Roma “shkel” Interin, arrin finalen e kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2013 | 14:16

Roma “shkel” Interin, arrin finalen e kupës

Inter-Roma 2-3Dopieta e Destros dhe eurogoli i Torosidhis, detyrojnë Interin të dorëzohet pas atij iluzioni që kishte krijuar Xhonatan me golin e tij. As goli i dytë i Alvarez nga distanca nuk ka shërbyer për të minimizuar zhgënjimin e presidentit Morati, i cili ka braktisur tribunën i nervozuar. Inter- Roma përfundon 2-3 dhe verdhekuqtë sigurojnë kështu finalen e 17-të të Kupës së Italisë, të cilën kësaj radhe do ta luajnë kundër Lacios. Kurse zikaltrit marrin zhgënjimin e radhës në këtë fundsezoni.
Formacionet Interi paraqitet në gjysmëfinale në emergjence totale. Listës së 13 lojtarëve të dëmtuar gjatë nxehjes u shtohet edhe Kambiaso. Por edhe “tersi” ka limitet e veta. Në vend të argjentinasit Stramaçoni aktivizon në fushë Xhonathan dhe ndryshon modul duke aplikuar skemën 4-3-3. Për sa i përket formacionit të Romës, Destro zbret në fushë titullar, së bashku me mesfushorin Daniele De Rosi, prezenca e të cilit ishte në dyshim deri në momentin e fundit.
Golat Yjet e Interit në këtë kohë qëndrojnë më tepër në infermieri sesa në fushë. Kështu që zikaltërve të shkretë u duhet të kënaqen me Xhonatan, i cili transformohet nga një lojtarë mesatar që ka qenë gjatë këtij sezoni, në njeriun e përmbysjes. Faktikisht është Interi që hap serinë e golave në minutën e 22-të. Zikaltrit ndërtojnë aksionin më të bukur gjatë këtij sezoni, që mban firmën e tre burrave, të cilët kanë qenë shpeshherë simbol i episodeve të pafata për këtë ekip. Xhonatan shkëmben topin me Alvarez, pastaj pason për Rokin, ky ia kthen pasimin me thembër, braziliani karikon të djathtën dhe e dërgon topin në rrjetë. Me këtë rezultat 1-0 Interi fillon të ëndërrojë për finalen e Kupës së Italisë dhe së bashku me të edhe tifozët zikaltër. Disa minuta më vonë Roki shkon pranë golit të dytë, por është pa fat. Pastaj i vjen radha Handanoviçit, i cili përpiqet të mbajë në këmbë ëndrrat e popullit zikaltër duke bërë dy superpritje ndaj Destros dhe Florencit. Por në minutën e 55-të Handanoviçi nuk ka se ç’të bëjë. Lamela depërton në qendër dhe prodhon një asist për Destron në mes të katër mbrojtësve zikaltër, ky i fundit administron topin dhe me majën e këmbës shënon golin e barazimit. Romanistët festojnë aq shumë, sa në të merr pjesë e gjithë pankina verdhekuqe. Formalisht Destro ka qenë një ish, por pavarësisht kësaj ai preferon ta festojë në maksimum golin e shënuar. Kalojnë dhjetë minuta dhe Xhonatan merr një top të artë në zonë, përpiqet t’ia pasojë Rokit me thembër, por mrekullitë nuk përsëriten dy herë brenda një ndeshjeje. Menjëherë pas këtij aksioni, në minutën e 69-të, De Rosi pason për Balzaretin në të majtë, që kroson për Destron, i cili shënon. Pas golit të dytë duket sikur gjithçka ka mbaruar, por Torosidhis katër minuta më vonë depërton në zonë dhe nga distanca shënon golin e tretë për formacionin kryeqytetas. Në minutën e 80- të Alvarez shënon nga distanca, gol ky që shërben sa për të evidentuar emrin e tij në listën e golashënuesve dhe rritjen e futbollistit argjentinas.

StramacioniStramacioni: E merituam eliminimin
I zhgënjyer më shumë se kurrë dhe i frikësuar në lidhje me të ardhmen e tij. Kjo është pamja e Andrea Stramaçonit përpara gazetarëve, ndonëse si një lider i skuadrës është gati që të përballet me gjithçka që mund të sjellë kjo krizë rezultatesh. Trajneri zikaltër pranon se është gati të vërë fytyrën e tij në krizën e rezultateve që ka pushtuar futbollistët.
Stramaçoni, jeni i zhgënjyer që nuk patët mundësinë të provonit ta luanit deri në fund kualifikimin, me forca të barabarta?
Rezultati 1-0 do na kishte mjaftuar për të kaluar, por për të ruajtur këtë rezultat në pjesën e dytë duhej të sakrifikoja një mes Rokit ose Alvarezit dhe të kisha kthyer Skeloton në mbrojtje. Por nëse do kishim pësuar gol, pastaj do e kishim të vështirë të tentonim të shënonim sërish. Pengu i vetëm është që nuk shënuam golin e dytë me Rokin menjëherë pas të parit, e mbase kështu do kishim pasur një ritëm tjetër në pjesën e dytë. Megjithatë, nëse numëron mungesat tona do hyni në panik, pa menduar që përpara sfidës m’u desh të hiqja dorë edhe nga Kambiaso. Kësisoj, pas një paraqitjeje të tillë nuk më mbetet tjetër veçse të përgëzoj lojtarët e mi.
Nuk ndiheni disi i braktisur nga futbollistët tuaj, duke qenë se kohët e fundit jeni gjithmonë ju që po vini fytyrën tënde përpara kësaj krize?
Unë duhet të bëj gjithmonë një hap më shumë se të tjerët, sepse kështu është e drejtë. Jam trajneri i skuadrës dhe nuk kam asnjë problem që profesionalizmin tim ta vë në shërbim të klubit, apo edhe të presidentit, i cili do vendosë se çfarë të bëjë me mua. Këtë gjë e kam bërë dhe do ta bëj gjithmonë. Fundja, nëse kemi hyrë në krizë, unë jam i pari që marr përgjegjësitë. Lojtarët e mi, edhe pse të mundur, largohen nga kupa krenarë, sepse kanë bërë maksimumin për të tentuar kualifikimin përballë një Rome super.
Si mund të gjendet forca për të mbyllur këtë sezon, duke menduar gjithë këto grushte radhazi që keni marrë?
Nuk kam asnjë dyshim që futbollistët e mi, ashtu sikurse unë, nuk do dorëzohen pas kësaj shuplake të radhës. Problemi më i madh, nga këtu deri në fund, është menaxhimi i forcave, i lojtarëve që na kanë mbetur në dispozicion. Prandaj, unë shpresoj ta mbyll në mënyrën më të mirë këtë sezon deri në fund dhe më pas do jem në dispozicion të presidentit Morati për të folur për të ardhmen time dhe të skuadrës.
Besoni se faza defensive është problemi më i madh i Interit?
Nuk e di, po probleme nuk kemi vetëm këtu, por kudo dhe nuk mund të them që shumica e tyre lidhen me dëmtimet. Ndonëse, kundër Romës e merituam eliminimin, sepse ata treguan se janë më të fortë se ne. Ishin më të bindur se ne për të kaluar në finale dhe tashmë duhet ta pranojmë që forcat sa vijnë e na shterojnë, mbi të gjitha ato psikologjike.
Tifozët mendojnë se mungon mbështetja e klubit ndaj skuadrës…
Unë flas vetëm për skuadrën dhe lojtarët e mi. Tifozët mund të bëjnë çfarë të duan, fundja për këtë e paguajnë biletën. Unë thjesht i falënderoj që na duartrokitën, edhe pse humbëm ndaj Romës dhe mundësinë për të shkuar në finale.

Andreacoli: Unë dua të festoj vetëm pas Lacios
Aurelio Andreacoli e ka fituar bastin e tij, duke hedhur nga minuta e parë Destron, i cili e shpërbleu me dy golat e përmbysjes dhe kualifikimin: “Më në fund skuadra rizgjoi dëshirën për të festuar një sukses që na mungonte në të tilla nivele. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e dytë, duke qenë se në të parën humbëm mes rrëmujës së dyluftimeve në mesfushë. Destro? Ka aq talent sa mund të mbyllë i vetëm një takim siç e tregoi kundër Interit, në një ndeshje që e ndjente shumë dhe nga e cila mori një dhuratë të madhe. I lumtur për finalen? Jam i lumtur më shumë për lojtarët, sesa për veten. Unë dua të festoj kundër Lacios, s’më interesojnë festat e shkurtra”.

DestroDestro në qiellin e shtatë: Inter, gabove rëndë me mua
Aurelio Andreacoli e kishte paralajmëruar se do të kishte qenë ndeshja e Matia Destros, dhe sulmuesi i verdhekuqve nuk i ka përgënjeshtruar pritshmëritë e trajnerit të tij, por mbi të gjitha numri 22 me dopietën personale është hakmarrë ndaj Interit, skuadrës që nuk besoi tek ai: “Kisha dy muaj që prisja rikthimin dhe golin, por nuk mendoj se do kishte rikthim më të bukur sesa ky. Jemi në finale dhe me dopietën time ndihmova ekipin që të arrijmë këtë objektiv të rëndësishëm. Ishte një natë magjike, një natë e lumtur, të cilën e kam shijuar në maksimum. Festuat furishëm golat ndaj Interit? Pa dyshim, nuk më intereson dhe nuk më lidh asgjë me ta. Fundja, ata as që më pyetën kur më shitën dhe unë natyrisht që i tregova se kanë gabuar rëndë me mua. Më i qartë se kaq nuk mund të jem. Tani duam të hakmerremi edhe ndaj Lacios në finale, një ndeshje që s’do e gabojmë”.

Xhontan: Me pak fat mund të shkonim në finale
Mbrojtësi i Interit, Xhonatan, e ka komentuar me keqardhje gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, të cilën zikaltrit e humbën me Romën: “Nuk ishte e lehtë të luaje një ndeshje të tillë, me kaq shumë mungesa në formacionin bazë. Ne u përpoqëm deri në fund të siguronim finalen, por nuk patëm fat. Ndoshta me fillimin e pjesës së dytë duhej të tregoheshim më tepër racionalë. Megjithatë, i gjithë ekipi ka dhënë maksimumin. Roma është një skuadër e fortë, e cila po kalon një moment të shkëlqyer në kampionat. Kurse ne për momentin nuk po kemi fat”. Mbrojtësi 27-vjeçar është i kënaqur me paraqitjen e tij: “Tani kam filluar të ambientohem siç duhet me shokët e skuadrës. Për më tepër edhe fizikisht jam mirë. Goli? Në momentin që shënova u gëzova pa masë, por më erdhi keq që ai gol nuk shërbeu për të na dhënë një biletë të vlefshme për në finale”.

Kapiteni Zaneti: Roma kishte shumë talent për ne
Tek Interi janë të gjithë pa forca. Mirëpo ç’është më e keqja, çdo ndeshje që kalon bien gjithmonë e më shumë në depresion, siç konfirmon Havier Zaneti: “Pavarësisht vështirësive që kishim për të përballuar këtë takim, provuam deri në fund që ta zgjidhnim situatën pozitivisht, por në fund nuk na mbeti që tjetër veçse të dorëzoheshim. Në pjesën e parë bëmë një paraqitje të mirë, por në të dytën Roma tregoi se kishte shumë talent krahasuar me ne dhe e meritoi fitoren, duke na përmbysur sfidën. S’e di, por kualifikimin e kishim kompromentuar që në ndeshjen e parë dhe pas një 45-minutëshi pozitiv për ne, në fund nuk mjaftoi që të shkonim në finalen e Kupës së Italisë. Gjithçka po na shkon keq sivjet. Fundja, kanë ndodhur shumë gjëra që na kanë penalizuar, sidomos në fazën e dytë të sezonit, dhe i kemi vuajtur jo pak, por shpresojmë që të mos biem në depresion”.

Ultrasit kundër klubit: Kemi mbetur jetimë të Murinjos
Ultrasit e Interit kanë protestuar kundër klubit. Pak përpara fillimit të gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Italisë kundër Romës, tifozëria ka shfaqur një seri banderolash kërcënuese dhe akuzuese ndaj stafit drejtues, të cilat nuk i kanë pëlqyer aspak presidentit Masimo Morati: “Jemi jetimë të dikujt që nuk di të tregojë forcë dhe krenari për fanellën e Interit, siç bënte Zhoze Murinjo. Fundi i sezonit… koha për bilance dhe për disa lamtumira fillojnë sot, dhe për këtë nuk duam shpjegime”. Poshtë këtyre banderolave është edhe fotoja e drejtorit të përgjithshëm të Interit, Marko Fasone, i cili vetëm pak vite më parë, kur ishte nëpunës i klubit të Juventusit, pozonte me një fanellë ironike ndaj zikaltërve: “Më mirë një vit me zero ‘tituli’ sesa një jetë prej qesharakesh”. Me pak fjalë, kriza zikaltër sa vjen e zgjerohet…
Përgatiti: PARID AGOLLI / JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"