skuadra e të rinjve, e saposhpallur kampione kombëtare: Ballën, O.Memën dhe Panon. Për kohën “konservatore” që kalonte futbolli shqiptar, ky ndryshim konsiderohej guxim i madh. Ishte një meritë e madhe e të paharrueshmit Myslym Alla, çka nënkuptonte një rrezik të madh që duhej ta merrte përsipër vetëm ai. Met Metani, Zike Bulku, Bedri Stërmasi, Osman Caslli, Enver Rada, Cen Petrela, Osman Reçi, për fat, i sapondarë nga jeta në këte 2014, teksa u përcoll me nderime – ishin simbole të viteve më të vështira të Tiranës. Ndryshe ata ishin të qëndrueshmit stoikë të ruajtjes së emrit të harruar të Sportklub Tiranës së viteve ’30, e shkatërruar thuajse në gjithë dhjetë vitet e Mbasluftës për hir të PartizanDinamos. Të vetmuar, ata kishin mbajtur në këmbë një Punë të Tiranës tejet të drobitur, ashtu të nënvleftësuar e të nëpërkambun. Skuadra tash kërkonte gjak të ri. Talentet ishin aty. Dhe Myslym Alla nuk e zgjat: Balla, Mema, Pano! Por është 2-1 për Punën e Kavajës! Ky ishte dështimi i parë i të riut Panajot Pano.
Kundërshtari ishte një nga njëmbëdhjetëshat më të mira të Punës së Kavajës (Besës). Mbi të gjithë, dyshja Qemal Gavardari – Dhimitër Dimroçi, një kombinim i shkëlqyer force dhe teknike së bashku. Dhe një i ri nga mbrapa: Selim Gjoci, i cili shpejt edhe ai do të përfshihej në blloqet e fshehtë të kolonelëve (ende kishte fare pak gjeneralë) të PartizanDinamos si dhe dhjetëra talente të tjerë…
Por të vijmë te Panajot Pano. Eshtë 1-0 qysh në minutën e 8- të prej të zakonshmes gjuajtje të fuqishme, të pamëshirshme të Gavardarit. Nuk ishte një gol i rastit. Ishte gol i 10 minutave epërsi të plotë të kavajasve. Por në çast skenat ndërrohen, Puna e kryeqytetit merr lojën ndër duar dhe rastet rrjedhin njëri mbas tjetrit. Kulminacioni është minuta e 15-të kur Petrela godet shtyllën. Dhe mbas 60 sekondave është episodi befasues i Panos, më saktë, gjuajtja e tij e pagabueshme në ecje e sipër, çka i lejon portierit Myhyrdari të tregojë aftësitë e njohura të përftuara në shkollën tradicionale të portierëve të Kavajës. Zyhdi Shehu është një ndër më të mirët e Punës, por tashmâ, në mbarim të pjesës së parë, ai traumatizohet dhe zëvendësohet me një firmë të madhe të futbollit kombëtar: Tiç Parapani. 18- vjeçarit Panajot Pano i duhet të gjejë gjuhë të përbashkët me veteranin Kampion të Ballkanit më 1946, sulmuesin e krahut Parapani, tash 33-vjeçar! Të duken si babë e bir! Dhe për çudi nuk arrijnë të harmonizohen. Dalja e Shehut e zbeh tejet efikasitetin e lojës së tiranasve dhe me fillimin e pjesës së dytë, “dinaku” Dimroçi e bën 2-0!
Ky ishte eliminimi i bujshëm i Punës së Tiranës dhe korniza e plotë e dështimit të djaloshit Panajot Pano. Në minutën e 23-të, Tiko jep një 11-metërsh të dyshimtë për Punën vendase dhe Petrela vetëm sa siglon 2-1 në këtë fund disi “ngushëllues” për kryeqytetasit. Puna e Tiranës ishte eliminuar befasisht prej Kupës së ashtuquajtur të Republikës!…
XXX
Po cilën ditë duhet të priste 18-vjeçari Panajot Pano për të shpërthyer më në fund dhe për flakur gjithë një mosbesim? Eshtë Puna e Tiranës – Krahët e Sovjetëve të Kujbishevit 2-0! Kjo është ndeshja e Panajot Panos, ndeshja e parë ndërkombëtare e tij dhe e dyta në tanësi në kategorinë e të rriturve. Do të ishte shkëlqimi i tij, njohja e parë e tij në opinionin mbarëkombëtar si një talent i papritur.
Ajo është një ndeshje miqësore me skuadrën sovjetike, e dëgjuara “Krilla Sovjetov”, klubi i punonjësve të industrisë së aviacionit të Bashkimit Sovjetik, klubi i sotëm i Kampionatit të Rusisë 2014, Krylya Sovetov i qytetit të mirënjohur Samara. Asokohe qytet që kishte marrë emrin e Kujbishevit (Valerian Vladimiroviç) – anëtar i Byrosë Politike të PK (b) të BRSS dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Komisarëve të Popullit. Krahët e Sovjetëve (për çudi përktheheshin në shqip emrat e klubeve të huaj) për 5-6 vjet ishte pjesëmarrëse e Kampionatit panbashkimor të futbollit (kategoria e parë e Bashkimit Sovjetik) dhe në këte vit 1957 kishte zënë vendin e 11-të, duke regjistruar madje ndeshje të mëdha, të tilla si barazimet 1-1 dhe 0-0 me Spartakun e Moskës, Torpedon e Moskës, Dinamon e Kievit, Dinamon e Tbilisit si dhe Lokomotivën e Moskës. Skuadra sovjetike vinte në Shqipëri mbas një turneu të suksesshëm në Bullgari. Për futbollin shqiptar kjo konsiderohej ngjarje e madhe, çka për sot duket diçka e pakuptueshme, natyrisht, por na duhet të futemi në kohë. Në 11-shin e saj ishte edhe futbollisti i mirënjohur 30-vjeçar Viktor Karpov i Kombëtares sovjetike, i cili mbante rekordin e rrallë në BRSS, sepse për ndeshje ndërkombëtare kishte luajtur edhe me tri të mëdhatë e Moskës: Dinamo, Spartak dhe Torpedo, si dhe Zenitin e Leningradit dhe Dinamon e Kievit! Do të bëhej një trajner i shquar i futbollit sovjetik.
Natyrisht, duke pasur parasysh situatën që kalonte Puna e Tiranës, pritej që kjo të ishte një ndeshje e vështirë për te. Megjithate gjithçka do të kalojë me sukses. Puna fiton 2-0 dhe loja e Panajot Panos është e shkëlqyeshme. Eshtë 1-0 qysh në minutën e parë. Puna është përforcuar me Abdulla Dumën, Gole Sheshin dhe Fredi Ruçon të Dinamos dhe, me sa duket, në këte forcë përtëritëse të kësaj rinie dinamase, përfshihet edhe ritmika e Panajot Panos. Pa kaluar 60 sekonda Duma shkëmben me Petrelën, i cili sulet i papërmbajtshëm, e rrëzojnë, ngrihet dhe prapë te Duma, i cili gjuan fort dhe 1-0!
Ndeshja sa vjen e rritet në të mirë të Punës së Tiranës dhe Pano ynë është kudo, ndonëse pa pasur guxim që të marrë përsipër përfundime vetjake, por me zgjuarësi, duke përfituar nga shpejtësia e tij, ai punon fort për shokët. Kështu, shkohet deri në të 72′, kur mbrojtësi mik Maksimov detyrohet të shkaktojë vetgol (autogol) në vorbullën e një ngatërrese të shkaktuar prej gjuajtjes së fuqishme të Osman Reçit, kapiten i skuadrës, prej një topi që kthehet nga shtylla. 2-0 është i pastër si talenti i kthjelltë i 18-vjeçarit Panajot Pano.
Për përkim, autori i kronikës së ndeshjes është një njeri, i cili për vitet që do të vinin, madje për gati 20 vjet, nuk do ta hiqte nga zëri i tij këte emër atë ditë fare pak të njohur: “Pano!”. Eshtë gazetari Ismet Bellova. Fraza e tij e shkurtër, e shtypur e bardha në të zezë, është emblematike me gjithë prozaizmin e saj të gazetarisë së periudhës:
“Veç të tjerëve, – parashikon pa mëdyshje Bellova, – meritojnë të dallohen edhe i riu me shumë perspektivë Pano si dhe portieri Metani”. Po, kjo është emblemë e parë për jetën e ardhshme të futbollistit të madh Panajot Pano i skalitur në këte skedë historike: 24.11.1957.
Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
PUNA E TIRANES-KRAHET E SOVJETEVE (“KRILLA SOVJETOV”) TE KUJBISHEVIT 2-0
PUNA E TIRANES: Metani, Behushi, Stërmasi, Caslli, F.Ruço (Baçi), Sheshi, Rada, Petrela, Duma, Reçi, Pano. TRAJNER: M.Alla.
KRAHET E SOVJETEVE (“KRILLA SOVJETOV”): Dusmanov, Mazerov, Kalcov, Maksimov, Karpov, Brednjev (Novikov), Rjedkin, Kameniev, Smatrikin, Jonov, Daronjin. TRAJNER: V.Sollovjov.
GOLAT: Duma 1′, Maksimov 72′ (vetgol).
GJYQTARE: S.Kotherja, M.Tiko, M.Laska.

Kjo ishte ndeshja më e bukur e shqiptarëve ndaj sovjetikëve të Kujbishevit, të cilët më pas barazojnë 1-1 me Partizanin, 0-0 me Punën e Shkodrës dhe fitojnë 2-0 me Lokomotivën e Durrësit, të sapoemëruar si “lokomotivë” për t’i përngja Lokomotivës së Moskës. Ky do të ishte emri për më se 35 vjet pa ndalë i skuadrës së qytetit tonë të lashtë, që në shekuj kishte qenë në simbiozë jo me një vijë hekurudhore, por me detin dhe që në vitet ’30 kishte marrë emrin e mbretëreshës ilire Teuta…
Këtu, me vetëm këto dy ndeshje, një kombëtare të pafat (Besa e Kavajës) dhe një ndërkombëtare plot fat (Krahët e Sovjetëve) dhe pa askurrgja tjetër, e mbyll vitin e tij të parë në futbollin e rangut të lartë kombëtar Panajot Pano. Kishin filluar ta njihnin. Trajnerët ia kishin ngulur sytë. Tifozët e mëdhenj të Tiranës, mbas kaq vitesh ëndërronin. Diçka mund të ngjiste vërtet. Trajneri Myslym Alla ishte njeriu i vetëm që ndërsa meditonte për te, kthente kryet disi mbrapa, sepse aty ishin edhe të tjerë. Skender Halili, Fatmir Frashëri…
I futur mbrenda kësaj mëdyshjeje historike të çuditshme shqiptaro-sovjetike, Panjot Pano gjithsesi do të formohej si një futbollist i stilit perëndimor. Ndonëse ende plotësisht nuk mund të thuhej se starti ishte dhënë krejt i fuqishëm për te. Duhej të vinin befasitë e mëdha të viteve 1958-1959… Ndërkaq, historia e futbollit shqiptar kishte fiksuar në këte nëntor ’57 një përkim sensacional! Kishte përuruar në dy ndeshjet e tij të para talentin e madh të 18-vjeçarit Panajot Pano dhe i kishte dhënë lamtumirën prej fushës së blertë njeriut, i cili për gjithë vitet e Mbasluftës kishte qenë sunduesi i pakundërshtueshëm i vlerave të futbollit shqiptar: Loro Boriçi – një mit! Ka qenë 1 dhjetor 1957 dhe në Shkodër është Puna e Shkodrës – Krahët e Sovjetëve të Kujbishevit 0-0. E mbaj mend si sot atë ditë të akullt prej murlanit cingërimë të Shkodrës historike edhe për hir të mjeshtrit të madh Loro Boriçi, të ndeshjes së tij të fundit në rolin e qendërsulmuesit, teksa vishte fanellën e Vllaznisë së tij mbas plot 10 vjetëve. Me fanellën e saj kishte dalë në fushën e lojës për herë të parë 15 vjeç djalë në Kampionatin Kombëtar të vitit 1937. Po e mbyllte mbas plot 20 vjetëve. Një rekord që do ta thyente mbas 52 vjetëve portieri Blendi Nallbani.
Shpejt, ky Loro Boriç datuar 1957 do të bëhej trajneri i djaloshit Panajot Pano, i cili si futbollist i madh “lind” mû në ditën e largimit nga fusha të Boriçit gjithashtu të madh. Do t’i lidhnin fort me njëri-tjetrin ngjarje të pashlyeshme…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"