Rojs mungon ndaj Interit, tifozët e Dortmundit shpërthejnë kundër trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 18:20

Rojs mungon ndaj Interit, tifozët e Dortmundit shpërthejnë kundër trajnerit

Lajme negative për Borusian e Dortmundit, e cila sot në mbrëmje do të sfidojë Interin në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Ligës së Kampionëve. Skuadra gjermane nuk do të ketë shërbimet e dy lojtarëve më të mirë si Marko Rojs dhe Pako Alkaser. Ata nuk janë grumbulluar nga trajneri Favre për këtë ndeshje delikate, e cila do të vendosë fatet për kualifikimin. Lajmi i mirë është rikthimi i talentit Sanço dhe i Mario Gëces.

marko rojs

Rojs do të qëndrojë jashtë për këtë ndeshje për shkak të gjendjes gripale, ndërsa Alkaser është prej ditësh me probleme fizike muskulore dhe nuk ia ka dalë që të rikuperohet në kohë. Borusia paraqitet në Milano si kryesuese e Grupit F me 4 pikë bashkë me Barcelonën. Interi ndodhet në vendin e tretë me vetëm një pikë dhe për zikaltrit kjo është si një finale. Skuadra e Kontes do të shfrytëzojë mungesat e rëndësishme për të marrë një rezultat pozitiv.

SHPËRTHEJNË TIFOZËT- Por vendimi i drejtuesve dhe trajnerit Favre për ta lënë pushim kapitenin Rojs për këtë ndeshje nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e Dortmundit. Ata kanë shpërthyer në rrjetet sociale dhe thonë se ky është një vendim i papërgjegjshëm. Rojs kishte luajtur kundër Gladbahut me gjendje gripale dhe Borusia e falënderoi përmes një postimi në rrjetet sociale dhe e uroi për golin e shënuar.

skysports-dortmund-draw_4573239

Pikërisht në këtë postim kanë ardhur një lumë komentesh negative nga tifozët. Ata thonë se Rojs është rrezikuar në këtë sfidë dhe prandaj është i detyruar të humbasë duelin e Ligës së Kampionëve kundër Interit. Megjithatë, Favre shpjegoi se Rojs ishte përmirësuar gjatë natës dhe prandaj zbriti në fushën e lojës kundër Gladbahut. Situata u bë aq shumë delikate, sa Dortmundi duhet të shpjegonte se vendimi për ta aktivizuar Rojsin në këtë ndeshje ishte në bashkëpunim të plotë me stafin mjekësor dhe pas kontrolleve që iu bënë lojtarit.

Përpara nisjes së skuadrës gjermane drejt Milanos, drejtori sportiv Cork tha se shpresojnë që Rojs të rikthehet i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Borusias së Dortmundit në kampionat. “Shpresojmë që Rojs të rikuperohet dhe të jetë i qetë gjatë këtyre ditëve. Duam ta kemi sërish për sfidën në kampionat në fundjavë”, ka thënë ai duke shpresuar që Dortmundi të marrë një rezultat pozitiv në sfidën kundër Interit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"