Roben rinovon, deri më 2015 me Bajernin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2012 | 9:37

Roben rinovon, deri më 2015 me Bajernin

Ylli holandez, Arjen Roben, i ka thënë “po” rinovimit të kontratës me Bajernin e Mynihut. 16 ditë para finales së dytë të Champions-it, fantazisti holandez ka vendosur përfundimisht të vazhdojë karrierën të paktën edhe për tri vite të tjera me bavarezët. Edhe pse kohët e fundit u spekulua shpesh për largimin e tij në Angli apo edhe Itali, ajo mbeti vetëm në thashetheme, pasi “banka” e Bajernit nuk ka nevojë për para, por për yje futbolli.
Kontrata – 28-vjeçari holandez erdhi në Mynih në verën e vitit 2009. Kartoni i tij u ble për 24 milionë euro te Reali i Madridit dhe në atë vit ai nënshkroi një kontratë 4-vjeçare, pra deri në vitin 2013. Gjatë kësaj kohe, Roben ka zhvilluar 61 ndeshje, shënuar 39 gola, fituar dy titujt kombëtarë të Gjermanisë në vitin 2010, si dhe humbi finalen e Champions-in në 2010-ën, në Madrid kundër Interit. Sherri me Riberinë në ndeshjen ndaj Realit bëri që Roben të ndihej i nënvlerësuar dhe pa vlerë, por pas bisedimeve me krerët ai mori garanci të plotë dhe firmosi edhe për dy vite të tjera, pra deri në 30 qershor 2015, të njëjtën kontratë si të Riberisë. Ai do përfitojë 8 milionë euro në sezon.
Pse firmosi? – Arsyet pse Roben preferoi të qëndrojë në Mynih, kanë qenë të shumta. Përveç anës sportive, faktor kryesor ka qenë familja. “E kam theksuar gjithnjë që në Mynih ndihem shumë mirë. Kjo ka qenë një nga arsyet pse vendosa të rinovoj. Bajerni është bërë për mua si një familje dhe, për më tepër, dy prej tre fëmijëve të mi kanë lindur në Mynih. Edhe nga ana sportive ky rinovim ka qenë vendimi i duhur. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe jam i sigurt që sukseset në vitet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha”,- deklaroi Arjen Roben gjatë konferencës për shtyp. Një arsye tjetër është që Roben ka stafin mjekësor më të kompletuar te Bajerni. Meqë ai është delikat, shëndetin e ka të garantuar nga mjekët e Bajernit.

RIBERI I KËRKON FALJE
Pas rinovimit të kontratës së Arjen Robenit, ylli francez ka pohuar se i ka kërkuar falje holandezit për sherrin në pankinë. Këtë gjë e pohon edhe trajneri Jup Hejnkes, i cili pati kritikuar Riberinë. “Riberi i ka kërkuar falje Robenit. Të tilla ngjarje s’kanë për t’u përsëritur më. Secili duhet t’i përmbajë emocionet”.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"